E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, punonjësit e Xhenios: Fadroma u kërkua nga MEICO

Procesi Kryegjyqtari i çështjes, Ridvan Hado, ende me sytë nga Presidenti për dekretim në apel

Procesi i djeshëm gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit ka vijuar dje normalisht në Gjykatën e Tiranës, ku kanë dëshmuar tre punonjës të repartit të xhenios. Në trupën gjyqësore ndodhej ende gjyqtari Ridvan Hado, megjithëse emri i tij është dërguar në Presidencë për dekretim në Gjykatën e Apelit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë votoi rreth një muaj më parë emrin e Hados për gjyqtar në apel dhe emrin ia dërgoi Presidentit Bamir Topi, i cili ende nuk e ka firmosur këtë lëvizje, çka do të vononte procesin e rëndësishëm gjyqësor.

Përpos kësaj, seanca e djeshme vijoi me pyetjen e tre punonjësve të batalionit të xhenios. Pyetjet e përfaqësuesve të organit të akuzës dhe të trupit gjykues ndaj dëshmitarëve janë përqendruar kryesisht tek urdhrat zyrtare që angazhuan mjete të rënda të ushtrisë në fabrikën e demontimit, siç ishte fadroma ku humbi jetën edhe punonjësi i ushtrisë Ilirjan Malçi.

Dy punonjëse në batalionin e xhenios, Nafie Hoshafi dhe Valbona Idrizi, si dhe zv.shefi i batalionit të xhenios, Vladimir Dushi, janë pyetur për të njëjtën çështje. Idrizi tha se e kishte përpiluar ajo urdhrin për ndërhyrjen e fadromës në Gërdec, por më pas ky urdhër ishte firmosur nga eprorët. Ndërsa Dushi ish-zv.shefi i batalionit të xhenios, konfirmoi se hyrja e fadromës në fabrikën e demontimit u bë pas një kontrate mes MEICO-s dhe repartit të xhenios.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›