Mbetet stok nëpër farmaci vaksina e gripit të zakonshëm
Emanuela Sako
Qytetarët nuk blejnë vaksinën kundër gripit sezonal. Farmacistët shprehen se ka një rënie të theksuar të blerjes së vaksinës kundër gripit të zakonshëm në farmaci, krahasuar me një vit më parë që ajo është blerë në masën e 70 mijë dozave. Ata e shpjegojnë me faktin se qytetarët janë të pritje të ardhjes së vaksinës kundër gripit të derrit, e cila do t’i mbronte nga një virus më i ashpër. Një nga arsyet që farmacistët përmendin është dhe kostoja e vaksinës, të cilën çdo vit qytetarët ngurrojnë ta blejnë. Në shumicën e rasteve ata blejnë vetëm për fëmijët e vegjël, pasi nuk kanë mundësi financiare ta blejnë për gjithë pjesëtarët e familjes. Kostoja e vaksinës kundër gripit sezonal arrin në masën e 1300 lekëve. Nga na tjetër,Ministria e Shëndetësisë gjatë kësaj periudhe ka hedhur në treg 50 mijë doza dhe disa blerje të vogla. Sipas një deklarate të bërë nga Zëvendësministri, Arben Ivanaj, kjo ka ardhur si pasojë e përqendrimit të vëmendjes të virusi i gripit AH1N1.
Situata
Specialistët e ISHP-së bëjnë të ditur se vaksina mund të aplikohet tek çdo person, por ka dhe disa përjashtime. Në rastet kur personat shfaqin komplikacione në organizëm, ata nuk duhet të vaksinohen pa rekomandimin e mjekut dhe pa kryer vizitën përkatëse. Kështu, vaksina mund të aplikohet nga çdo person, përfshi gratë shtatzëna, por ka disa raste përjashtimesh që për arsye të riskut më të lartë jepen këshilla për të shmangur komplikacione nga gripi. Përveç rëndësisë së marrjes dhe aplikimit të vaksinës duhet të kihet parasysh që individët duhet të evitojnë kontaktet me njerëzit e sëmurë me gjendje gripale, në mënyrë që të shmangin përhapjen. Sipas ISHP-së, personat e sëmurë me grip duhet të evitojnë kontaktet me personat e tjerë, si dhe të marrin masat bazë higjienike, si mbulimi kur kollitemi dhe teshtijmë, eliminimi i pështyrjes në tokë dhe larja e duarve, të cilat janë të efektshme në parandalimin e gripit.
Rekomandime
Specialistët e ISHP-së japin rekomandime për mënyrën e përdorimit të vaksinës. Kështu, një dozë e vaksinës së gripit të inaktivuar është imunogjenike për individët e të gjitha moshave, përveç fëmijëve të vegjël. Fëmijët e vegjël që nuk kanë qenë ndonjëherë të vaksinuar, për të pasur një efikasitet të lartë të vaksinimit, rekomandohet të marrin 2 doza të vaksinës së inaktivuar. Vaksina do të bëhet sipas përcaktimit nga mjeku, i cili jep doza të caktuara për moshën e vogël dhe jepet në një interval kohor të paktën 4 javë diferencë. Efekti i mbrojtjes imunitare tek personat që aplikojnë vaksinën fillon të shfaqet një javë deri në dy javë pas aplikimit të vaksinës. ISHP-ja bën të ditur se vaksinimi rekomandohet të kryhet pranë institucioneve shëndetësore për të shmangur komplikacionet që mund të ndodhin. Kostoja e vaksinës nuk mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë, por kjo e fundit ofron kryerjen falas të vaksinës në të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor. ISHP-ja është duke përgatitur një raport lidhur me opsionet e ofrimit falas të vaksinës kundër gripit për grupe me risk të lartë.
Rastet kur duhet të merret vaksina kundër gripit sezonal
Specialistët e shëndetësisë kanë përcaktuar rastet se kur duhet të marrin qytetarët vaksinën. Sipas mjekëve, kalendari i vaksinimit ndaj gripit të zakonshëm, ndalet në katër muaj brenda një viti, të cilët dy i përkasin stinës së vjeshtës, ndërsa dy të tjerë asaj të pranverës. Konkretisht periudha më e përshtatshme për t’u vaksinuar ndaj gripit të zakonshëm është shtator-tetor dhe mars-prill. Aktualisht, farmacitë janë furnizuar me dozën e parë të vaksinimit, që do të përdoret për periudhën e vjeshtës. Më vonë, para ardhjes së sezonit të dytë të vaksinimit ndaj gripit stinor, që përkon me muajt mars-prill, farmacitë do të marrin dozën e dytë të vaksinave. Vaksina e gripit sezonal nuk është e përfshirë në programin e vaksinimit, çka do të thotë se qytetarët do ta blejnë vetë atë në farmaci. Me përjashtim të një kontingjenti të caktuar njerëzish, ku përfshihen ata që punojnë në strukturat e shëndetësisë. “Duhet të përdoret masivisht në popullatë vaksina kundër gripit sezonal, Shqipëria nuk e ka përfshirë vaksinimin e gripit sezonal në programet e veta të vaksinimit. Aktualisht ne kemi një fond për të blerë vaksinë, ashtu si çdo vit, vetëm për disa grupe me risk të lartë, kryesisht punonjës të shëndetësisë dhe disa grupe të tjera”,- ka deklaruar para pak ditësh drejtori i ISHP-së, Alban Ylli. Nëse vaksina e gripit pandemik do të mbulohet nga shpenzimet e shtetit, të paktën për kontingjentin e parë, ashtu siç kanë deklaruar autoritetet e shëndetësisë, qytetarët ndryshe nga vaksina e gripit të zakonshëm, nuk do ta blejnë vetë në farmaci edhe vaksinën ndaj H1N1.
Rekomandime lidhur me aplikimin e vaksinës
Personat që u rekomandohet të vaksinohen çdo vit janë:
Fëmijët mbi 6 muajsh (tek fëmijët nën 6 muajsh vaksina nuk jep efekt, pasi ende nuk është formuar sistemi imunitar) që frekuentojnë çerdhe, kopshte dhe shkolla
Personat mbi 60 vjeç
Personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, veshkave etj
Personat që kanë deficite të sistemit imunitar, duhet të vaksinohen pasi të konsultohen me mjekun përkatës
Personeli shëndetësor
Personeli i çerdheve, kopshteve dhe shkollave.
Personeli që punon në stabilimentet e shpendëve
Rekomandime për parandalimin e gripit
Përveç rëndësisë së marrjes dhe aplikimit të vaksinës duhet të kihet parasysh që individët duhet të:
Të evitojnë kontaktet me njerëzit e sëmurë me gjendje gripale
Individët e sëmurë me grip të evitojnë kontaktet me personat e tjerë
Marrin masat bazë higjienike në veçanti, mbulimi kur kollitemi dhe teshtijmë, eliminimi i pështyrjes në tokë dhe larja e duarve, të cilat janë të efektshme në parandalimin e gripit
5 Tetor 2009