Raporti i BSH-së: “Bankat nisin vitin me një nivel të ulët depozitash”
Shqiptarët kanë rrudhur paksa dorën në depozitimin e parave të tyre në banka. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e depozitave me afat në vitin 2008 arrinte vlerën në 262,261 milionë lekë. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë për muajin janar tregojnë një ulje të ndjeshme të kreditimit dhe depozitimit edhe për muajin e parë të vitit. Të dhënat e BSH-së tregojnë se depozitat në valutë në janar u rritën vetëm me rreth 60 milionë euro. Nga 1.917 milionë që ishin në dhjetor arritën në 1.973 milionë në janar. Por problem duket se është zhvlerësimi i lekut. Të dhënat tregojnë se shqiptarët po i dërgojnë më pak lekët në banka nga muaji në muaj. Kështu, nga 212,985 milionë lekë që ishte totali i depozitave në lekë në muajin dhjetor 2008, në janar 2009 arriti në 174,602 milionë lekë. Ulja e ritmit të depozitimit ka dy arsye. E para, frika nga lajmet jo të mira për sistemet financiare të vendeve të BE-së dhe SHBA-të dhe, e dyta, mungesa e kursimit ose më saktë varfërimi. Krahasuar me të dhënat e dy viteve më parë, vihet re një ngadalësim i ritmit të rritjes së depozitave. Peshën më të madhe në totalin e depozitave me afat e zënë depozitat e individëve. Krahasuar me vitin 2007, rritja e totalit të depozitave është në vlera të ulëta. Shkak për këtë është kriza globale. Gjatë muajve të fundit të vitit 2008, shumë individë, duke u ndikuar nga kriza ndërkombëtare, nisën të tërheqin paratë që kishin depozituar nëpër banka. Por këto tërheqje nuk ishin në vlera të mëdha. “Ritmi i depozitave me afat të individëve ka vijuar prirjen rritëse të gjysmës së parë të vitit, me përjashtim të dy muajve të fundit kur është shfaqur një ngadalësim i tij në rreth 15.6 për qind. Ecuria e depozitave me afat të bizneseve është karakterizuar nga një luhatshmëri e lartë. Zhvillimet e muajve të fundit në tregjet ndërkombëtare financiare janë shoqëruar me tërheqjen e një pjese të depozitave nga sistemi bankar si pasojë e pasigurive të krijuara”, - thuhet në raportin më të fundit të BSH-së.
Të dhënat e depozitave bankare tetor ’08 - janar ‘09
Depozitat në euro (në milionë)
Tetor Nëntor Dhjetor Janar
12-mujore 37 18 27 32
6-mujore 71 38 16 20
3-mujore 187 35 66 57
1-mujore 589 735 641 730
Llogari rrjedhëse 1,024 935 1,166 1,133
Totali 1,909 1,762 1,917 1,973
Depozitat në lekë (në milionë)
Tetor Nëntor Dhjetor Janar
12-mujore 7,675 4,499 9,034 13,920
6-mujore 5,195 4,069 5,219 5,176
3-mujore 6,647 4,228 7,296 12,691
1-mujore 7,731 10,280 8,473 12,268
Llogari rrjedhëse 31,835 121,031 182,470 129,733
Totali 159,487 144,353 212,985 174,602
4 Mars 2009