E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një palë këpucë

Në ëndrrat e tij imagjinonte fëmijë të gëzuar me lule në dorë; turma me njerëz duke e duartrokitur dhe pritur si një rock-star; flamuj amerikanë në çdo cep të rrugës, dhe një përulje kolektive që mund t'i rezervohet vetëm një liridashësi si ai. Por, George W. Bush, kësaj radhe nuk ishte në Shqipëri (dihet që ne jemi një popull mjaft i veçantë). Gjatë vizitës se rrufeshme (dhe super-sekrete) që Presidenti amerikan kreu javën e kaluar në Irak, nuk u hodhën trëndafila, por një palë këpucë të numrit 42. Muntazer al Zaidi, kronist i një televizioni lokal, nuk kishte pyetje për të bërë, por, në shenjë proteste kërkoi të godiste Bushin (pa ia arritur qëllimit) me këpucët e veta. Tani rrezikon 15 vjet heqje lirie për tentativë vrasjeje të një udhëheqësi të huaj dhe, në pritje të dënimit, është rrahur paq në burgun e Bagdadit.

Që në Irak gjërat nuk po shkojnë ashtu si duhet, është mjaft e dukshme, dhe hedhja e këpucëve s'është gjë tjetër, veçse një gjest folkloristik për t'i kujtuar Bushit dhe ndërkombëtarëve tragjedinë irakiane. Faktikisht, kjo është një luftë e filluar keq, e vazhduar akoma më keq dhe që nuk po i gjendet fundi. Nëpër media kemi dëgjuar shumë shpjegime mbi shkakun e luftës; nga eksportimi i demokracisë, deri te vetëmbrojtja preventive. Por, në sistemin aktual të së drejtës ndërkombëtare, rastet në të cilat përdorimi i forcës së armatosur konsiderohet i ligjshëm, janë vetëm dy: vetëmbrojtja nga një agresion i tanishëm (deri sa në gjirin e Këshillit të Sigurimit të merren masat përkatëse), dhe autorizimi i përdorimit të forcës (gjithmonë nga Këshilli i Sigurimit), për të ruajtur paqen nga një kërcënim i rëndë.

Nga Lufta e Dytë Botërore, të gjitha shtetet e përfshira në konflikte kanë kërkuar të justifikojnë përdorimin e forcës, brenda kësaj kornize. Të njëjtën gjë kërkoi të bënte edhe administrata Bush para se të fillonte aventurën irakiane, por në një mënyrë mjaft origjinale. Në thelb, Iraku u pushtua mbi bazën e rezolutës 668/1990, domethënë mbi një rezolutë trembëdhjetëvjeçare, e cila autorizonte përdorimin e forcës për të shpëtuar Kuwaitin nga agresioni i Saddam Hussain-it. Duket e çuditshme (dhe në fakt është), por mjafton pak durim për të kuptuar marifetin e këshilltarëve juridikë të Presidentit. Rezoluta në fjalë (me modifikimet që pasuan), bashkë me autorizimin e sulmit aleat të ashtuquajtur "Stuhia e Shkretëtirës" (Lufta e Parë e Gjirit), vendoste si kusht për armëpushimin, asgjësimin e lëndëve të shkatërrimit masiv në dorë të diktatorit irakian.

Tani ekuacioni bëhet më i thjeshtë: nëse ka armë kimike dhe bakteriologjike, nuk zbatohet më kushti për armëpushimin. Nëse nuk ka armëpushim, autorizimi i përdorimit të forcës kundër Saddamit është akoma i vlefshëm.

E vetmja copëz që mungonte për të plotësuar mozaikun, ishte prova për prezencën e këtyre lëndëve që, as inspektorët e ONU-t nuk e gjenin dot. Për të bërë këtë, u shpenzua autoriteti i Colin Powell-it, i cili, me kripëra banjoje për të riprodhuar antraksin, dhe foto satelitare të manipuluara nga CIA, dora vetë, qe protagonisti i një shfaqjeje që do ngelet historike në mbledhjet e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ishte shkurti i 2003-shit, dhe Sekretari Amerikan i Shtetit i atëhershëm, njeriu që më parë kishte zgjidhur mbi 20 kriza, bindi botën mbi rrezikshmërinë e regjimit irakian. Faktet "e bazuara mbi burime të forta dhe mbi një punë të përpiktë spiunazhi" (fjalët e Powell-it, që, pa e ditur, në ato çaste po i jepte fund edhe karrierës së vet diplomatike), rezultuan të pavërteta. Sipas ligjit ndërkombëtar, lufta në Irak, thjesht nuk duhet të kishte filluar. Për sa i përket zhvillimit të saj, janë shifrat që, si gjithmonë, flasin vetë.

Nga 150 deri në 350 mijë irakianë të vdekur (përmasat reale as që nuk dihen), më shumë se 4 mijë ushtarë amerikanë të vrarë, dhe një numër refugjatësh, që mund të cilësohet mbi tre milionë persona. Taksapaguesve amerikanë, kjo luftë u ka kushtuar rreth 3000 miliardë dollarë, para që, sidomos në këtë krizë ekonomike, do ishin të dobishme si oksigjeni për buxhetin shtetëror. Fusha e betejës u transformua në një konflikt ditor që zhvillohet lagje më lagje, shtëpi më shtëpi. Rreziku mund të vijë nga çdo derë, nga çdo çati. Iraku është tashmë një Vietnam në mes të shkretëtirës, ku problemi nuk është më të asgjësohet armiku (aq i padukshëm sa efikas), por tërheqja me nder. Nga ana tjetër, imazhi i Amerikës u njollos rëndë. Nga shteti prijës i bashkimit ndërkombëtar, nga një model pluralizmi dhe lirie, në sytë e një pjese të konsiderueshme të botës, u shndërrua në një faktor destabilizues. Një burim kërcënimi.

Po tani? Tani që shërbimet publike irakiane nuk kanë arritur akoma të funksionojnë, të paktën si para luftës, që konsumi i energjisë elektrike është pothuajse i barabartë me atë të kohës së Saddam-it, dhe prodhimi i naftës është më i ulët? Tani nuk është më puna e Bushit, i cili, fill pas vizitës në Irak, shkoi edhe në Afganistan për të parë zhvillimet e një konflikti tjetër që Amerika dhe, në përgjithësi NATO-ja, po humbet. Por atje, për fat të Bushit, dimri i egër, talebanët, që kanë në dorë tashmë 70% të territorit dhe plantacionet me opium që zunë vendin e grurit, i kanë dhënë këpucëve një vlerë tepër të lartë për t'ia hedhur dikujt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›