Universiteti i Vlorës, tetë pedagogët e hequr nga puna, peticion Berishës dhe Tafajt
Tetë pedagogë të Universiteti të Vlorës, të shkarkuar nga puna nga rektori Tanush Shaska, i janë drejtuar kryeministrit të vendit dhe ministrit të Arsimit për zgjidhjen e problemit të tyre. Tetë pedagogët, që bënin pjesë në Departamentin e Matematikes, janë shkarkuar nga puna, nëpërmjet një vendimi të ardhur me poste elektronike, nga rektori Tanush Shaska. Një prej këtyre pedagogëve, i cili ka rreth 15 vjet pune në universitetin “Ismail Qemali”, Engjëll Hasimaj, shpjegon arsyet përse ai mendon se rektori e ka larguar nga puna atë dhe shtatë pedagogët e tjerë. “Ne jemi tetë pedagogë Matematike që jemi pushuar pa motivacion të rregullt. Arsyeja sipas mendimit tim qëndron në faktin që ne nuk e kemi mbështetur në reformat që ai ka ndërmarrë për arsye që s’kemi qenë dakord. Për shembull, ky ka ndryshuar programet të cilat nuk përshtaten me degët dhe ne e kemi kundërshtuar këtë. Gjithashtu nuk kemi qenë dakord me pushimin e ish-dekanes, Musaraj. Nuk kemi firmosur peticionin që ky detyroi të gjithë pedagogët në ora 10:00 të natës për ta firmosur. Së treti, nuk e kemi votuar kur ky vuri kandidaturën për t’u bërë anëtar i Këshillit të Fakultetit”,- deklaron Hasimaj. Ish-pedagogët tashmë të pushuar nga puna i janë drejtuar kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj, nëpërmjet një peticioni, duke ju kërkuar zgjidhje, në të kundërt çështja do të kalojë edhe në gjykatë. “Ne i kemi bërë peticion kryeministrit, ministrit Tafaj. Unë kam bërë edhe një përçapje për ta takuar dhe ia kam përcjellë të gjitha shqetësimet Tafajt, dhe jemi në pritje”,- njëri nga pedagogët e larguar nga puna Engjëll Hasimaj. Si çdo herë, edhe për këtë çështje nuk ka munguar reagimi i drejtuesve të Universitetit “Ismail Qemali” për problemet e shfaqura në këtë institucion. Lidhur më çështjen e pushimit të tetë pedagogëve nga puna, zëvendësrektori i Universitetit të Vlorës, Eustrat Zhupaj, shprehet se tetë pedagogët janë shkarkuar nga puna për shfrytëzim të postit të tyre, ndërkohë që po sipas tij, ata janë akuzuar nga studentët, në sajë të anketimeve anonime për korrupsion.
Qyteti Studenti, radhë në dyert e godinave për t’u strehuar
Me qindra studentë të rinj i janë drejtuar dje Qytetit Studenti për të zënë një dhomë në godinat e tij. Dje ka qenë edhe dita e parë e regjistrimit për studentët e vitit të parë, dyndja e të cilëve ka shkaktuar radhë që në orët e para të mëngjesit të djeshëm para godinave. Megjithëse drejtuesit e Qytetit Studenti kanë deklaruar se do t’i jepnin fund radhëve të gjata të regjistrimit, situata e viteve të kaluar është përsëritur edhe këtë vit. Qindra prindër dhe studentë kanë zënë radhë përpara godinave të Qytetit Studenti në pritje për t’u regjistruar. Në godinën numër 28 konfuzioni ka qenë i madh gjatë gjithë paradites ndërsa prindërit dhe studentët kanë ardhur që në orët e para të mëngjesit nga rrethe të ndryshme të vendit. Prindërit ankohen për konfuzionin e krijuar duke thënë se shkak për gjendjen e krijuar është bërë ekzistenca e një pike të vetme regjistrimi për shumë degë. E njëjta situatë përsëritet çdo vit në Qytetin Studenti në periudhën e regjistrimeve, ku radha e prindërve dhe studentëve zgjat për ditë të tëra
5 Tetor 2009