E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimtarët, konflikt për mungesat e nxënësve

Korçë, shkarkohen drejtuesit e një shkolle, se nuk pranuan të rikthenin pesë të përjashtuar

Nisja e provimeve të maturës ka futur në konflikt Drejtorinë Arsimore të Korçës me shkollën e mesme të njërës prej komunave të rrethit. Ka qenë një vendim për të rikthyer nxënësit e përjashtuar nga shkolla për arsye mungesash, që ka çuar në nisjen e konfliktit mes shkollës së mesme të Komunës së Lozhanit me drejtorinë arsimore të rrethit, që ka çuar dhe në pezullimin nga puna të drejtuesve të shkollës.

Drejtoria Rajonale e Arsimit (DRA) në Korçë, më datë 24 maj i ka kërkuar drejtorisë së shkollës së Lozhanit të lejojë futjen në provimet e maturës, të nxënësve të përjashtuar për arsye mungesash. Kanë qenë të paktën pesë nxënës që kanë plotësuar numrin e mungesave mbi 45 të lejuara dhe kanë përfituar nga urdhri i DRA-së. Por drejtoria e shkollës nuk e ka konsideruar normal një tolerim të tillë, në kushtet kur mësimi për këtë vit ka përfunduar dhe kur ka nisur tashmë sezoni i provimeve.

Vendimi i lëshuar më datë 24 maj, tri ditë pas mbylljes së vitit shkollor, ka ndezur konfliktet mes drejtorisë arsimore dhe shkollës së mesme të bashkuar.

Përplasja ka shkuar më tej deri në bllokimin e regjistrave nga një komision i dërguar nga DRA-ja e qarkut. Ky komision ka kërkuar të tërhiqet dokumentacioni nga shkolla pas inspektimeve, gjë që nuk është pranuar nga ana e drejtoreshës Marjana Misha. “Një vendim i Drejtorisë Arsimore kërkon nga shkolla e mesme e Lozhanit rikthimin në shkollë të nxënësve të përjashtuar për shkak të mungesave dhe pranimin e tyre në provimet e maturës. Ndërkohë që viti shkollor është mbyllur dhe vendimi ka ardhur më vonë kërkohet, duke bërë presione, që të përjashtuarit të pranohen dhe të bëhen ndryshime në regjistra edhe për kalueshmërinë, d.m.th. një nxënësi të katrës t’i shënohet 5-a notë kaluese dhe nga ana tjetër të hiqen mungesat. Kjo është antiligjore. Unë nuk e kam pranuar këtë vendim dhe bashkë me nëndrejtorin jemi pezulluar nga puna”, thotë Marjana Misha. Më tej ajo thotë se në kushtet kur është e pezulluar drejtoria e shkollës është marrë në dorëzim nga komisioni, ndërkohë që ajo ka refuzuar të dorëzojë regjistrat për llogari të inspektorëve.

Ekipi i Drejtorisë Arsimore nuk ka dhënë sqarime për këtë çështje, duke u shprehur se duhet të zbatojnë vendimin dhe se drejtoresha është pezulluar deri në një urdhër të dytë. Shkolla ka mbetur pa drejtues në sezon provimesh, ndërkohë që nga ana e Drejtorisë Arsimore të Korçës deklarohet se të përjashtuarit duhet të rikthehen bazuar në inspektimet që janë kryer më parë dhe për faktin se nuk është punuar mirë që këta pesë nxënës të ndjekin arsimin e detyrueshëm.

Sipas vendimit, drejtoria arsimore, shprehet veç të tjerash, se ai bazohet edhe në strategjinë e Ministrisë për “braktisjen zero” të arsimit, kusht që nuk është plotësuar nga ana e shkollës së mesme të bashkuar. Drejtoria që ka lëshuar këtë vendim nuk ka dhënë sqarime në rast se është e ligjshme futja në provime e të përjashtuarve nga shkolla dhe rikthimi i tyre kur kanë plotësuar numrin e mungesave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›