E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT publikon koston e një operacioni në QSUT sipas sëmundjeve

Eljona Lata

Gjatë analizës vjetore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, zbardhet kostoja mesatare për një pacient që kryen operacion sipas pavioneve ku është bërë ndërhyrja. Sipas një përllogaritjeje që kanë bërë specialistët, një ditë shtrimi në spital i kushton shtetit një kosto mesatare prej 10.471 lekë. Ndërsa ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili i ka kërkuar stafit mjekësor të QSUT të menaxhojë sa më mirë barnat e shtrenjta. Kjo për shkak të kostove të mëdha që i kushton shtetit. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i QSUT, Ilir Dashi, e cilësoi të nevojshme për vitin 2010 përmirësimin e shërbimit në urgjencat e qendrës spitalore. Zyrtarët e lartë të shëndetësisë theksuan se gjatë vitit 2009 në QSUT ka pasur shifra të larta shtrimesh dhe operacionesh nga rrethet, gjë e cila do të ndryshojë për vitin 2010.
Kostot
Në analizë është bërë vlerësimi i kostos të një pacienti për 11 muaj. Sipas të dhënave, koston mesatare më të lartë të operacionit për një pacient e ka neurologjiku, me një shifër prej 89389 lekë. Ndërsa koston më të ulët të operacionit për një pacient e kap psikiatria me 35230 lekë. Përsa i përket kostos mesatare më të lartë të një ditë për një pacient të shtruar e ka pavijoni i onkologjikut me vlerë 18943 lekë. Kurse koston më të ulët për një pacient të shtruar për një ditë e ka pavijoni i psikiatrisë me vlerë prej 3122 lekë. Gjatë analizës vjetore të punës së spitalit më të madh në vend, Vasili ka deklaruar se sugjerimi i këtyre medikamenteve nga disa mjekë të QSUT i detyron pacientët të shpenzojnë ndonjëherë më shumë nga ç’duhet. “Ka një tendencë e cila nuk është për t’u kritikuar për të sugjeruar barnat e shtrenjta, të cilat janë avangardë e listës së barnave. Kjo do të na çonte në kosto shumë të mëdha si për spitalin dhe pacientin. Duhet të kursejmë me nikoqirllëk medikamentet dhe gjithçka që ofron QSUT pasi në çdo çast duhet të mendojmë se janë para që duhet të rrisin cilësinë e shërbimit në QSUT dhe jo të shtojnë hendekun mes pacientit dhe spitalit”, u shpreh Vasili.
Shërbimet
Gjatë vitit 2009 numri më i madh i shtrimeve rezultoi në urgjenca rreth 27 641 pacientë. Sipas drejtorit Dashi, ky vit ka qenë me esencial për sa i përket shërbimeve shëndetësore dhe ky fakt konfirmohet me largimin e gripit të derrit. Megjithëse spitalet kanë shumë punë për të bërë, ku ka veçuar sistemin konsultativ dhe mbajtja e hapur e pajisjeve ekzaminimit të do jenë prioritetet kryesore për 2010. Ministri Vasili është shprehur se problem ngelen spitalet rajonale, megjithëse kanë teknikat e nevojshme një pjesë e pacientëve drejtohet në spitalin e Tiranës duke sjellë mbipopullimin. Zyrtarët e lartë të shëndetësisë theksuan se gjatë vitit të kaluar në QSUT ka pasur shifra të larta shtrimesh dhe operacionesh nga rrethet, gjë e cila do të ndryshojë për vitin 2010. “Është e patolerueshme fenomeni i urgjencave të mbipopulluara siç ka ndodhur këto 2-3 muaj si pasojë e mbylljes së dyerve të konsultave në QSUT. Në pritje të përfundimit të spitalit të ri në QSUT, ne do të përmirësojmë shërbimin e urgjencës duke e pajisur atë me disa aparatura që mbahen mbyllur nga mjekët pas përfundimit të orarit zyrtar”, tha Dashi. Vasili dhe Dashi njëzëri u kërkuan mjekëve që të zbatojnë sistemin e referimit e të respektojnë natyrën e punës në qendrën universitare e cila është e nivelit terciar.

Box
20 diagnozat me të shpeshta gjatë vitit 2009
Kanceri i gjirit 284 Gripi 606
Katarakti 1776 Insuf. Kr. Renale 594
Gastroenteriti 1603 Epilepsia 572
Diabetis mellitus 1125 Iskemi Cerebrale 563
Apendiciti akut 1122 Astma Bronkiale 557
Kalkuloza biliare 1062 Kanceri i Lekures 547
Bronkopneumonia 1035 Tonsiliti dhe Adenoidet 536
Sem. Isk. të zemrës 931 Tumore te ovarit 535
Hernie Inguinale 746 Infarkti i miokardit 519
Leukemia Limfoide 634 Kardiopatia hipertensive 499

Investimet Buxhetore gjatë vitit 2009
Emertimi i projektit Vlera financuar
Pajisje mjekesore dhe hotelerie për Spitalin e Ri 652 343 862
Blerje aparatura mjekësore 16 200 000
Rikonstruksioni Neurokirurgji 52 788 436
Rikonstruksioni Pediatri 58 261 295
Shtrimi i magjistralit 20 KV 3 701 329
Supervizion dhe kolaudim 2 621 000
Leja e ndërtimit Spitali i Ri 54 902 628
Pajisje hotelerie për Pediatrinë 5 744 760
Garancia për Rikonstruksionin e sallës së Urologjisë 859 763
EKG për Kardiologjinë (detyrim pagesë) 4 160 000
Totali 851 483 073

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›