E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëngjet e rrezikshme të frutave pushtojnë dyqanet

Disa lloje të lëngjeve që prodhohen në Serbi,
e të cilat ishin bllokuar përkohësisht në tregun kosovar, për shkak të dyshimeve
se përmbajtja e tyre është e rrezikshme për shëndetin, kanë filluar përsëri të
qarkullojnë në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë.

Drejtori i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, Çaush Kabashi,
shpjegon arsyet e zhbllokimit të këtyre lëngjeve.

Mostrat e këtyre lëngjeve kanë qenë në super-analiza, si rezultat i kësaj,
disa prej tyre që kanë qenë në rregull, janë lejuar për qarkullim.

Që nga 7 janari, për shkak të dokumentacionit jo të rregullt, e kemi ndërprerë
importin nga Serbia. Deri në momentin që Serbia nuk i përgjigjet
dokumentacionit relevant, sipas ligjit, nuk do ti lejohet futja e lëngjeve në
Kosovë, thekson Kabashi.

Llojet e lëngjeve që prodhohen në Serbi, e që ishin bllokuar janë: Fruvita,
La Vita, Zdravo, "Takovo, Nektar.

Pjesa më e madhe e këtyre pijeve shiten lirshëm
në të gjithë Shqipërinë dhe sidomos në supermarketet që janë pronë e një kompanie
serbe.

Analizat e këtyre lëngjeve qenë bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë
Publike të Kosovës, me çrast disa nga këto produkte nuk përputheshin me
deklaracionin.

Mirëpo, importuesit e këtyre lëngjeve e shfrytëzuan të drejtën e tyre për të bërë
super-analizën e këtyre lëngjeve jashtë Kosovës. 

Drejtori i kompanisë Prizren Commerc, Florent Kabashi, thotë se veprimi i
institucioneve kosovare për bllokimin e këtyre mallrave ka qenë i
nxituar. 

Janë bërë analizat; është bërë edhe super-analiza. Të gjitha analizat kanë
qenë mirë. Këto analiza janë dërguar në agjencitë e ushqimit dhe të veterinës
në Shkup dhe Shqipëri.

Ky ka qenë vetëm një dëm për ne. Baza që ka thënë inspektorati sanitar që këto
lëngje janë kancerogjene, nuk vjen në konsiderim, thotë Kabashi. 

Kabashi tregon se gjatë javës së kaluar në Kosovë ka hyrë një sasi e lëngjeve
Nektar dhe Takovo dhe shitja e tyre po vazhdon me ritëm shumë të mirë.

Sidoqoftë, Aleanca Kosovare e Biznesit reagon pas një vendimi të tillë. 

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë se këto produkte, të cilave u është
lejuar hyrja në Kosovë, janë të papërdorshme në Serbi. 

Lobimi i përfaqësuesve të Serbisë në Kosovë, është bërë më i fuqishëm dhe ky
ka ndikuar që pas një muaji të ndryshojnë këto vendime, - citohet Shahni nga radio Evropa e Lirë.
Madje, të ndryshojnë edhe opinionet publike, në favor të prodhimeve të
Serbisë, gjë që shkon drejtpërsëdrejti në disfavor të prodhimeve të Kosovës dhe
në rrezikim të shëndetit të qytetarëve të Kosovës, shprehet Shahini.

Ky vendim i autoriteteve kosovare, thotë Shahini, e vë në dyshim tërë sistemin
e kontrollit sanitar në Kosovë. 

Megjithatë, ai thekson se e gjithë kjo mbetet në ndërgjegjen e qytetarëve të
Kosovës se a do ti konsumojnë prodhimet vendore, apo ato të Serbisë.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar-nëntor të
vitit që lamë pas, nga Serbia për në Kosovë janë importuar mbi 21 milionë litra
lëngje të prodhuara.

Derisa Serbia eksporton mallra në Kosovë, shteti i ri nuk mund të eksportojë
asnjë produkt të tij në Serbi. 

Madje, bizneseve kosovare nuk u lejohet që të kalojnë as transit me mallrat e
tyre nëpër territorin e Serbisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›