E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat shkollorë, nis gara e përzgjedhjes

SHKRUAN: Jonida Tashi 18-03-2011 11:55

Alterteksti, më 22 prill shpallen tekstet fituese. Këtë vit, shpërndarja e teksteve shkollore do të nisë në korrik deri më 25 gusht

Nis gara e përzgjedhjes së teksteve shkollore, për të cilat shtëpitë botuese do të kenë afat deri në datën 2 prill për të dorëzuar librat në Ministrinë e Arsimit. Komisioni për Miratimin e Teksteve ka shpallur tashmë kërkesën për tekstet shkollore, për vitin 2011-2012, dhe në mbështetje të paketës informuese “Altertekst 2010-2011” janë publikuar edhe kërkesat e afatet përkatëse. Kështu, për vitin shkollor 2011-2012, shtëpitë botuese kanë afat t’i dorëzojnë tekstet në Ministrinë e Arsimit deri në datën 2 prill, ndërkohë që mësohet se shpallja e tyre do të bëhet më 22 prill. Zyrtarisht sqarohet se për përzgjedhjen e teksteve për ribotim është përcaktuar periudha 1-25 mars i këtij viti. Sipas Komisionit për Miratimin e Teksteve, porositja e teksteve për ribotim do të kryhet nga data 28-31 mars, ndërsa procesi i përzgjedhjes së teksteve me alternativa të reja do të nisë nga data 10-25 maj. Krahasuar me përvojën e vitit të kaluar, kësaj radhe është vendosur që shpërndarja e tekstit shkollor të nisë në korrik deri më 25 gusht. Pas kësaj parashikohet që shitja e librave të mbetur stok, pra që nuk janë shitur brenda këtij afati, të shiten në libraritë e qyteteve përkatëse nga data 25 gusht deri më 15 shtator. Sistemi i sigurimit të teksteve shkollore të arsimit parauniversitar ka pësuar një ndryshim rrënjësor gjatë viteve të fundit krahasuar me vitin 2006, periudhë kur sigurimi i teksteve shkollore ishte i centralizuar. Një vendim i Këshillit të Ministrave në mars të vitit 2006 zyrtarizoi mënyrën e re dhe reformën në sigurimin e teksteve shkollore, Altertekst-in dhe ngritjen e Bordit të Miratimit të Teksteve pranë MASH, i cili aktualisht shqyrton paraprakisht të gjitha tekstet e propozuara nga botuesit dhe certifikon vetëm ato tekste që i paraqiten shkollës për përzgjedhje, sipas kritereve të përmbajtjes, cilësive teknike dhe çmimit. Që prej katër vitesh, tekstet shkollore nuk sigurohen më nga Ministria e Arsimit, por nga rrjeti i botuesve privatë. Si rrjedhojë, MASH nuk zotëron më të drejtën për të përzgjedhur në mënyrë përfundimtare tekstin që do të vendoset në bankën e nxënësve. Kjo e drejtë u ka kaluar mësuesve, që e përdorin tekstin me qëllim mësimin e nxënësve të tyre. Për këtë qëllim, lejohet që në vend të një teksti të detyruar nga MASH, mësuesit t’i paraqiten variante të ndryshme të përgatitura nga botues privatë, prej të cilave ai përzgjedh tekstet alternative.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›