E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy javë pas mbytjes,gjenden trupat në Bunë

23/03/2005  Atë që s’e bënë polumbarët e bënë peshkatarët

SHKODËR – Janë gjetur dje trupat e pajetë të dy të mbyturve në ujërat e lumit Buna, natën e 6 marsit të këtij viti. Megjithëse prej mëse dy javë kërkimesh për gjetjen e tyre nga polumbarët e RENEA, dhe të polumbarëve që erdhën për ndihmë nga Mali i Zi, nuk u arrit ndonjë rezultat pozitiv. Por atë, që nuk e arritën dot polumbarët tanë dhe të huaj, e arritën dje peshkatarët amatorë, që kryenin ritualin e punës së tyre të përditshme përgjatë bregut të lumit Buna. Ishin pikërisht ata që gjetën trupat e viktimave, Preç Deda dhe Artur Erkoçi, duke qetësuar kështu edhe familjarët e viktimave, të cilët me shpresë prej disa ditësh, rendnin përgjatë bregut të lumit, bashkë edhe me polumbrët.

Burimet nga spitali i Shkodrës bëjnë të ditur se ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë si rezultat të vdekjes së tyre, mbytjen me asfiksi nga uji.

Gjetja e trupit të parë

Rreth orës 10.30, njëri prej peshkatarëve që po peshkonte me grep në rrugën e molos, pranë urës së Bunës, ka filluar të tërheqë me filispanjën e tij diçka të rëndë dhe fillimisht ka menduar se ishte një peshk i madh. Duke qenë se pesha sa vinte e rëndohej, atëherë ka filluar të dyshojë se mos ndoshta grepi kishte kapur ndonjë trup të viktimave që kërkoheshin për mëse dy javë. Menjëherë ka kërkuar ndihmën e peshkatarëve të tjerë dhe së bashku kanë filluar të tërheqin avash-avash fillin dhe në sipërfaqe ka dalë trupi i njërit prej të mbyturve e pikërisht të Preç Dedës, rreth 80 m larg nga vendmbytja e tij.

Menjëherë peshkatarët kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe nëpërmjet një autoambulance e kanë dërguar trupin e Dedës në morgun e spitalit, ku është bërë dhe identifikimi i kufomës si dhe ekspertiza e nevojshme.

Gjetja e trupit të dytë

Trupin e të mbyturit tjetër e ka gjetur disa orë më vonë peshkatari 46-vjeçar Nexhat Alushi.

Pas gjetjes së trupit të parë, Alushi, duke i besuar përvojës, ka kërkuar ndihmën e dy shokëve të tjerë peshkatarë dhe së bashku kanë filluar kërkimet në lumë.

Pas disa kërkimesh, rreth orës 13.30, në afërsi të ishullit të vogël të Dajlanit, 300 m larga nga ura e Bunës, dalluan një trup të mbyturi. Menjëherë, me ndihmën e peshkatarëve të tjerë, ata janë zhytur dhe duke e çliruar nga rrënjët e nënujshme kanë nxjerrë në siprëfaqe trupin e të mbyturit tjetër, Artur Erkoçi.

Si edhe në rastin e parë, është njoftuar policia që, nëpërmjet autoambulancës, e ka dërguar në morgun e spitalit, ku i është bërë verifikimi nga familjarët dhe ekspertiza.

Tregon peshkatari 46-vjeçar, Nexhat Alushi

“Dallova mes rrënjëve të mbyturin dhe e nxora me shokët në sipërfaqe”

Peshkatari, 46-vjeçar, Nexhat Alushi, me një ekspericencë 20-vjeçare në fushën e peshkimit, ka qenë iniciatori i kërkimit të trupit të dytë, por edhe personi që e dalloi atë nën ujë. Në një intervistë për gazetën “Metropol”, ai rrëfen si dhe qysh e gjetën të mbyturin tjetër.

Si vendosët të kërkonit për gjetjen e trupit të dytë?

Eksperienca ime 20-vjeçare në gjuajtjen e peshkut pranë urës së Bunës më ka bërë që të shpëtoj rreth 25 jetë njerëzish, që kanë qenë duke u mbytur. Kështu, pas gjetjes së trupit të parë, unë dhe një shok i imi kemi marrë varkat tona dhe kemi filluar kërkimin e trupit tjetër, thjesht për humanizëm, me idenë se përderisa u gjet njëri trup, patjetër diku rreth e rrotull duhet të jetë edhe tjetri.

Çfarë bëtë më pas?

Me mjetet tona të thjeshta të zhytjes, që i përdorim kur na ngecin grepat, kemi filluar kërkimin duke filluar që nga vendi i fundosjes së makinës.

Kur e dalluat trupin e mbytur dhe si?

Pas shumë zhytjesh dhe kërkimesh, rreth orës 13.30, në afërsi të ishullit të vogël të Dajlanit, 300 m nga ura e Bunës, kam dalluar nën ujë, në mënyrë të turbullt një objekt në formë trupi dhe menjëherë jam përqendruar tek ai vend, duke u zhytur për ta verifikuar. I kapur pas rrënjëve të një peme gjendej trupi i të mbyturit tjetër Artur Erkoçit.

Si vepruat për ta nxjerrë në sipërfaqe?

Duke qenë se ishte e pamundur që të nxirrej, atëherë me ndihmën e peshkatarëve të tjerë, pasi e kemi liruar trupin nga rrënjët, e kemi lidhur atë me një litar dhe e kemi tërhequr me varkë deri te moloja afër urës së Bunës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›