Arsimi profesional, tekste të posaçme për nxënësit
Nxënësit e shkollave profesionale në të gjithë vendin, për herë të parë, vitin e ri shkollor, do të mësojnë me tekste të posaçme, duke iu përshtatur profilit që ata kanë zgjedhur. Ky fakt është bërë i ditur dje nga këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, i cili ka shpjeguar risitë e vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave për tekstet shkollore. Sipas Kristiqit, Ministria e Arsimit plotëson këtë vit shkollor një boshllëk të ndjeshëm për pajisjen me tekste për disa kategori të veçanta të shkollave tona dhe të fëmijëve të popullsisë shqiptare, si dhe plotëson disa standarde të Komunitetit Europian. Ndërkaq, këshilltari i ministrit Tafaj shpjegon se cilët janë përfituesit nga këto risi. “Shkollat profesionale do të fillojnë të kenë librat e tyre. Shteti shqiptar merr përsipër të furnizojë me libra falas, të hartuara plotësisht për këtë qëllim, fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në vende të huaja dhe nuk dinë ose dinë fare pak gjuhën shqipe. Shteti shqiptar merr përsipër të furnizojë me libra falas të gjithë fëmijët e verbër të klasave nga 1-9 kudo që janë, në shtëpi apo në institucionin shkollor të veçantë për këtë kategori nxënësish. Shteti shqiptar merr përsipër të furnizojë me tekste shkollore falas të gjithë fëmijët romë në Republikën e Shqipërisë”, - ka pohuar Kristiqi. Sipas tij, që të katër këto probleme ka një kohë të gjatë që kanë qëndruar pa zgjidhje të qëndrueshme dhe ligjore. Por, në kuadrin e reformimit të vazhdueshëm të arsimit parauniversitar, sidomos të arsimit profesional, ku dhe prioritetet janë më parësore, Jovan Kristiqi ka theksuar se synojmë të ngremë cilësinë në arsimin profesional dhe të përgjithshëm. Për këtë, ai është shprehur se “do të shfrytëzojmë të gjitha rezervat tona të brendshme, për të zgjidhur këto problem të rëndësishëm të arsimit profesional. Duke qenë i ndërgjegjshëm se që të katër këto probleme nuk është e lehtë për t’i zgjidhur, sepse janë tekste shkollore që kanë kryesisht tirazh të vogël, për rrjedhojë edhe kostoja e prodhimit të tyre del e shtrenjtë, këshilltari i ministrit Tafaj ka bërë të ditur se janë gjetur mënyrat për ta reduktuar këtë kosto. Në lidhje me librat që Ministria e Arsimit dërgon jashtë vendit për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, Jovan Kristiqi ka pohuar se edhe këtë vit shkollor janë dërguar mbi 7000 libra në Greqi, Itali, Angli. Ai shpjegon se librat e dërguar kanë qenë kryesisht për fëmijë shqiptarë pa ndonjë trajtim specifik, metodik të veçantë dhe që përbënin një vështirësi për fëmijë që nuk dinin gjuhën shqipe. “Në datën 2 prill ne presim nga botuesit që të sjellin libra të ndërtuar plotësisht për këtë qëllim. Këta botues kanë pasur një periudhë kohore gati 1-vjeçare për përgatitjen e tyre”, - është shprehur Kristiqi. Më tej ai ka folur edhe për edukimin e fëmijëve romë, që ka qenë një përparësi e punës së organeve drejtuese të arsimit në Republikën e Shqipërisë, e drejtorëve dhe mësuesve të shkollave ku ata bëjnë pjesë. Kurse për fëmijët e verbër, Kristiqi ka pohuar se bëhet fjalë për libra të alfabetit “Brail”, me të cilët mësojnë këta nxënës. Sipas tij, këta fëmijë që janë inkuadruar në institucionin përkatës, i kanë pasur këto libra, por vendimi i fundit i qeverisë e shtrin efektin edhe për fëmijë që nuk përfshihen në këtë institucion. Të gjitha këto risi për tekstet shkollore, sipas këshilltarit të ministrit të Arsimit, janë disa masa që do të ndikojnë në rritjen e cilësisë në shkollat profesionale dhe në zbatimin e disa detyrimeve të rëndësishme që ka qeveria shqiptare ndaj disa shtresave të caktuara të popullsisë.
Risitë e vendimit për tekstet
1. Shkollat profesionale do të fillojnë të kenë librat e tyre.
2. Shteti shqiptar merr përsipër të furnizojë me libra falas, të hartuar plotësisht për këtë qëllim, fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në vende të huaja dhe nuk dinë ose dinë fare pak gjuhën shqipe.
3. Shteti shqiptar merr përsipër të furnizojë me libra falas të gjithë fëmijët e verbër të klasave nga 1-9 kudo që janë, në shtëpi apo në institucionin shkollor të veçantë për këtë kategori nxënësish.
4. Shteti shqiptar merr përsipër të furnizoje me tekste shkollore falas të gjithë fëmijët romë në Republikën e Shqipërisë.