E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi parauniversitar, nxënësit mbetës një vit stazh

Autori i Lajmit: red.
Nxënësit e vitit të parë të arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe ata të klasave VIII në arsimin bazë, që janë mbetës, do të kalojnë në stazh për një vit. Burime zyrtare të Drejtorisë Arsimore Tiranë (DAR), bënë të ditur dje se ata gjimnazistë të vitit të parë, që këtë vit nuk arritën ta kalonin klasën, nuk mund t u bashkohen moshatarëve të tyre vitin e ardhshëm shkollor, pasi nuk do të ketë vit të parë, por klasë IX. Të dhënat e kësaj drejtorie tregojnë se mbetës janë rreth 427 nxënës të klasave VIII dhe 1042 nxënës të viteve të para në Tiranë. Nga ndryshimet e publikuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, këta nxënës do të mund t i japin vetëm provimet në të cilat kanë mbetur, në periudhën nga 10-25 prill të 2009-ës. Më pas këta nxënës mund të fillojnë vitin shkollor vetëm në vitin 2009-2010, kur brezi i parë i sistemit 9-vjeçar që do të aplikohet, të hyjë në vitin e dytë të gjimnazit. Nxënësit që do të rezultojnë kalues në provimet e mbartura do të regjistrohen në klasën X, që me strukturën e re të këtij viti shkollor do të jetë viti i parë i shkollës së mesme. Nxënësit, që sërish do të rezultojnë mbetës, mund të kalojnë për të kryer shkollën e mesme në sistemin e shkollave me kohë të shkurtuar.
Ky ndryshim është bërë për shkak të ndryshimit strukturës së sistemit arsimor parauniversitar, ku sistemi 8-vjeçar bëhet 9-vjeçar dhe shkolla e mesme ka tre vite dhe jo katër.
Ky lajm është publikuar: 08/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›