E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimtarët zhvillojnë sot provimin për rritjen në pagë



Mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar në të gjitha shkollat e vendit do t’i nënshtrohen paradites së sotme provimit të kualifikimit për rritjen në pagë. Për mësuesit e kryeqytetit, provimi me shkrim do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 10.00, në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Pjetër Budi”. Testi nuk do të zgjasë më shumë se 2 orë. Në ditën e paraqitjes në provim, të gjithë mësuesit duhet të jenë të pajisur patjetër me dokument identifikimi. Në bazë të vjetërsisë në punë janë përcaktuar vitet e punës që nevojiten për të fituar një nga tri shkallët e kualifikimit si dhe shtesa që do të përfitohet mbi pagë. Kështu, nga 5 deri në 9 vjet duhen për të marrë shkallën e tretë të kualifikimit. Nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit, të paktën 5 vjet pas marrjes së shkallës së tretë. Nga 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit, të paktën 10 vjet pas marrjes së shkallës së dytë. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind.

Matura, Ministria e Arsimit: “Formulari A2 gati më 1 prill”

Ministria e Arsimit, në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2009, bën të ditur se formulari A2 do të miratohet deri më 1 prill. Ky formular përmban të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojnë. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A2 brenda datës 30 qershor. Sipas rregullores së provimeve citohet se kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në universitetet publike të vendit vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (në dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje të përcaktuara në formularin A1). Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje, konsiderohet i plotë, në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2 pranohet vetëm i shoqëruar me mandat-arkëtimin prej 1500 lekësh.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›