E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet

Këshilli i Qarkut Elbasan dhe Dhoma e Tregtisë dhurojnë 16 mijë euro

Në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti për të përmbyturit në zonat e Shkodrës dhe të Lezhës janë bashkuar edhe Këshilli i Qarkut Elbasan, komuna Bradashesh si dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e qytetit të Elbasanit. Kryetari i Këshillit të Qarkut Elbasan, Blendi Himçi, është shprehur se ndihma e parë, e cila do t’u shkojë këtyre banorëve, është 6000 euro, ndërsa po përgatiten të kontribuojnë edhe me një shumë tjetër. Gjithashtu, komuna e Bradasheshit në qytetin e Elbasanit, me vendim këshilli, do të kontribuojë me ndihma financiare dhe ushqimore për banorët që janë përmbytur në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Brenda mundësive të komunës e duke parë nevojat emergjente të banorëve, do të jepet një fond prej 10 mijë eurosh. Në këtë akt humanitar do të ndihmojnë të gjithë nëpunësit e komunës, biznesi, punonjësit e shëndetësisë, kryetarët e fshatrave, fermerët, mësuesit e të tjerë. Administrata e komunës do të kontribuojë me 1000 lekë të reja dhe aktorët e tjerë në varësi të mundësive. Gjithashtu, ndihmat nuk do të jenë vetëm monetare, por do të jepen 10 tonë ushqime, ndërsa vetë kreu i komunës Bradashesh, njëkohësisht dhe kryetar i Shoqatës së Komunave të Shqipërisë, Sabri Sallaku, do të vërë në dispozicion 50% të pagës së tij, kurse një thirrje për bizneset dhe qytetarët e Elbasanit ka bërë dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe e Industrisë Elbasan, Veli kazazi. Ai u ka rikujtuar subjekteve numrin e llogarive bankare ku mund të hedhin kontributin vullnetar për të shpërngulurit nga përmbytjet natyrore të qarkut të Shkodrës dhe të Lezhës.

Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” /Dhuron 10 mijë euro për të përmbyturit

Fondacioni "Fëmijët Shqiptarë", me presidente znj. Liri Berisha, ka vlerësuar me shqetësim situatën e krijuar prej kushteve të pazakonta klimaterike në zonat e qarkut të Shkodrës dhe atij të Lezhës. Në llogaritë e hapura nga qeveria shqiptare për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve dhe familjeve të prekura nga përmbytjet, ky fondacion kontribuon me një vlerë prej 10 mijë eurosh. Gjithashtu, fondacioni është angazhuar gjatë këtyre ditëve e në vijim për organizimin e aktiviteteve sensibilizuese për mbledhje fondesh të ndryshme në ndihmë të familjeve, pasi vlerëson se nevojat e tyre janë të shumta dhe emergjente. Fondacioni ka vendosur t'u qëndrojë pranë këtyre banorëve nga kjo katastrofë natyrore, me shpresën që kjo të lehtësojë sadopak dhembjet e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›