E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimi parauniversitar, nis mësimi më lëndët në CD

Autori i Lajmit: red.
Rreth 2.000 laboratorë virtualë kanë nisur të vendosen në shkollat e arsimit parauniveritar në bazë të një projekti me vlerë 1 milionë euro. Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes tij, synon plotësimin e laboratorëve të informatikës në shërbim të nxënësve. Shpërndarja e tyre nisi të premten, fillimisht në shkollën "Sabaudin Gabrani" në Tiranë. Drejtori i Informacionit dhe Statistikës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Përparim Shera, u shpreh për mediat se pajisjet kompjuterike fillimisht po shpërndahen në shkollat e kryeqytetit dhe në ditët në vijim, dhe në të gjitha shkollat e vendit. “Sot filloi zbatimi i fazës së parë të shpërndarjes së 2 mijë laboratorëve virtualë në shkollat e arsimit parauniversitar. Një set pajisjesh elektronike do të shpërndahen në shkolla, në përbërjen e të cilëve do të ketë: 1 Lap-Top, 1 video projektor dhe një CD multimediale me programe dixhitale, module mësimore elektronike të lëndëve të ndryshme, që mësuesit do t i përdoren në proçesin e mësimdhënies, ku lëndët fillestare në CD do të jenë të parat Matematika, Fizika, Kimia”, tha Shera. Pajisja e shkollave të arsimit bazë dhe të mesëm me laboratorë virtualë është pjesë e objektivave kryesore të MASH për përmirësimin e vazhdueshëm të teknologjisë së informacionit në arsim. Nga ky projekt do të pajisen 1.081 shkolla sipas një plani që shtrihet në të gjithë njësitë vendore në vend. Shpërndarja e set-eve do të kryhet sipas kritereve të paracaktuara nga numri i klasave dhe nxënësve në shkolla, deri maksimumi në 6 laboratorë virtualë për shkollë. Për shkollat në qytetin e Tiranës, Durrësit dhe zonat rurale janë në dispozicion 360 laboratorë virtualë. Përmes këtij projekti, MASH synon zgjerimin e përmbajtjes multimediale në shkolla për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies. Shumë shpejt, pritet që të zgjerohet përmbajtja e programeve dixhitale me module të tjera arsimore, të shqipëruara dhe moduluara, në përputhje me kurrikulën mësimore. Ndërkohë, Instituti i Kurrikulës dhe Standardeve ka nisur trajnimin e mësuesve për përdorimin e laboratorëve virtualë dhe deri sot, janë trajnuar mbi 700 mësues në Tiranë dhe rrethe të tjera.
Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›