E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulja e temperaturave, mos i jepni antibiotikë fëmijës sa herë që sëmuret

Në ditët e ftohta shumë njerëz, veçanërisht fëmijët ndikohen shumë shpejt nga ndryshimet e temperaturave duke u bërë të sëmurë. Ndërkohë që qëndrimi në ambiente të mbyllura lehtëson daljen në pah të sëmundjeve dhe përhapjen e tyre dhe ndikon negativisht në shëndetin e fëmijëve. Dr. Hylja Caner, pediatre në Memorial Hospital, thekson se shumica e infeksioneve që shfaqen tek fëmijët lidhen me viruset dhe në këto lloj rastesh përdorimi i antibiotikëve nuk është i nevojshëm. “Familjet fillojnë të përdorin antibiotikët sa herë që i sëmuren fëmijët. Por nuk duhet harruar se antibiotikët, të cilët nuk merren në dozën dhe kohën e përcaktuar shkaktojnë më shumë dëm se dobi”,- shprehet ajo. Duke na kujtuar se fëmijët mund të mbrohen nga shumë infeksione me anë të vaksinimit, Dr.Caner tërheq vëmendjen e nënave dhe baballarëve për të pasur informacion rreth vaksinimit, kur dhe sa herë duhen vaksinuar dhe në plotësimin e vaksinave të pabëra.
Fëmijët
Sipas informacionit të dhënë nga Dr.Hylja Caner, fëmijët të cilët shkojnë në shkollë gjatë dimrit sëmuren më shumë nga infeksionet e fytit dhe bajameve. Ndërsa moskurimi i infeksionit të veshit mund të shkaktojë sinozit, krijimin e abcesit në bajame dhe infeksione në gjëndrat e qafës dhe limfatike. Rreziku më i madh nga infeksioni i veshit, kur nuk kurohet është mundësia e shfaqjes së reumatizmës së zemrës dhe një sëmundjeje të veshkave të quajtur “akut glomerulonefrit”. Për të mos infektuar fëmijët e tjerë, fëmijët e sëmurë nuk duhet të dërgohen në shkollë të paktën 24 orë pas fillimit të antibiotikëve. Ndërsa për të përcaktuar diagnozën e infeksionit të veshit, të shfaqur me shenja si ftohje, dhimbje veshi dhe temperaturë, duhet kontrolli i një specialisti. Higjiena e duarve është rruga më e mirë për të parandaluar infeksionet e shkaktuara nga mikroorganizmat. Vetëm përdorimi i sapunit apo higjiena e duarve pakëson dhe shkurton kohën e sëmundjes me 34 % të infeksioneve të lëkurës, 55 % të sëmundjeve të diarresë, 50 % të pneumonisë.
Antibiotikët
Çfarë po ndodh? Çdo herë që përdorim një antibiotik për të luftuar një infeksion, disa baktere arrijnë të mbijetojnë dhe shumohen duke u bërë më të fortë me kalimin e kohës. Herën tjetër do ta sulmojnë organizmin tonë dhe do të kenë një rezistencë më të fortë ndaj antibiotikut që i afrohet, i cili do të jetë më pak i efektshëm, për të mos thënë që do të jetë i paefektshëm. Zgjidhja? Kërkuesit po mundohen që të gjejnë lloje të reja antibiotikësh të cilët mund t’i sulmojnë këto superbaktere, por, ndërkaq mamatë duhet që të ndjekin rregullat e arta për të mbrojtur fëmijët nga nevoja e të marrit antibiotikë gjithmonë e më të fuqishëm për të shëruar infeksionet, madje edhe ata më banalët. Për këtë, mjekët japin tre rregullat që duhen ndjekur gjithmonë gjatë përdorimit të antibiotikëve, që janë: mos përdorni antibiotikë në rastet e infeksioneve të shkaktuar nga viruset, si ftohja; mos përdorni sasi më të vogla se ato të këshilluara nga mjeku; mos e ndërprisni kurën para shërimit të plotë apo para periudhës së përshkruar nga mjeku.

Të vërtetat dhe të gabuarat rreth antibiotikëve
Nuk është e vërtetë se antibiotikët e ulin temperaturën. Nuk kanë një efekt veçanërisht kundër temperaturës (si paracetamoli), por shkatërrojnë bakteret, të cilat, duke shkaktuar infeksionin, janë edhe përgjegjëse për rritjen e temperaturës së trupit.
Është e vërtetë se është më mirë që t’u japësh fëmijëve një antibiotik me “spektër të caktuar”. Po, sepse nënkupton që është krijuar për të luftuar bakterin përkatës. Duke zgjedhur një antibiotik me spektër të caktuar ke më pak mundësi të ulësh florën bakteriale të zorrëve (të përbërë nga mikroorganizma, edhe baktere, të nevojshme dhe që kanë një funksion mbrojtës) dhe ul rrezikun që bakteret të bëhen rezistente. Është e vërtetë që gjatë një kure me antibiotikë duhet të marrësh produkte të qumështit. Gati të gjithë antibiotikët tentojnë të shkatërrojnë edhe bakteret e nevojshme, që janë pjesë e florës bakteriale të zorrëve dhe që mbrojnë mukozën e zorrëve. Mendohet (në të vërtetë nuk është plotësisht e sigurt) se produktet e qumështit (si kosi ose produkte të tjera) ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të florës bakteriale.

Efektet negative
Krahas rezistencës që kanë mikroorganizmat ndaj antibiotikëve dhe që transmetohet brez pas brezi, duhet të kemi parasysh dhe zhvillimin e rezistencave të fituara. Rezistenca e fituar mund të jetë pasojë e mutacioneve kromozomiale. Në këtë rast, në gjirin e një specie të caktuar mund të ndodhin mutacione kromozomike që çojnë në krijimin e shtameve rezistente, por është e rëndësishme që kjo lloj rezistencë transmetohet vetëm në pasardhësit, por nuk përhapet tek fqinjët. Si pasojë e mutacionit mund të kemi ndryshime strukturale qelizore që çojnë në papërshkueshmërinë e membranës për një antibiotik të caktuar ose mund të bëhet e pandjeshme ndaj antibiotikut enzima ku do të veprojë antibiotiku (adenopolimeraza, giraza), këtu kemi një mekanizëm pasiv të rezistencës. Mutacionet shfaqen spontanisht dhe me shpejtësi të ndryshme në vartësi nga bakteri, kështu stafilokoku për rimfapicinën mund të krijoj një shtam rezistent në 1000 mikrobe, kurse po këto baktere ndaj betalaktamikëve mund të krijojnë mutacione me rallë një në 1000000-1000000000. Antibiotiku nuk është direkt mutagjen, por lejon seleksionimin e mutanteve rezistent brenda gjirit të një popullate të ndjeshme. Ky mutacion është i qëndrueshëm dhe i trashëgueshëm. Kjo lloj rezistence nuk është e rëndë në terapi dhe nga ana tjetër kjo lloj rezistence mund të kufizohet nga kombinimi me antibiotikë të tjerë. Mikrorganizma të tjerë që mund të provokojnë rezistencë janë: bacilli kok, gjithashtu kinolonet ndaj stafilokokut dhe pseudomonasit.

Tre rregullat
Mos përdorni antibiotikë në rastet e infeksioneve të shkaktuar nga viruset, si ftohja
Mos përdorni sasi më të vogla se ato të këshilluara nga mjeku
Mos e ndërprisni kurën para shërimit të plotë apo para periudhës së përshkruar nga mjeku

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›