E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët në Itali, më shumë lehtësira për lëvizjet

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Ambasada italiane në Tiranë ka njoftuar se emigrantët shqiptarë, të cilët janë ende në procesin e rinovimit të lejes së qëndrimit të tyre mund të kthehen në Shqipëri në sajë të disa lehtësirave. Sipas burimeve thuhet se Ministria e Brendshme Italiane arriti të fitojë sërish nga Këshilli dhe Komisioni i Bashkimit Evropian krijimin e lehtësimeve për të lejuar transitin në shtetet anëtare të BE-së. “Ky lehtësim është i vlefshëm nga 1 gushti 2008 deri më 31 janar 2009 dhe do të aplikohet vetëm për qytetarët e huaj që në ardhje nga Italia apo të drejtuar drejt Italisë zotërojnë, në momentin e transitit në zonën “Shengen”, dokumentet që vijojnë: kuponin e lëshuar nga Posta italiane S.P.A. që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit, pasaportë në periudhë vlefshmërie, lejen e qëndrimit të skaduar”, - thuhet në komunikatën e ambasadës italiane në Tiranë. Sipas këtij njoftimi, shtetasit e huaj që janë në pritje të lëshimit për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, për punë të pavarur ose për bashkim familjar, mjafton që të respektohen disa kushte që Këshilli Evropian ka vendosur dhe ata mund të kthehen në vendlindjen e tyre pa qenë e nevojshme për një vizë rihyrjeje. Kushtet që ata duhet të plotësojnë janë: dalja dhe rihyrja në Itali të bëhet nga e njëjta pikë kufitare, udhëtimi të mos parashikojë transit nëpër vendet e tjera “Shengen”, i huaji të paraqesë pasaportën bashkë me vizën e hyrjes për të bërë të qartë arsyen e qëndrimit të tij dhe kuponin e postave italiane S.P.A, që vërteton kërkesën e bërë për lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit. Dhe, së fundi, personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit bashkë me kuponin në momentin e daljes dhe të rihyrjes në Itali.

Ky lajm është publikuar: 08/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›