Shtrenjtohet borxhi i qeverisë dhe interesat e kredive
Në ankandin e fundit, interesi mesatar i ponderuar arriti në 8.65%, duke arritur nivele historike
Qeveria “rebelohet”: Do të blejmë borxh në tregun ndërkombëtar. Bankat të kreditojnë bizneset
Deklarata e dy ditëve më parë e ministrit të Financave, se qeveria do të blejë borxh jashtë dhe jo nga bankat shqiptare, nuk duhet t’u ketë pëlqyer aspak këtyre të fundit. Ministri Bode tha se qeveria do të blejë 300 milionë euro borxh në tregun ndërkombëtar, pasi interesat janë më të lira dhe me këtë veprim do të nxiten bankat të rrisin kreditimin për sektorin privat. Javët e fundit, interesi i euriborit ka variuar në 3.5-4%. Borxhi që qeveria po blen nga bankat e nivelit të dytë, prej muajsh ka pësuar një rritje konstante. Në ankandin e fundit të organizuar nga Banka e Shqipërisë u shënua një interes mesatar i ponderuar prej 8.65 për qind për letrat me vlerë me afat maturimi 12 muaj, i konsideruar si rekord disavjeçar. Nga ankandi i fundit i zhvilluar në fund të muajit, interesi është rritur me 0.21%. Institucionet financiare blenë në këtë ankand 7.4 miliardë lekë me interesa shumë të volitshme. Kërkesat e vazhdueshme të qeverisë për para dhe normat e larta të diktuara, kanë bërë që bankat “të harrojnë” kreditimin e sektorit privat, por të orientojnë investimet në këtë lloj portofoli. Ato zotërojnë rreth 60 për qind të stokut të borxhit të brendshëm, i cili është shtrenjtuar në vijimësi, duke u siguruar fitime të larta dhe me risk zero. Sipas ministrit të Financave, sistemi bankar regjistron 60% të PBB-së si depozita, ndërsa kredia për biznesin është vetëm në 32% të PBB-së. Rritja e normës së interesit të bonove të thesarit ndikon në shtrenjtimin e kredisë në lekë dhe shtrenjtimin e vetë lekut. Nëse qeveria kërkon diku gjetkë para hua dhe jo në tregun e brendshëm, sipas ekspertëve bankarë, kjo do të nxisë bankat të japin kredi dhe të ulin nivelin e likuiditetit dhe, në garën për rritjen e kredisë, mund të kemi një ulje të interesave në vitin në vijim. Prej kohësh, guvernatori i Bankës së Shqipërisë u ka bërë thirrje bankave të rrisin kreditimin e sektorit privat në vend. Madje, në një dalje të fundi për shtyp ai kërkoi që fitimet e tyre të riinvestoheshin, me fjalë të tjera, një thirrje që paratë të mos dilnin jashtë vendit, duke ikur në vendet ku këto filiale kanë bankat mëmë. Kërkesat në rritje të qeverisë për para dhe mungesa e liberalizimit të tregut të letrave me vlerë, kanë qenë ndër vite shkaktarët e normave të larta të interesit në vendin tonë.
Tre ankandet e fundit për bonot me afat maturimi 12 muaj
Data Shuma Interesi mesatar i ponderuar
16/12/2008-17.12.20097, 403,170,000 lekë 8.65%
02/12/2008-03/12/20095, 100,000,000 lekë 8.46%
18/11/2008-19/11/20094, 619,680,000lekë 8.24%