E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, kryhet operacioni i rrallë në tru

SHKRUAN: Jonida Tashi 27-08-2011 12:18

Ndërhyrja e parë në tru me anë të pajisjes më të re, neuronavigator që është unikale në vendin tonë ka rezultuar e sukseshshme. Drejtuesit e QSUT-së dhe shefi i Neurokirurgjisë, Mentor Petrela sqaron se bashkë me mjekët në sallë për ndërhyrjet e vështira në tru hyjnë dhe robotët, të cilët dirigjojnë kirurgët. Kjo pajisje është fjala e fundit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet më të zhvilluara të botës. Mjekët e Shërbimit të Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kryer ndërhyrjen e parë nëpërmjet aparaturës së neuronavigatorit. Kjo ndërhyrje e cilësuar e rrallë për vetë faktin se kryhet vetëm në disa klinika europiane, për mjekët e QSUT-së është një suskes i radhës. Prof.Mentor Petrela, i cili ka qenë në krye të ekipit të mjekëvë kirurgë ka theksuar se pacientja e parë, e cila i është nënshtruar kësaj ndërhyrje është një qytetare nga Kosova, e cila pasi kishte kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e rajonit ka kryer operacionin në QSUT. “Pacientja kishte një tumor në tru, me një masë që shkonte deri në 1 centimër/kub, por në një zonë shumë të vështirë. Me anë të rezonancës ne kemi lokalizuar tumorin dhe më pas është kryer ndërhyrja me neuronagivator. Ky i fundit na tregon rrugën se ku duhet të ndërhyjmë, sa është hapësira për të ndërhyrë, duke mos lejuar asnjë gabim mjekësor, por edhe duke mos bërë një prerje të madhe në kokë”, - ka pohuar shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrla. Sipas tij, nga 1100 deri në 1500 ndërhyrje që kryhen çdo vit në këtë shërbim, rreth 20 % e tyre kanë nevojë për neuronavigator. Nga ana tjetër, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka pohuar se për të gjithë ata mjekë dhe profesorë do të ketë mbështje, në mënyrë që ndërhyrje të tilla të realizohen për të gjitha kategoritë e pacientëve. Kurse investimet e fundit të bëra në Neurokirurgji, ai i ka cilësuar si një arritje për mjekësinë shqiptare. “Ky projekt përfundon me arritjen e akseleratorit, që është pajisje që futet dhe do të trajtojë tumoret me metodën më të mirë”, - tha Ivziku. Nëpërmjet këtij investimi, për herë të parë pacientëve që i drejtohen Shërbimit të Neurokirurgjisë në QSUT u mundësohet trajtimi i sëmundjeve tumorale me precizion të lartë dhe efekte anësore minimale, duke përdorur akseleratorët linearë. Shërbimi i Neurokirurgjisë, sipas Ivzikut, tashmë nuk ka asnjë diferencë me simotrat e tij në vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian. Sipas tij, mund të themi që neurokirurgjia operon tashmë me teknologjinë më të avancuar, çka do të thotë cilësi më e mirë shërbimi për pacientët.

Petrela

“Pacientja kishte një tumor në tru, me një masë që shkonte deri në 1 centimër/kub, por në një zonë shumë të vështirë. Me anë të rezonancës ne kemi lokalizuar tumorin dhe më pas është kryer ndërhyrja me neuronagivator. Ky i fundit na tregon rrugën se ku duhet të ndërhyjmë, sa është hapësira për të ndërhyrë, duke mos lejuar asnjë gabim mjekësor, por edhe duke mos bërë një prerje të madhe në kokë”

Transplantet

Procedurat për ndërhyrjet e reja

Pas përfundimit me sukses të tranpslantit të dytë të veshkës, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka sqaruar procedurat që do të ndiqen për këto ndërhyrje. Drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, dje, në një konferencë për shtyp ka folur në lidhje me vazhdimin e transplanteve. Sipas tij, në muajin tetor pritet që të nënshkruhet sërish një marrëveshje me Italinë për regjistrimin e vendit tonë në Rrjetin Mesdhetar të Transplanteve. “Operacioni i dytë u bë pas një pauze 2-vjeçare, por përpara se të bëheshin këto ndërhyrje ka qenë projekti i INTERREG, disa milionë euro, i cili bëri të mundur investimet në pajisje, rregullimin e sallës, trajnimin e stafit si dhe shkëmbimin e informacionit mes Shqipërisë dhe Italisë. Transplanti është një eveniment shumë i rëndësishëm jo vetëm për institucionin tonë, por edhe në nivel kombëtar, pasi tregon që stafi i QSUT-së i ka të gjitha mundësitë për të bërë ndërhyrjet edhe të këtij niveli”, - është shprehur Ivziku. Më tej, ai ka thënë se çështja që shtrohet sot është se çfarë do të ndodhë më pas? Dhe kësaj pyetje ai i është përgjigjur se do të vazhdojnë përgatitjet për ndërhyrjet e ardhshme, ku do të ketë një bashkëpunim me Italinë. Ky fakt, sipas Ivzikut, konfirmohet nga vetë ministri Vasili, i cili gjatë vizitës së zhvilluar së fundmi në Itali ka rënë dakord që në muajin tetor të këtij vitit, të nënshkruhet një marrëveshje që në thelb të ketë përfshirjen e Shqipërisë në Rrjetin Mesdhetar të Transplanteve. Sipas drejtorit të QSUT-së, kjo është shumë e rëndësishme dhe pritet që t’i japë një hapësirë të re trajtimit të pacientëve, por edhe shkëmbimit të informacionit që nga risitë e deri tek trajtimi i rasteve të veçanta. Ndërkaq, Izviku ka bërë të ditur se janë përcaktuar hapat për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Transplanteve, për të bërë të mundur regjistrimin e pacientëve në bazë të rregullave të përcaktuara, duke pasur parasysh dhuruesit. Në të njëtjën kohë do të ngrihet edhe një Komision Kombëtar për Çështjen e Tranplanteve. Sipas tij, këto iniciativa dhe nisma ligjore pritet që të sjellin një zhvillim të ri në fushën e transplanteve në QSUT.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›