Fadroma Bojaxhi shfaqet në hyrje të Sarandës
Zhvendoset në Manastir e në hyrje të qytetit të Sarandës operacioni për pastrimin e Rivierës. Pas pastrimit të zonës së Ksamilit nga ndërtimet e paligjshme, paraditen e djeshme fadromat janë zhvendosur në drejtim të Manastirit, ku janë rrëzuar 5 godina shumëkatëshe. Në plazhet e Manastirit dje nuk janë kursyer as ndërtimet me material të lehtësuar, ndryshe nga Ksamili, ku ato janë lënë për t’u prishur pas sezonit. Paralelisht është ndërhyrë edhe në qytetin e Sarandës. Ndërhyrjet kanë nisur nga një objekt në brendësi të zonës së banuar e të formalizuar kohë më parë prapa hotelit “Butrinti”, për të vazhduar në një tjetër, të ngritur pa leje përballë bar “Tunelit”, poshtë Rrapit të Sarandës. Kreu i operacionit, Gjergj Bojaxhiu, ka sqaruar se kati i parë i këtij objekti, ishte bërë pengesë për zbatimin e projektit të rrugës hyrëse në elementin e trotuarit. Më tej fadromat janë zhvendosur në afërsi të hotel “Mediterrane”, ku është prishur rrethimi i një banese dhe i servisit “Bebi”. Pronari i tyre ka kërkuar sqarime për cenimin e pronës, pa asnjë njoftim dhe në kundërshtim me dokumentacionin. Por kjo nuk i ka sprapsur ndërtimorët e madje pronari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë në Sarandë. Edhe në këtë rast është mësuar se arsyeja e ndërhyrjes ka qenë projekti i rrugës hyrëse, për zbatimin e të cilit bëhej pengesë pjesërisht muri rrethues i këtij objekti. Ndërkaq, në orët e pasdites fadroma e INUK ka vepruar mbi dy objekte në Qafë-Botë, të klasifikuara gjithashtu si ndërtime të paligjshme. Pritet që dita e sotme të vijojë me prishje objektesh shumëkatëshe në qendër të Sarandës, njëri prej të cilëve është cilësuar “objekt krimi” nga Bojaxhiu. Fjala është për objektin, për të cilin nuk pranuan të nënshkruajnë drejtuesit e Inspektoratit Ndërtimor Dega Sarandë, që u bë shkak për dorëheqjen e tyre ditë më parë.
#