E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja Godo, marrëveshje bashkëpunimi me spitalet spanjolle

Autori i Lajmit: red.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë një takimi pune të zhvilluar dje me ambasadorin e Spanjës në vendin tonë, Manuel Montabbio, mori konfirmimin se qeveria e Spanjës është e gatshme të bashkëpunojë me Shqipërinë në fushën e shëndetësisë, bëri të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë takim, ministrja Godo u njoh nga afër me projektin dhe synimet e zhvillimit të këtij bashkëpunimi që pritet të avancojë dhe të modernizojë sistemin tonë shëndetësor. Manuel Montabbio, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e mjekësisë midis dy vendeve, ku veçanërisht ky bashkëpunim konsiston në eksperiencën shumë të mirë në fushën e shëndetit për nënën dhe fëmijën. Ministrja Godo falënderoi në emër të MSH-së, ambasadorin spanjoll për bashkëpunimin dhe ndihmën e Spanjës, duke theksuar historinë e gjatë të këtij bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë. Ajo propozoi lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis ministrive të Shëndetësisë të të dy vendeve, si një hap drejt institucionalizimit dhe formalizimit të bashkëpunimit të deritanishëm, në shërbim të pacientit shqiptar. Për këtë, Montabbio shprehu mbështetjen e tij dhe besimin se kërkesa për bashkëpunim mes dy vendeve do të ketë një reagim pozitiv nga Ministria e Shëndetësisë në Spanjë.
Ky lajm është publikuar: 08/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›