E Diel, 1 Nëntor 2026

Dajti shkon si invalid në gjykatë, kërkon mosfillimin e shqyrtimit gjyqësor

Procesi Autori i vrasjes së katërfishtë kërkon në sallën e gjyqit mjekë: Nuk rri dot në këmbë

Gjykata e Krimeve të Rënda është “blinduar” gjatë procesit gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, autorit të vrasjes së katër punonjësve të policisë në muajin gusht të një viti më parë. Për herë të parë, në gjykatë është paraqitur në një karrocë invalidi i pandehuri, duke kërkuar që në fillim të seancës të ndërpritet shqyrtimi gjyqësor, për shkak të kushteve të rënda fizike. Salla e gjykatës ishte mbushur me dhjetëra punonjës policie. Në sallë ndodhej bashkëshortja e tij, prindërit dhe të afërm të tjerë. Fillimisht Dajti është shoqëruar nga paraburgimi 313 në sallën e gjyqit prej tunelit të nëndheshëm dhe është akomoduar në kafazin e hekurt. Gjendja e tij shëndetësore dukej e mirë, por nuk arrinte të qëndronte në këmbë.

Gjatë gjithë seancës së djeshme gjyqësore ankohej se nuk mund të qëndronte shumë gjatë në sallë. “Nuk mund të qëndroj gjatë ulur në karrige nëse nuk më sillni një mjek që të më bëjë një qetësues. Nuk dua të largohem nga salla e gjyqit, por në të njëjtën kohë dua prezencën e një mjeku të më bëjë qetësues e më pas të jem i pranishëm”, tha Dajti i pyetur nga trupi gjykues nëse pranon të marrë pjesë. Ai tha se gjykata duhet t’i krijojë kushtet, ose ta shtrinin në një krevat, ose në dysheme. “është e turpshme të bie në tokë. Nuk është normale të më mbani në këtë gjendje. është e pamoralshme të vazhdoj në këto kushte”, do të deklaronte më pas Dajti para gjykatës, deri sa e detyroi atë të shtynte gjyqin për në datë 8 qershor.

Duket se prania e Dajtit në sallë ka qenë e llogaritur nga ana e mbrojtjes, pasi një seancë më parë mësoi se nga ana e akuzës u lexua kërkesa për gjykim. Në fillim të seancës ai largoi avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata Valentina Teodoresku, duke rikthyer sërish mbrojtësin e tij ligjor Arben Qeleshi. Pas ndërrimit, avokati Qeleshi i kërkoi Gjykatës së Krimeve të Rënda revokimin e vendimit që i hapi rrugë fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Kjo kërkesë, sipas mbrojtësit Arben Qeleshi, do t’i hapte rrugë kërkesës së dytë që lidhet me procedimin me gjykim të shkurtuar. Pas kësaj kërkese fjala iu dha prokurorëve Eugen Beci dhe Ardian Nezha. akuza e kundërshtoi kërkesën e avokatit të Dajtit, duke u shprehur se nuk janë në fazën kur bëhen kërkesat paraprake.

Gjykata, pas 15 minutash tërheqje i ktheu përgjigje negative Dritan Dajtit dhe Arben Qeleshit, i cili pretendonte që gjykimin e shkurtuar ta fitonte edhe për të pandehurin tjetër Erges Xhorxhi. Vendimi u kontestua nga i pandehuri. Dajti tha se do të bënte ankim në shkallët e tjera të gjyqësorit. I pakënaqur nga vendimi kundër, ai reagoi duke i thënë gjykatës se duhej të merrte parasysh faktin se ai ka qenë i shtruar në spital dhe nuk ka pasur mundësi të ishte në kohën e duhur për ta bërë kërkesën. Në këto kushte ai nuk i shpëtoi dot burgimit të përjetshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›