Digjet fondi, s'ka lekë për ish-pronarët
Kompensimi
Fondi i kompensimit të ish-pronarëve po digjet për shkak të procedurave të gjata të shqyrtimit të dosjeve
Procedurat për shpërblimin e ish-të përndjekurve pritet të përfundojnë para 31 dhjetorit
Mbylla e këtij viti ka shuar shpresat e ish-pronarëve për marrjen e kompensimit financiar, që ishte parashikuar në buxhet, ndërsa ish-të përndjekurit kanë shpëtuar dhe për to ka shpresë se mund të përfitojnë nga fondi i sivjetshëm. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave thanë për “Shekulli”-n se, për shkak të procedurave të gjata, është thuajse e pamundur shpërndarja e fondit për kompensimin e ish-pronarëve këtë vit, pra, ky fond mund të konsiderohet i djegur. Të njëjtat burime shtuan se për ish-të përndjekurit po bëhen përpjekjet maksimale që deri më 31 dhjetor të kryhen procedurat, në mënyrë që ky fond të ekzekutohet në degët e thesarit para mbylljes së vitit kalendarik. Këto burime konfirmuan se në ministri ka përfunduar shqyrtimi i 1 mijë dosjeve. Përfituesit e kësaj kategorie mund të marrin dëmshpërblimet edhe pas këtij viti, mjafton që procedurat ligjore të përfundojnë brenda afatit të buxhetit të këtij vit. Në buxhetin e vitit 2008, qeveria ka parashikuar 100 milionë lekë për ish-të përndjekurit, ndërsa për vitin e ardhshëm buxheti i dëmshpërblimit është dyfishuar. Përfaqësues të ish-të përndjekurve kanë deklaruar se deri në fund të këtij viti pritet të dorëzohen rreth 17 mijë dosje për dëmshpërblim. Dhe, sipas parashikimeve, shpërndarja e fondit të 2009-s pritet të nisë që në muajin mars.
Ish-pronarët
Ashtu siç edhe parashikuan përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, fondi për kompensimin financiar të ish-pronarëve mund të konsiderohet i djegur. Qeveria kishte parashikuar 500 milionë lekë në buxhetin e këtij viti për kompensim financiar. Në një prononcim për “Shekulli”-n, ditë më parë, sekretari i kësaj shoqate, Agim Toro, akuzoi qeverinë për shtyrje të afateve të përpunimit të dosjeve, duke hedhur edhe dyshimet se vonesat kishin qenë të qëllimshme. “Fondi nuk mund të shpërndahet pa përfunduar, së pari, i gjithë procesi i shqyrtimit të të gjitha dosjeve që janë depozituar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, - deklaronte Toro për gazetën. Ndërsa Kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, në një intervistë për “Shekulli”-n deklaronte se deri më 3 dhjetor, kur ishte afati i fundit i dorëzimit, ishin dorëzuar 740 dosje dhe se deri në mes të muajit kishte përfunduar shqyrtimi i 250 të tillave, ndërsa shtonte se po punohej maksimalisht për përfundimin e tyre brenda 31 dhjetorit. Për vitin e ardhshëm qeveria ka parashikuar 600 milionë lekë, ose 100 milionë më shumë se këtë vit, për kompensimin financiar të ish-pronarëve.
100 milionë lekë janë parashikuar në buxhetin e vitit 2008 për shpërblimin e ish-të përndjekurve
200 milionë lekë janë parashikuar në buxhetin e vitit 2009 për shpërblimin e ish-të përndjekurve
500 milionë lekë janë parashikuar në buxhetin e vitit 2008 për kompensimin financiar të ish- pronarëve
600 milionë lekë janë parashikuar në buxhetin e vitit 2009 për kompensimin financiar të ish- pronarëve