Duhanpirja /Masa ekstreme për shkeljet e dyfishta
Në qytetin e Elbasanit vendimi për ndalimin e pirjes së duhanit në mjediset publike duket se po gjen zbatim. Në të gjitha subjektet private dhe shtetërore janë bërë kontrolle intensive nga inspektorët e Shëndetit Publik dhe Policisë Bashkiake. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik, Bujar Kllogjeri, në institucionet jopublike, ky vendim ka gjetur zbatim, ndërsa në ato private ka pasur shkelje. Kllogjeri ka theksuar se në ato subjekte ku janë konstatuar shkelje të vendimit në fjalë, janë marrë masa në formën e gjobave. Shkeljet më evidente janë në lokale, ku treguesit janë negativë dhe vështirë të zbatohen. Por kreu i Shëndetit Publik thekson se kjo nuk i bën pesimistë në zbatimin e kësaj ndërmarrjeje nga qeveria. Masat kanë filluar të merren dhe vënia e gjobave në shuma të konsiderueshme nuk kanë munguar. Në disa subjekte ka pasur kundërshtime, por gjithsesi janë detyruar që të paguajnë gjobën e vënë prej inspektorëve. Nga vjelja e gjobave përfiton bashkia, pasi këto të ardhura financiare derdhen në arkën e pushtetit lokal dhe duhet theksuar se janë të konsiderueshme. Nëse një subjekt gjobitet për herë të dytë, atëherë masat do të jenë ekstreme, deri në mbylljen e subjektit përkatës. Kryesisht subjektet private do të gjejnë këtë rrugëzgjidhje, në ato shtetërore përgjegjësia i mbetet drejtuesit të institucionit. Deri më tani janë vënë mbi 50 gjoba dhe do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, por shkeljet në përgjithësi u përkasin subjekteve private, pasi në institucionet shtetërore ka pasur një sensibilizim të madh të qytetarëve dhe administratës përkatëse. Në çdo mjedis janë vënë tabelat kundër pirjes së duhanit dhe ndërmarrja e këtij vendimi nga qeveria do të gjejë zbatim.