E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsyeja e "Penës së gardianit"

Ditën që fillova të shkruaja, si asnjëherë tjetër, hapat e shpejta të gardianëve ndaluan para derës së dhomës sonë. U krijua një heshtje prej burgu të boshatisur... Gardian Mondi jep lajmin:

Djali im, Arbeni, fitoi fakultetin për Mjekësi.
(Ai i qeras të gjithë me raki. Kreshniku nuk e pi alkoolin.)

Po çfarë do? Më thuaj, të ta sjell.
Isha i hutuar aq shumë që më zgjodhi mua të parin për këtë lajm, saqë fare pa e menduar arrita vetëm të thosha: "Penën që ke këtu dhe asgjë tjetër... Dua t‘i shkruaj Arbenit"...

Ky është Kreshniku. Në burg. Vuan dënimin, por Kreshniku tani reflekton ndryshe... Ai është personazhi kryesor i librit "Pena e gardianit", shkruar prej Ahmet Dursun, i cili prej 17 vitesh jeton në Shqipëri. Është mjaft i angazhuar me gjithë sa ndodh në vend, ndaj ka çelur edhe qendrën për përgjegjësi të barabarta. I pëlqen të lëri edhe ai gjurmë në këtë betejë shqiptare drejt ndryshimit. Por fjalët e mëdha e të tepërta, i lë mënjanë. Ato nuk janë për të. Turku Ahmet Dursun, flet e shkruan shqip shkëlqyeshëm. Është praktik Ahmeti. E do atë më shumë se vetë shqiptarët. Gjithnjë kërkon të sjellë në vëmendje të shoqërisë, atë pjesë të cilën shpesh e lëmë pas dore, e harrojmë, ose nuk duam të mendojmë se janë pjesë e jona. Ahmeti do të preki problemet nga afër, pa ndërmjetësinë e fjalëve të mëdha. Pikërisht për këtë arsye, përreth një vit e tre muaj, ai i është kushtuar romanit "Pena e gardianit", fitimet e të cilit, do të shkojnë të gjitha për familjet e të burgosurve.

Ahmet, shumë shpejt, ju do të sillni për lexuesin shqiptar, librin e titulluar "Pena e gardianit". Çfarë do të sjellë ky roman?

Unë kam filluar ta shkruaj "Pena e gardianit" para një viti e tre muajsh. Në qendër të tij është një i burgosur. Më pëlqen të prek tema që lihen pas dore, sepse një nga problemet e shoqërisë shqiptare është se ajo duhet të mos anashkalojë problemet, t‘i shikojë ato, t‘i zbulojë e të mos i lëri në heshtje. E në këtë kuadër, një nga këto probleme janë edhe të burgosurit. Sipas të dhënave që unë kam, ata janë në një proporcion marramendës nëse do të krahasohej me popullatën shqiptare. Janë rreth 14-15 mijë të burgosur shqiptarë, që vuajnë dënimin në Shqipëri dhe jashtë saj. Për mua, kjo është një shifër për t‘u trembur.

Çfarë trajton më konkretisht "Pena e gardianit"?

Libri trajton një personazh, Kreshnikun, i cili është burgosur për arsye droge. Ai është i vetëdijshëm për fajin. Një ditë, gardiani i burgut, vjen të japi lajmin se i biri, Arbeni, ka fituar shkollën e lartë... Kreshniku i kërkon një penë për t‘i shkruar Arbenit. Në momentin që merr penën në dorë fillon të mendojë e të reflektojë ndryshe e duke qenë se të gjithë njerëzit e afërt i janë larguar, Kreshniku e shikon komunikimin me djalin e gardianit, si ngushëllim. Romani sjell personazhe të vërtetë, nga ata që na rrethojnë ngaherë, na rrëfen jetën e burgut, filozofia e tij, na rrëfen të burgosurit, eksperiencën dhe arsyet që i ka çuar në atë gjendje. Por jo vetëm kaq, romani na rrëfen edhe përpjekjet e tyre për ta lënë të keqen aty, në burg dhe për të marrë me vete më të mirën.

Në fakt, realitetin shqiptar e njihni shumë mirë, duke qenë se jetoni këtu për një kohë të gjatë, por edhe jeni angazhuar në problemet sociale, që shoqërojnë të përditshmen në Shqipëri. Por do të doja të dija pse zgjodhët burgun e jo një temë tjetër?

Në vitet ‘91, kur kam ardhur unë në Shqipëri, gjithsecili prej jush në rast do të fliste me mua, do të më thoshte se ne kemi dalë nga një burg. Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare mendonte se për gati 50 vjet ka qenë e burgosur. Është folur shumë për burgun e periudhës së komunizmit, por unë nuk jam fokusuar aspak në këtë periudhë. Në asnjë moment nuk kam përmendur të shkuarën. Nuk kam përmendur burgjet e asaj kohe, por kam sjellë ato të kohës sonë. Shqiptarët prej kaq vitesh vazhdojnë të mendojnë ende për të shkuarën. Unë mendoj se është e nesërmja ajo që na pret dhe jo e shkuara. E nesërmja mund të jetë më e sigurt, më e bukur, më gjithëpërfshirëse, në rast se nuk harrojmë të përfshijmë në shoqëri edhe personat që, në një moment, kanë kryer një krim dhe janë duke e vuajtur këtë. Ata janë aty, për të vuajtur, nuk gjenden pas hekurave për të mbledhur trëndafila.

Çfarë mendon se do të sjellë leximi i historisë së Kreshnikut?

Unë mendoj se në rast se ky libër lexohet me vëmendje, edhe njerëzit që janë të predispozuar të kryejnë një krim, do të mendohen të paktën tre herë më tepër. Por, ajo që është më e rëndësishme, është se të ardhurat e këtij libri do të shkojnë për familjet e të burgosurve. Do të konvertohen në formë librash, shërbimesh mjekësore edhe ushqim për ata që kanë më tepër nevojë. Natyrisht që e gjithë kjo varet nga shitja e librave.

Ahmet, pse ke zgjedhur të shkruash, ç‘është për ty ajo?

Fillimisht, kam shkruar për kënaqësinë time, po asnjëherë më parë nuk i kam publikuar. Të shkruarin unë nuk e quaj vetëm pasion. Është një dhunti e të parit të gjërave në formën që ato kanë. Në momentin që arrin t‘u japësh formën e tyre të vërtetë, ti ke bërë një vepër të bukur, pasi në çdo rresht tregon një ngjarje, e cila është e pakontestueshme nga të tjerët, sepse ti ke zgjedhur ta tregosh ashtu sikurse është. Për mendimin tim, letërsia sot është në fazën e të parit me objektivitet të gjërave. Natyrisht romantizmi nuk mungon, zbukurimet anësore nuk mungojnë, por unë nuk e mendoj që sidomos në Shqipëri, në një vend ku masakrimi i gjuhës shqipe ka arritur në majat më të jashtëzakonshme, individë të ndryshëm vetëm për të plotësuar egon e tyre marrin ca fletë e fillojnë të botojnë libra. Unë mendoj se mes gjithë këtyre sikleteve që kalon shoqëria shqiptare, përballja me këto shkrime, që janë në një nivel shumë të diskutueshëm, e bëjnë të largohet edhe prej debateve. Unë mendoj që shkrimtar bëhesh nëse ke aftësi vëzhgimi të jashtëzakonshëm, jo të zakonshëm. Në rast se e zhvillon këtë, atëherë fjalët për t‘i hedhur në letër i gjen çdokush.

Edhe pse gjuha juaj është turqishtja, ju keni preferuar që historinë e Kreshnikut ta hidhni në letër në gjuhën shqipe. Pse kjo zgjedhje?

Arsyeja që unë nuk e kam shkruar turqisht librin, por në gjuhën shqipe është për t‘u treguar shumë njerëzve se gjuha shqipe është e pasur. Me të mund të shprehesh bukur, pa pasur nevojë të përdorësh shprehje apo fjalë të huaja. Mund të flasësh shqip pa ndihmën e fjalëve të huaja dhe shqiptarët mund të të kuptojnë shumë mirë. E kam shkruar në shqip "Penën e gardianit" për të thënë se nuk ka nevojë për të qenë lëpirës ndaj institucioneve shtetërore, për të realizuar një gjë të bukur. Të jesh realist, të thuash të vërtetën, vetëm në këtë mënyrë mund të arrish përpara. Unë mendoj se tashmë e vërteta ka ardhur në momentin që ke frikë për ta prekur atë, nesër ajo të kthehet në mënyrën më të shëmtuar.

Libri pritet të promovohet në fund të këtij muaji. Pas kësaj, ju mendoni se do të zgjojë interesin e lexuesit?

Unë mendoj se do të jetë një libër mjaft i shitur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Arsyeja, pse unë dua që libri të zgjojë interesin e lexuesit, nuk lidhet me mua. Arsyeja është se ky libër në rast se do të shitet në Kosovë, të ardhurat do të shkojnë për familjet e të burgosurve atje, në Maqedoni e njëjta gjë, në Itali po ashtu etj. Edhe pse ngjarjet zhvillohen në Shqipëri, Tiranë, tema që romani prek është universale.

A ke njohur ndonjë të burgosur nga afër?

Jo, asnjëherë, nuk kam njohur. Por, edhe një herë theksoj se familjet e të burgosurve kanë shumë nevojë që shoqëria t‘u hedhi sytë. Në Shqipëri është bërë një punë shumë e mirë me familjet e të ngujuarve, por unë mendoj se ka akoma për të bërë edhe në fusha të tjera.

Ahmet, sa e njeh letërsinë, autorët shqiptarë, po ata turq?

Sinqerisht, unë kam disa kohë që nuk lexoj, për vetë faktin se jo për temat që librat trajtojnë... por si një njeri që shqipen e kam mësuar këtu, unë shikoj një përtaci të madhe në drejtim të përmirësimit të gjuhës, unë ftohem që në faqet e para të librit. Natyrisht letërsia shqiptare ka autorë të mëdhenj si Isamil Kadare, Visar Zhitin, Fatos Kongolin, Dritëro Agollin etj. Krahas përtacisë, unë shikoj te letërsia shqiptare, edhe një frikë për të thënë të vërtetat. I futen analizave të panevojshme që në fund fare nuk ke marrë asgjë prej tyre. Mundohen të na flasin me shprehje të mëdha, mendojnë se vetëm me anë të tyre mund të arrijnë të tregojnë diçka të madhe, ndërkohë që më të mirat bëhen prej të thjeshtës. Ndërsa në letërsinë turke, natyrisht, Orhan Pamuk ka hapur një epokë të re. Mendoj se me arritjen e tij të madhe, do të hapet një rrugë e re edhe për shkrimtarët e rinj.

Pse je kaq i lidhur me Shqipërinë? Kaq i angazhuar me gjithë sa ndodh në shoqërinë shqiptare?

Ndoshta sepse prejardhja ime është shqiptare. Jam me origjinë nga Nishi, që tani ndodhet në Serbi, edhe pse familja ime prej 150 vjetësh jeton në Turqi. Por, edhe nëse prejardhja ime nuk do të ishte shqiptare, unë prapë do të angazhohesha njësoj. Këtu kam parë vlera, të cilat, për hir të asaj frike apo lëpirjeje, nuk shfaqen. Megjithatë, mjafton të mendosh Aleksandrin e Madh, nëna e tij ishte ilire, mjafton të mendosh ndërtuesit e Kostandinopojës, Stambollit të sotëm, ata ishin shumica shqiptarë, mjafton të mendosh Nënë Terezën, e të tjerë personazhe dhe të shprehesh i bindur se këto janë vlera që ky vend i ka dhënë gjithë botës ndër shekuj. Kush arrin ta shfaqë këtë, bën mirë, sepse vlerat duhen treguar. Unë them se asnjëherë ajo që ti jep nuk është më e çmuar se ajo që ti merr.

Cilës temë do t‘i kushtoheni pas "Penës së gardianit"?

Jam i përkushtuar daljes së librit. Dua që ai të preki shoqërinë. Frymëzimi është i momentit, nëse vjen, atëherë ke gjetur edhe për çfarë do të shkruash. Por unë në vazhdim dua të shkruaj për histori njerëzore. Kur të mbarojmë punë me njeriun, mund t‘u hidhem të tjera problemeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›