Arsimi parauniversitar, nisin të hënën regjistrimet në shkolla
Ministri i Arsimit mbledh drejtorët e arsimit në rrethe për vitin e ri shkollor. Tafaj: Bursa për konviktorët e shkollave profesionale
Ditën e hënë të javës që vjen, të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar duke filluar që nga çerdhet, kopshtet dhe shkollat, do të hapin dyert për të regjistruar nxënësit. Sipas afateve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, regjistrimet do të fillojnë ditën e hënë më 29 gusht, ndërsa më 12 shtator do të nisë viti i ri shkollor. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në një takim me drejtorët e drejtorive arsimore kërkoi që të rritet numri i nxënësve që zgjedhin shkollat profesionale, pasi tregu i punës ka kërkesa për të rinj që janë të specializuar në turizëm, ndërtim, agrikulturë, etj. “Treguesi i regjistrimit është i pakënaqshëm. Tregu i punës kërkon gjithnjë e më shumë mjeshtra dhe teknikë për turizmin, industrinë, agrikulturën, teknologjinë dhe informacionin, etj”, - deklaroi Tafaj. Më tej ai është shprehur i kënaqur për regjistrimet gjatë viti të kaluar shkollor, që sipas kreut të arsimit, shënuan një rritje me 13% më shumë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, treguesi i regjistrimeve në arsimin profesional është ende i pakënaqshëm, por sipas minsitrit të Arsimit, ekzistojnë të gjitha kapacitetet që ky tregues të rritet këtë vit. “Të gjithë nxënësit konviktorë që studiojnë në degët e teknologjisë së informacionit, bujqësisë, ndërtimit dhe të pyjeve përfitojnë bursë. Arsimi profesional u krijon mundësi të rinjve që të krijojnë biznesin e tyre menjëherë pas shkollimit. Qeveria do të stimulojë me përparësi bizneset e krijuara nga të rinjtë që kanë përfunduar arsimin e mesëm profesional”, - tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ndërkaq, vitin e ri shkollor do të hapen edhe 200 klasa të reja për sistemin parashkollor, i cili është i domosdoshëm për fëmijët 5-vjeçarë. “Synojmë të hapim klasa dhe grupe të reja, për këtë do shfrytëzojmë kopshtet ekzistuese dhe shkollat e ciklit të ulët”, - saktësoi Tafaj. Më tej ai ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë regjistrimit të fëmijëve që vijnë nga familjet e varfëra dhe ato rome, pasi një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve nuk kanë mundësi të frekuentojnë arsimin bazë. Po ashtu, ministrit Tafaj u shpreh se janë ngritur 48 shkolla publike dhe jopublike profesionale, si dhe është zgjidhur problem i strehimit për nxënësit nga zonat e largëta.