Arsimi
Shkodër, nis sot mësimi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”
Nis sot procesi mësimor në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Me anë të njoftimit për shtyp, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar fillimin e mësimit për studentët, ndërsa ka deklaruar moshapjen e shkollës për nxënësit, për shkak s në konviktet e shkollave të mesme profesionale të Shkodrës janë të akomoduar ende banorë të zonave të përmbytura.
Shkolla
“Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve prej ditës së djeshme ka gati të gjitha mjediset e qendrës studentore për akomodimin e studentëve në konviktin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Ndërkohë në konviktet e shkollave të mesme profesionale të Shkodrës janë të akomoduar ende banorë të zonave të përmbytura. Për këtë shkak, Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se nisja e procesit mësimor për këto shkolla do të shtyhet brenda një afati tjetër”, -bëri të ditur zyra për shtyp në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Shtyrja
Ndërkohë që vendimi për shtyrjen e mësimit u mor nga MASH në ditët e para të janarit pas situatës së rënduar për shkak të reshjeve të dendura në Shkodër dhe Lezhë. Sipas urdhrit të ministrisë, studentët e “Luigj Gurakuqit” do të fillonin studimet më 15 janar për shkak se godinat e konvikteve do të përdoreshin për strehimin e familjeve të përmbytura nga reshjet. I njëjti lajmërim ishte i vlefshëm edhe për shkollat e mesme profesionale në këtë rreth. Mbi 100 familje gjetën strehë nga Shtabi i Emergjencave në këto godina, që janë parë nga qeveria si zgjidhje e momentit të kësaj situate. Por me njoftimin e ri të ministrisë, procesi mësimor ditën e sotme do të fillojë vetëm për universitetin. Kjo ka ardhur, pasi në konviktet e shkollave profesionale vazhdojnë të jenë të strehuar qindra banorë, shtëpitë e të cilëve janë ende të përmbytura dhe të pabanueshme.
Vlorë /Pedagogët e Universitetit “Ismail Qemali” hyjnë në grevë
Studentët e Universitetit të Vlorës janë përfshirë për të disatën herë në grevë, shkaqet e së cilës ata nuk i kanë të qarta, por këtë herë protagonistët e protestës janë pedagogët. Studentët e ardhur nga rrethinat e Vlorës janë vendosur përpara faktit të kryer të protestës, për të cilën shumë prej tyre nuk kishin idenë e shkaqeve, veç faktit që ajo organizohej nga pedagogët.
Pedagogët kanë hyrë në grevë pa afat, menjëherë pas një e-mail të dërguar nga rektori Tanush Shaksa. Ata kanë firmosur një peticion të drejtuar ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, ku i kërkohet promovimi i stafit për dhënien e titujve akademikë, hapja e programeve dhe degëve të reja, si dhe shtimi i auditorëve. Sipas zv.rektorit Eustrat Zhupa, greva do të zgjasë deri në plotësimin e tre kërkesave. "Theksojmë se protesta jonë nuk ka karakter politik, por akademik. Pedagogët dhe studentët e Universitetit të Vlorës kërkojnë të respektohet “autonomia dhe liria akademike” e parashikuar, ashtu siç parashikohet shprehimisht në Ligjin e Arsimit të Lartë. Ne nuk do lejojmë që të cenohemi nga burokratë që nuk kanë shkelur ndonjëherë në dyert e një universiteti dhe që akoma mendojnë se universitetet mund të përparojnë me diktat". Gjatë ditës së djeshme në Universitetin e Vlorës nuk është zhvilluar asnjë orë mësim, madje as edhe provimet që ishin në program.
Part-time /Mbyllet regjistrimi, UT shpall fituesit e fundit
Ka përfunduar paraditen e djeshme regjistrimi për kuotat e rialokuara në sistemin me kohë të pjesshme. Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë rezultuan pesë kuota të parealizuara, ndërsa në Fakultetin e Shkencave Sociale rezultuan katër kuota të parealizuara. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës u regjistruan të gjithë aplikantët e shpallur fitues, ndërsa Fakulteti i Drejtësisë dhe ai i Ekonomisë do të detajojnë paraditen e nesërme kuotat e mbetura bosh dhe aplikantët që do të kenë të drejtë të regjistrohen me uljen e vizës së fituesve. Gjeni poshtëshënuar pesë fituesit e rinj të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Pjesën tjetër të fituesve, Universiteti i Tiranës do ta bëjë publike nesër, kur do të afishohen edhe nëpër fakultete. Ndërsa në Fakultetin e Shkencave të Natyrës rezulton se të gjithë aplikantët janë regjistruar brenda numrit të kuotave dhe nuk ka pasur kërkesa të tjera të dokumentuara.
Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë
Gjeografi 3 vende bosh
1. Majlinda Stafa
2. Entela Bregu
3. Flutura Nonaj
Histori 2 vende bosh
1. Nure Liçaj
2. Hatixhe Kërtalli
Fakulteti i Shkencave Sociale
Pune Sociale 2 kuota të paplotësuara
Psikologji 2 kuota të paplotësuara
Tafaj në Angli /Abetare të veçantë për fëmijët në emigracion
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, mori pjesë në forumin botëror “Të mësuarit dhe teknologjia”, që u zhvillua në Londër me pjesëmarrjen e 75 vendeve të botës dhe ministrave të Arsimit. Gjatë vizitës së tij në Londër, ministri Tafaj u takua me Forumin e Komunitetit Shqiptar në Angli të përbërë nga 14 shoqata. Ata operojnë projekte të ndryshme për të gjithë komunitetin shqiptar jashtë atdheut, por kryesisht në shkollat shqipe atje. Pasi u njoh me situatën e mësimdhënies dhe mësimnxënies të fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Angli, ministri i Arsimit dhe Shkencës premtoi shumë shpejt përgatitjen e një teksti të veçantë për nxënësit shqiptarë atje. “Do të hartojmë me një grup ekspertësh, si dhe më angazhimin e mësuesve emigrantë, një tekst të veçantë dhe të mirëfilltë të librave të Abetares dhe Historisë së Shqipërisë, për të qenë sa më tërheqës për fëmijët që jetojnë dhe mësojnë jashtë Shqipërisë”, - tha Tafaj.