Lonçareviç: “Largohem nga Tirana e sëmurë”
Trajneri i Tiranës, Ilija Lonçareviç dha dorëheqjen e tij të parevokueshme nga drejtimi i kampiones në fuqi, menjëherë pas barazimit 1-1 me Kastriotin, takim i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. “Edhe po të fitoja 5-0 do të largohesha nga Tirana. Situata është shumë e rënduar në klub. Nuk do të them se kush është fajtori”, - tha trajneri i pestë i huaj që ka drejtuar Tiranën në dhjetë vitet e fundit. Kroati u bë trajneri i pestë që jep dorëheqjen nga Superliga. Më parë e kishin dhënë atë Gugash Magani (nga Shkumbini), Eqerem Memushi (nga Flamurtari), Ilir Qirjako (i shkarkuar nga Gramozi) dhe Hasan Lika (i shkarkuar nga Vllaznia).
DËSHTIM BARDHEBLU
Tirana e këtij sezoni po përsërit edicionin 2007-2008, kur 24-herë kampionët u renditën në vendin e 6-të. Bardheblutë nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 me Kastriotin në “Qemal Stafa”.
Miqtë nga Kruja të drejtuar nga Stavri Nica realizuan të parët me anë të Klevis Roshit në minutën e 44-t. Në pjesën e dytë mesfushori Gjergji Muzaka vendosi ekuilibrat në minutën e 51-të, rezultat që nuk ndryshoi deri në fund të takimit. Ky ishte barazimi i 8-të midis dy skuadrave në 16 ndeshje historike midis tyre. Ndeshja u ndoq edhe nga trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, i cili pa në njëfarë mënyre edhe dështimin e bashkatdhetarit të tij, Ilija Lonçareviç, me skuadrën me më shumë trofe në Shqipëri.
POKER PEQINAS
Shkumbini shpërtheu ndaj Teutës, duke realizuar një fitore të thellë 4-1, 4-0 pjesa e parë, pikërisht në ndeshjen ku trajneri i tij Kristaq Mile ishte në bankinë dhe ish-presidenti Xhavit Ismaili u rikthye për të sponsorizuar sërish peqinasit.
Seriali i gjatë i golave nisi me penalltinë e realizuar nga
Çaushaj (5’,11-m), Dervishi (12’), Mustafaj (42’), Çaushaj (45’+1). Për miqtë golin e flamurit e shënoi Hysa në minutën e 71-të. Teuta vinte përballë Shkumbinit pas fitores 0-3 në transfertë me Flamurtarin.
Kuzhe, sot në
Flamurtari-Vllaznia
Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe do të jetë sot i pranishëm në Flamurtari-Vllaznia. Dje pasuesi i Ari Hanit ndoqi në “Qemal Stafa” takimin Tirana-Kastrioti.
Dy përballje mbyllin
javën e “gjatë”
Takimet Skënderbeu-Apolonia dhe Flamurtari-Vllaznia mbyllin edhe javën e 6-të, tepër të “gjatë” të Superligës, të nisur qysh të premten me përballjen Gramozi-Besa (0-0).
SUPERLIGA 2009-2010
LËVIZJET E TRAJNERËVE
Shkumbini: Gugash Magani (nga java 1-2). Kristaq Mile (nga java e 3-te)
Flamurtari: Eqerem Memushi (nga java 1-4). Gugash Magani (nga java e 5-të)
Gramozi: Ilir Qirjako (nga java 1-5). Agim Canaj (nga java e 6-të).
Vllaznia: Hasan Lika (nga java 1-5). Roland Luçi (nga java e 6-të)
Tirana: Ilija Lonçareviç (nga java 1-6). Trajneri i ri: ???
Dinamo prish “bashkëjetësën” me Besën
Me fitoren e ngushtë 0-1 në Laç, Dinamo prishi “bashkëjetesën” me Besën, duke marrë e vetme kryesimin e Superligës pas javës së 6-të, tani në kuotën e 16 pikëve, dy më shumë se kavajasit, që nga ana e tyre barazuan 0-0 të premten me Gramozin në Ersekë. Golin e artë për formacionin e Shkëlqim Muçës e shënoi argjentinasi Malarkane në minutën e 55-të. Goli i tij i dytë personal në këtë sezon.
KATEGORIA SUPERIORE
Java 6-të, ora 15:30
02.10.2009
Gramozi-Besa 0-0
03.10.2009
Tirana-Kastrioti
51’ Muzaka/ 44’ Roshi
Laci-Dinamo 0-1
/ 55’ Malarcane
Shkumbini-Teuta 4-1
5’ Çaushaj (11-m), 12’ Dervishi, 42’ Mustafaj, 45’+1 Çaushaj / 71’ Hysa
04.10.2009
Skënderbeu-Apolonia
Flamurtari-Vllaznia
RENDITJA, JAVA 6
1. Dinamo 6 16
2. Besa 6 14
3.Skenderbeu* 5 9
4.Apolonia* 5 9
5.Teuta 6 9
6.Tirana 6 8
7.Shkumbini 6 7
8.Gramozi* 6 6
9.Laci 6 5
10.Kastrioti 6 5
11.Vllaznia* 5 4
12.Flamurtari* 5 3
* Nje ndeshje me pak
5 Tetor 2009