Universitetet, mbyllen regjistrimet, të mërkurën vendoset për fazën e tretë
Jonida Tashi
Mbyllet zyrtarisht faza e dytë e regjistrimit në universitete. Në orën 18:00 të pasdites së djeshme ka përfunduar afati i regjistrimeve për fazën e dytë të fituesve në universitete. Ndryshe nga regjistrimet e fazës së parë, për të cilën Ministria e Arsimit e shtyu afatin e regjistrimit me dy ditë të tjera, për fazën e dytë nuk ka postim të afatit të regjistrimit. Për rrjedhojë, bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për procedurat e regjistrimit, sekretaritë e fakulteteve kanë mbyllur pasditen e djeshme dyert dhe nuk do të pranojnë më asnjë student për t’u regjistruar.
Vendet bosh
Ende nuk dihet se sa kuota të paplotësuara kanë mbetur në universitetet publike të vendit pas mbylljes së fazës së dytë të regjistrimit. Të dhënat për vendet bosh do të detajohen nga mesi i javës që vjen, pasi fakultetet të kenë raportuar shifrat zyrtare të studentëve të regjistruar për çdo degë. Për këtë arsye, ditën e hënë sekretaritë e fakulteteve në të gjithë vendin do të dorëzojnë pranë Agjencisë së Pranimeve në Universitete(APRIAL) shkresat e protokolluara lidhur me regjistrimet apo kuotat e mbetura bosh si pasojë e mungesës së regjistrimeve, në fazën e dytë të shpalljes së fituesve. Sipas drejtuesve të APRIAL-it, në datën 7 tetor do të vendoset lidhur me të rejat që do të jepen për konfigurimin e formularit A3 dhe në të njëjtën kohë edhe nëse do të miratohen kuotat shtesë në disa fakultete. Një vit më parë Ministria e Arsimit duke marrë parasysh kërkesat e shumta të të rinjve për të fituar të drejtën e studimit vendosi të shtojë nga pesë kuota pranimi në secilën prej degëve universitare, pavarësisht se në disa prej tyre ishte plotësuar numri total i kuotave të pranimit. Ndërkohë që numri total i kuotave për fazën e tretë të pranimeve vitin e kaluar ishte 4 mijë.
Faza e tretë
Nëse edhe këtë vit në universitete, pas mbylljes së fazës së dytë të pranimeve do të rezultojnë mjaft vende të lira, fati i hapjes së raundit të tretë të pranimeve nuk do të jetë i diskutueshëm. Kështu, nëse pas fazës së dytë të pranimeve sërish në universitete do të mbeten kuota të paplotësuara, do të hartohet lista e radhës me fituesit e universiteteve, deri sa këta të fundit, të plotësojnë numrin e kuotave të vëna në dispozicion nga qeveria. Por ndryshe nga dy fazat e para, pranimet e studentëve në fazën e tretë nuk do të bëhen më me postim liste, por nëpërmjet aplikimit duke plotësuar formularin A3. Në këtë formular do të evidentohen të gjitha kuotat e mbetura bosh në universitete, që deri tani janë 517 të tilla, të cilat nuk janë preferuar nga maturantët që në plotësimin e formularit A2. Megjithëse bëhet fjalë për fazën e tretë të pranimeve, ku nga njëra anë mjaft të rinjve iu është “shuar” shpresa për të fituar këtë vit shkollën e lartë, ndërsa nga ana tjetër degët me kuota të lira nuk janë të preferuara nga maturantët, ata kandidatë që do të vendosin të aplikojnë duhet të bëjnë më saktësi llogarinë e mundësive që kanë, në mënyrë që të konkurrojnë.
Raundi i tretë, si do të përcaktohen fituesit e universiteteve
Në raundin e tretë të pranimeve kandidatët do të aplikojnë për të fituar universitetin vetëm për vendet e mbetura bosh që do të shpallen nga Ministria e Arsimit. Edhe në këtë fazë, kandidatët fitues do të përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve (APRIAL), në bazë të dy parimeve: Parimi i meritës: sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të “Maturës Shtetërore” dhe për disa programe studimi edhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar për degët që kanë pasur një specialitetet të tillë; Parimi i vullnetit të kandidatëve i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në formularin A3. Ky formular do të përmbajë të gjitha kuotat e përcaktuara nga MASH-i, për secilin program studimi të ciklit të parë dhe do të mundësojë orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit. Formulari A3 do të shpërndahet në të gjitha drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore dhe në APRIAL, ku mund të tërhiqet nga kandidatët, të plotësohet dhe të dorëzohet i plotësuar në institucionin në të cilin është marrë.
5 Tetor 2009