E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, nis festivali i isopolifonisë

Në Vlorë kanë nisur përgatitjet për koncertin kombëtar të isopolifonisë. Istref Dobi, drejtori i Pallatit të Kulturës Labëria, njëkohësisht edhe drejtor i festivalit, gjatë një konference për shtyp ka deklaruar se festivali do të organizohet në datat 25 dhe 26 nëntor. Gjatë këtij festivali do të marrin pjesë grupe gegë e toskë, që do të përcjellin vlerat e mëdha të folklorit tonë. Gjatë ditëve të festivalit të isopolifonisë do të marrin pjesë tetë grupe polifonike nga Vlora dhe të tjera nga zona të ndryshme të vendit, me qëllim shpalosjen e këtyre vlerave folklorike të shqiptarëve. Ndërkaq, Istref Dobi bëri me dije se edhe këtë herë Ministria e Kulturës nuk do të financojë koncertin e përvitshëm që zhvillohet në Vlorë. "Ne do të organizojmë si përherë koncertin e isopolifonisë në Vlorë vetëm me mbështetje të Bashkisë e Qarkut të Vlorës, ndërsa ministria, e cila kish premtuar financim të këtij evenimenti kulturor, u tërhoq sërish, duke deklaruar se do të organizojë një analog në Berat, gjatë 15-ditëshit të parë të dhjetorit. Ky aktivitet është zhvilluar çdo vit në ditën e isopolifonisë, që është data 25 nëntor, ndaj edhe ne do të vazhdojmë t‘i qëndrojmë besnik traditës", shprehet drejtori i festivalit. Sipas Dobit, është konfirmuar tashmë edhe pjesëmarrja e të gjitha grupeve të ftuara dhe organizimi do të vijojë normalisht.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›