Ekuivalentimi, MASH nxjerr listën e diplomave të përfunduara në janar 2010
Jonida Tashi
Ministria e Arsimit publikon listën e diplomave të huaja që janë ekuivalentuar nga ky dikaster në muajin janar. Bëhet fjalë për 33 aplikantë, për të cilët, procesi i njohjes së diplomës së fituar jashtë vendit ka përfunduar në 15-ditshin e dytë të muajit janar. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Ministria e Arsimit, e cila ka publikuar dje listën e aplikantëve që u është kryer njohja e diplomës në janar. Tashmë, kandidatët që iu është ekuivalentuar diploma e huaj edhe në vendin tonë, duhet të paraqiten pranë Ministrisë së Arsimit, për të tërhequr certifikatën e njohjes.
Udhëzimi
Ministria e Arsimit ndryshoi në muajt e fundit të vitit 2009, procedurat dhe afatet për njohjen e diplomave ose certifikatave të huaja edhe në vendin tonë. Duke marrë shkas nga situata e krijuar në vite, ku një pjesë e madhe e diplomave të huaja rrinin “stok” në Ministrinë e Arsimit, pasi nuk u vinte radha për konvertim, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka vendosur që këto diploma të kalojnë në filtrin e njohjes brenda një kohe të shkurtër. Me ndryshimet e reja, e gjithë procedura e njohjes së diplomave dhe certifikatave do të përfundojë brenda 45 ditëve, nga dita kur dosja për aplikim është e plotësuar me dokumentacion e kërkuar. Dosja e aplikantit do t’i paraqitet Komisionit të Njohjes jo më vonë se 35 ditë nga mbërritja e saj në MASH, kur ajo është e plotë. Brenda një jave nga marrja e dosjes, Komisioni i Njohjes, mund të marrë vendim sipas përcaktimeve për njohjen e diplomës, ose mund të vendosë t’ia kthejë dosjen SENJOD-it për plotësime të nevojshme në dokumentacion. Po ashtu, aplikanti ka të drejtë të bëjë ankim me shkrim te ministri i Arsimit. Ankuesit i kthehet përgjigje brenda 30 ditësh nga data e paraqitjes së ankesës.
Dokumentet
Dosja e aplikimit për njohje diplome duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme: formatin e aplikimit të plotësuar; diplomën ose certifikatën ose vërtetimin e diplomimit; listën e notave ose suplementin e diplomës; dokument zyrtar identiteti: fotokopje e pasaportës dhe kartës së identitetit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj; Mandat-pagesën. Tarifa për procedurat e njohjes është 2500 lekë. Dokumentet pranohen origjinalë ose fotokopje të noterizuara. Dokumentet për shtetasit e huaj, duhet të jenë me përkthim të vërtetuar. Të paktën një nga dokumentet bazë që konfirmon diplomimin apo mbarimin e suksesshëm të kursit të studimit që do njihet, duhet të jetë i legalizuar me Vulën Apostille ose nga Ambasada Shqiptare, ose nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. Në rast pamundësie të marrjes së legalizimit, aplikimi do të pranohet edhe pa dokument të legalizuar dhe do të procedohet sipas përcaktimeve të tjera.
4 Shkurt 2010