Çelet ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Ambasada e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është hapur sot dhe është tërësisht funksionale. Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave përfaqësia diplomatike, është vendosur me zyra në lagjen “Presidence Plaza” të Uashingtonit.
Zyrat e ambasadës së Kosovës nuk gjendet larg Shtëpisë së Bardhë, ndërkaq që, sipas zyrtarëve të ambasadës, tashmë janë instaluar marrëdhëniet e para diplomatike mes tyre dhe ambasadave të shteteve të tjera në SHBA.
Ambasada kosovare për fillimin e punës ka pasur mbështetjen e madhe të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID).
Përfaqësuesi i parë diplomatik i Kosovës ndodhet që prej një muaji në Uashington, për të hapur misionin e parë të shtetit të ri të Kosovës në kryeqytetin amerikan. Ambasada e Kosovës në Uashington do të drejtohet nga zoti Avni Spahiu.