E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arsimtarët në prag greve

23/03/2005  Konfederata i shtrin dorën BSPSH

SHKODËR - Greva e arsimtarëve të arsimit parauniversitar, e filluar para vitit të ri dhe e lënë përgjysmë, duket se do të fillojë përsëri. Sinjalet e para vijnë nga Federata Sindikaliste e Shqipërisëm e cila ka përcaktuar datën 12 prill si datën e rifillimit të grevës së arsimtarëve në të gjithë vendin. Por ndërsa herën e parë ishin ata që u bënë iniciatorët e ndalimit të grevës, duke marrë edhe epitetin tradhtarë të interesave të arsimtarëve, të cilët ata përfaqësonin, këtë hërë janë po ata që kanë kërkuar ndihmën dhe bashkëpunim e BSPSH. Nga ana tjetër këto të fundit që para disa muajsh ishin insistuesit e vazhdimit të grevës deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të arsimtarëve, ende nuk e kanë konfirmuar bashkëpunimin e kërkuar nga Konfederata.

Sipas drejtuesve të kësaj Konfederate, greva ka si qëllim plotësimin e të gjitha atyre kërkesave, të cilat u kërkuan pak muaj më parë. Ata sqarojnë se kur u ra dakord për ndalimin e grevës, Ministrisë së Arsimit i është lënë si afat i plotësimit të kërkesave të tyre, fundi i muajit mars. Por duke qenë se nga Ministria nuk ka ardhur ende ndonjë përgjigje, lidhur me kërkesat, atëherë konfederata është e detyruar të marrë masat për fillimin e një greve pa afat.

Nga ana tjetër, BSPSH, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Arjan Peraj, që kishte qenë dhe drejtuesi dhe insistuesi kryesor për vazhdimin e grevës herën e parë, shprehet se “kemi rezerva në lidhje me bashkëpunimin me Konfederatën dhe nuk mund të japim një përgjigje të menjëhershme, edhe për faktin se herën e parë filluam një bashkëpunim me ta në shkallë të gjerë kombëtare dhe na lanë në mes të rrugës, duke u bërë vetë ata shkaktarët kryesorë të mosplotësimit të kërkesave të ligjshme të arsimtarëve si ndër shtresat më të varfëra sot për sot. Lidhur me këtë problem, sqaron ai, është vendosur që javën tjetër të zhvillohet në Tiranë një takim i Këshillit Kombëtar të BSPSH, dhe atje do të vendoset qëndrimi që do të mbajmë në lidhje me bashkëpunimin. Sidoqoftë, bashkëpunimi nuk do të jetë i menjëhershëm në atë datë që shprehen ata, por rreth dy javë më vonë, pasi ta shohim dhe të bindemi se Konfederata do të bëjë një grevë serioze dhe jo më një lojë si radhën e kaluar. Sidoqoftë, shprehet ai, BSPSH është gjithmonë për zhvillimin dhe mbështetjen e një greve në plotësimin e kërkesave të arsimtarëve, siç është rritja prej 30 për qind e pagës apo ulja e moshës së pensionit, kërkesa këto themelore, elementare që do të shoqërohen edhe me kërkesa të tjera në dobi të shtresës që ne përfaqësojmë”, përfundon Peraj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›