E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimtarët, kushtet për të përfituar pension brenda datës 30 qershor 2010



Jonida Tashi

Përcaktohen kushtet që duhet të përmbushin arsimtarët për të ligjëruar të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë pleqërisë. Ekspertët e pensioneve, kanë detajuar tre kushtet kryesore që duhet të plotësojnë mësuesit dhe pedagogët për të dalë në pension brenda datës 30 qershor të vitit 2010. Duke filluar nga data 1 korrik 2009 deri më 30 qershor të vitit 2010 mosha e daljes në pension për femrat dhe meshkujt që punojnë në arsim është rritur me 6 muaj. Për rrjedhojë, mësueset femra do të dalin në pension në moshën 58 vjeçe, kurse mësuesit meshkuj në moshën 63 vjeç. Për të marrë pension të plotë pas datës 1 korrik, arsimtarët e të dyja gjinive duhet të kenë plot 35 vite pune të siguruara, nga të cilat, 26 vjet e 3 muaj duhet të jenë patjetër si mësues. Në çdo datë l korrik mosha e daljes në pension për arsimtarët, do të shtohet me 6 muaj, deri sa duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2013 e në vazhdim mësueset femra do të dalin në pension të plotë 60 vjeçe dhe meshkujt 65 vjeç, kur kanë 35 vjet punë gjithsej të siguruara pavarësisht se ku kanë punuar.
Vitet e punës
Në vite pune të siguruara gjithsej për pension, mësueseve femra u njihet edhe koha e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar me ose pa bursë duke e konsideruar një vit shkollë me një vit pune për efekte pensioni, ndërsa meshkujve u konsiderohet punë koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak e vërtetuar me librezën ushtarake. Gjithashtu, përfshihen në kohë pune për pension si mësues edhe lejet e zakonshme dhe lejet e lindjes për femrat. Në rastet kur mësuesit dalin në pension gjatë vitit shkollor, për shembull më 30 prill, përfitojnë me pagesë lejen e zakonshme, që u takon sipas Kodit të Punës për periudhën janar-prill. Leja e zakonshme për mësuesit jepet për vit kalendarik dhe jo për vit mësimor. Ditën që ndërpresin marrëdhëniet financiare për shkak të daljes në pension, mësuesve pavarësisht nga gjinia, u jepet një rrogë mujore shtesë, konform Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.369, datë 13.6.2007 “Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore”.
Llogaritja
Llogaritja e pensioneve sipas Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, bëhet me 75 për qind të pagës neto mesatare mujore të tre vjetëve rresht në 10 vitet e fundit të punës. Këtë periudhë 3-vjeçare, paga e së cilës merret si bazë në llogaritjen e pensioneve e zgjedhin vetë të interesuarit gjatë së cilës kanë pasur pagën më të mirë. Për pension merret parasysh rroga bazë mbështetur në tabelën e pagave të miratuar nga Këshilli i Ministrave,
shtesat e marra për vjetërsi në punë, vështirësi, largësi, funksion, gradë shkencore, etj. Por, në llogaritjen e pensionit nuk merret parasysh paga e 13-të që kanë marrë mësuesit, mbasi për pagën e mësipërme, nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Paga e secilit vit, përpara llogaritjes së pensionit nga punonjësit e sigurimeve shoqërore, rritet me koeficientet përkatës të caktuara nga Këshilli i Ministrave. Nuk merren parasysh në llogaritjen e pagave për pension të ardhurat financiare që mund të ketë marrë personi, si shpërblimet e ndryshme, përfitimet nga lotaritë, honorarët, dietat në lekë ose në valutë për kohën e shërbimeve brenda e jashtë vendit, sepse për to nuk janë paguar kontribute të
sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Periudhat e paguara me leje të zakonshme, raporte mjekësore për paaftësi të përkohshme dhe leje lindje, pavarësisht se janë paguar më pak se rroga, mbështetur në Kodin e Punës quhen vjetërsi në punë, dhe nuk ndikojnë në masën e pensionit.
Kërkesa
Sipas rregullores së re, moshat në prag të daljes në pension kanë të drejtë të bëjnë një kërkesë paraprake 1-12 muaj para plotësimit të moshës së pensionit. Së pari, personat në prag të daljes në pension pleqërie kanë të drejtë që të aplikojnë në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore, një vit para arritjes së moshës për pension. Fillimisht ata duhet të plotësojnë një kërkesë paraprake për pension. Pas depozitimit të kërkesës, çdo i interesuar duhet të dorëzojë në agjencinë përkatëse rajonale të sigurimeve shoqërore një fotokopje të librezës së punës, si dhe të deklarojë historikun e punës. Specialistët e pensioneve shpjegojnë se zbatimi i kësaj procedure është me rëndësi, jo vetëm për personin e interesuar për pension, por edhe për administratën e sigurimeve shoqërore. Paraqitja e librezës së punës dhe deklarimi i historikut të punës, do të vlejnë për të kryer verifikimin në kohë të historikut të punës. Sipas ekspertëve, në mjaft raste puna që ka kryer një person është në qendra të ndryshme të punës, apo edhe në shumë raste, në qytete apo fshatra të ndryshme të vendit. Duke mbajtur parasysh faktin se afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, një aplikim i tillë 12 muaj përpara mbushjes së moshës do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin në kohë, ashtu edhe specialistët e Sigurimeve Shoqërore për të kryer verifikimin brenda kësaj periudhe një vjeçare.

Punët që përfshihen në arsim për pension

Në punët në arsim për pension, përfshihen periudhat e punuara si: edukatore në kopshtet e fëmijëve, mësuese dhe mësues në shkollat e ciklit të ulët, 7, 8 e 9-vjeçare, të mesme të përgjithshme e profesionale, drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave dhe të konvikteve, kur kanë dhënë mësim në klasa, pedagogë në universitete apo shkolla të tjera të larta pavarësisht nëse kanë ose jo grada shkencore, koha e punuar në detyrën e drejtorit, inspektorit dhe ndihmësit për arsimin në Aparatin e Këshillit të Ministrave, drejtorive dhe inspektorëve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, përgjegjësve, drejtorive dhe inspektorëve të seksioneve dhe drejtorive të arsimit në rrethe, trajnerëve profesionistë efektive të të gjitha kategorive të klubeve sportive, drejtorët, instruktorët, shefat e seksioneve në pallatin e pionierëve, shtëpitë e pionierëve, udhëheqësit e pionierëve në shkolla,etj. Puna në arsim përsa i përket vështirësisë, njehsohet me profesionin e oficerëve, tornitorëve të punimit të metalit, veterinerëve të lartë, mjekëve kirurgë, artistëve të teatrove dramatike, dirigjentëve të orkestrave, regjisorëve të Kinostudios, Radiotelevizionit, etj. Të gjitha këto emërtime janë përcaktuar me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, botuar në legjislacionin përmbledhës për sigurimet shoqërore në shtator të vitit 2003.

Dokumentet që duhen përgatitur për të dalë në pension
Libreza e punës e plotësuar deri ditën e fundit, që është paguar me rrogë
Libreza ushtarake për meshkujt që kanë kryer shërbimin e
detyrueshëm ushtarak
Certifikatë personale me fotografi dhe certifikatë e gjendjes familjare
Vërtetim i pagës nga 1 janari i vitit 1994, deri ditën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Këto janë vërtetime standarde dhe punonjësit e financës janë të specializuar për plotësimin e tyre
Kopja e noterizuar e diplomës të shkollës së lartë ditën për femrat
Kërkesa për pension, që është një formular i gatshëm që merret në qendrën e fundit të punës, ku shënohet edhe adresa e banimit, numri i telefonit, etj.

Kushtet për të përfituar pension deri më 30 qershor 2010

Nga data 1 korrik 2009 deri më 30 qershor 2010, mosha e daljes në pension për mësuesit femra dhe meshkuj shtohet edhe 6 muaj. Sipas kushteve të reja, arsimtarët do të dalin në pension brenda harkut të mësipërm kohor nëse plotësojnë kushtet e mëposhtme:

Femrat Meshkuj
Mosha 58 vjeçe 63 vjeç
Vite pune të siguruara 35 vjet 35 vjet
Nga këto mësues 26 vjet e 3 muaj 26 vjet e 3 muaj

5 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›