Dogana zero për tekstilet shton punën për fasonet
Heqja e tarifës doganore për lëndët e para të konfeksioneve dhe produkteve të gatshme të veshjeve po sjell efektet e para pozitive për këtë industri. Kryetari i Shoqatës së Fasonëve, Gjergji Gjika, tha se këto efekte do të shihen në vijim në rritjen e cilësisë së prodhimit dhe kapaciteteve. Sipas Gjikës, në të ardhmen e afërt pritet të hapen vende të reja të punës, si dhe të rriten të ardhurat në euro për kompanitë që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor. Gjika shtoi se kjo masë lehtësuese fiskale pritet të ndikojë edhe në futjen e më shumë produkteve në tregun vendas. Kriza ekonomike dhe politike që ka prekur disa nga shtetet në veri të Afrikës, ka bërë që shumë investitorë nga vendet e BE të lidhin kontratat me fabrikat e tekstileve në Shqipëri. Sipas fasonistëve, Shqipëria është favorite si nga afërsia gjeografike, ashtu edhe si vend me eksperiencë tashmë në këtë fushë. Të mërkurën e kësaj jave tarifat doganore për veshjet u bënë 0 për qind nga 10 për qind që ishin më parë. Masa u mor gjatë miratimit të paketës fiskale për këtë vit dhe ishte një detyrim në kuadër të MSA për liberalizimin e tarifave doganore me BE.