Tritol burrit për të ikur me dashnorin
Një 20-vjeçare, së bashku me dashnorin e saj 27-vjeçar, ka tentuar të ekzekutojë bashkëshortin, duke i vendosur në dy raste tritol, por fatmirësisht “preja” ka shpëtuar. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për Klodeta Metkolën dhe Lulzim Metën, të akuzuar për vrasje me paramendim, shkatërrim prone dhe armëmbajtje pa leje. Sipas kërkesës për gjykim, 20-vjeçarja Klodeta Metkola kishte lidhur kurorë me Enderim Lazajn. Ata ishin njohur me shkuesi dhe familjet i kryen të gjitha ritet tradicionale. çifti ende nuk kishte kryer celebrimin dhe gjatë kësaj kohe Klodeta njihet me Lulzim Metën dhe thurin plane për të eliminuar Enderimin.
NgjarjetSipas hetimeve të prokurorit Ervin Beqiri, rezulton se në datën 28 janar 2010, rreth orës 12.00, në Rrugën e Durrësit brenda në furgonin e shtetasit Enderim Lezaj me targa TR 0254 T është gjetur një sasi lënde eksplozive, e cila nuk ka shpërthyer. është gjetur një pako në formë cilindrike e mbështjellë me natriban të zi, ku pasi u hap kjo pako u konstatua se është një sasi pluhuri me ngjyrë të verdhë që dyshohet si lëndë eksplozive. Gjithashtu është konstatuar dhe një kapsollë elektrodetonatore. Në bazë të aktit të ekspertimit xhenier është konkluduar se lënda e gjetur ishte tritol.
Ndërkohë, në datë 21 shkurt 2010, rreth orës 18.30, në vendin e quajtur Rruga e Durrësit, kompleksi i Pallateve Malajziane, brenda në shtëpinë e shtetasit Enderim Lezaj është vendosur një sasi tjetër lënde eksplozive, ku pasi ka shpërthyer janë shkaktuar dëme të rënda materiale, ndërsa nuk ka pasur dëmtime në njerëz. Lënda eksplozive ka shpërthyer në momentin që Lezaj ka ngritur automatin e energjisë elektrike, pasi kishte konstatuar se apartamenti i tij nuk kishte energji, ndërsa apartamentet e tjera në pallat kishin. Edhe në këtë rast sasia ishte tritol në masën 500 gramë. Në bazë të aktit të ekspertimit xhenier është konkluduar se: Në të dyja rastet, lloji dhe sasia e lëndës plasëse është e ngjashme (tritol), në sasi rreth 500 gramë secila. Fijet e telit të marra në cilësinë e provës materiale në të dyja rastet janë të ngjashme, pra janë të kapsollave elektrike. Mekanizmi i shpërthimit është i njëjtë në të dyja rastet, me përdorim të energjisë elektrike.
Nga veprimet hetimore e operative të kryera në lidhje me këto dy ngjarje ka rezultuar se shtetasi Enderim Lezaj bashkëjetonte me të pandehurën Klodeta Metkola, me të cilën nuk ka lidhur martesë ligjore, por ka bërë dasmë tradicionale midis familjeve. Kjo martesë është bërë me shkuesi dhe ka pasur probleme të shumta në marrëdhëniet midis tyre. Sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë, Klodeta Metkola kishte filluar një lidhje intime jashtëmartesore prej disa vitesh me shtetasin Lulzim Meta dhe dyshohej se së bashku me të ishin autorët e ngjarjeve të mësipërme. Për këto arsye, janë vendosur në përgjim numrat telefonikë celularë të përdorur nga Klodeta Metkola dhe Lulzim Meta. Nga përgjimet e kryera rezultonte se këta shtetas kishin një lidhje dashurie me njëri-tjetrin dhe se dëshironin që të largoheshin e të jetonin së bashku, po që nuk mund ta kryenin dot, për shkak të disa problemeve e miqësive familjare. Njëkohësisht e pandehura Klodeta Metkola e informonte të pandehurin Lulzim Meta në lidhje me veprimet që kryheshin nga organi procedues për me ngjarjet.
Shoqërimi në policiProkuroria e Tiranës thotë se në datën 30 mars 2010, të pandehurit Lulzim Meta dhe Klodeta Metkola janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ku pasi janë ballafaquar me provat e mbledhura kanë pranuar se kanë qenë ata personat që kanë vendosur lëndën plasëse në ngjarjet e datave 28 janar-21 shkurt 2010. Ata kanë deklaruar se për shkak të kontradiktave midis shtetasve Enderim Lezaj dhe Klodeta Metkola kanë qenë të vazhdueshme, e pandehura Klodeta Metkola, së bashku me Lulzim Metën, kanë vendosur që të bënin diçka kundër Enderim Lezajt, me qëllim që ai të ikte nga Shqipëria dhe të ndahej nga Klodeta Metkola.
Fillimisht në datën 1 janar 2010, i pandehuri Lulzim Meta ka vajtur në derën e shtëpisë ku jetonte Enderim Lezaj, së bashku me të pandehurën, ku ka gërvishtur derën kryesore duke shkruar “do të djegim, e ke nga shoferët”. Kjo, duke pasur parasysh se Enderimi punonte si shofer furgoni në linjën Tiranë-Burrel dhe kishte disa kontradikta me shoferët e tjerë. Ndërkohë, në datën 28 janar 2010, i pandehuri Lulzim Meta, pasi ka siguruar më përpara një sasi lënde eksplozivi dhe pasi ka marrë edhe një kopje të çelësave të furgonit ka hapur mjetin dhe kofanon e saj dhe ka vendosur një sasi të lëndës eksplozive në motorin e furgonit. Më pas e ka kyçur furgonin dhe është larguar, ndërsa çelësin ia ka çuar të pandehurës. Në mëngjes lënda eksplozive nuk ka shpërthyer, pasi kapsollës detonatore nuk i është transmetuar energji elektrike. Si pasojë e vendosjes së lëndës plasëse, furgoni ka pasur probleme në mirëfunksionim e tij në sistemet e frenimit dhe drejtimit të mjetit. Më pas është gjetur tritoli në një servis.
Sipas prokurorisë, pas kësaj ngjarje, meqenëse Enderim Lezaj nuk po largohej nga Shqipëria dhe njëkohësisht marrëdhëniet e tij me Klodeta Metkolën po acaroheshin më shumë, të dy së bashku, Lulzim Meta dhe Klodeta Metkola, kanë vendosur të bënin diçka tjetër. Në datën 21 shkurt 2010, rreth orës 09.00, të dy së bashku kanë vendosur një sasi tjetër lënde plasëse brenda në shtëpinë e Enderim Lezajt. Lënda plasëse është vendosur në banjë, pas lavatriçes, pasi kishin ulur fillimisht automatin e dritave të shtëpisë. Qëllimi ishte që pasi Enderimi të futej në shtëpi dhe të ngrinte automatin të shpërthente lënda plasëse. Enderimi është kthyer në shtëpi, por jo i shoqëruar me Klodetën, e cila kishte shkuar të blinte një picë. Kur ka parë se nuk kishte drita vetëm apartamenti i tyre ka ngritur automatin e energjisë të shtëpisë dhe menjëherë ka shpërthyer lënda plasëse, duke shkaktuar dëme të rënda në shtëpi, ndërsa Enderim Lezaj nuk është dëmtuar fizikisht, pavarësisht se nga forca shtytëse ai është përplasur me murin. Sipas akuzës, të dy këta shtetas kanë bërë disa përpjekje të tjera për të kërcënuar shtetasin Enderim Lezaj si duke shkruar me një sprait të zi në derën e shtëpisë “do të vras trap”, si dhe duke e marrë në telefon e duke e kërcënuar që të largohej sa më shpejt nga Shqipëria.
#