E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsyeja pse merret borxh nga shteti



Ekspertë të bankave të nivelit të dytë e shpjegojnë këtë me faktin e tkurrjes së likuiditeteve në bankat e nivelit të dytë dhe nga ana tjetër me kërkesën në rritje të qeverisë për para cash, nëpërmjet emetimit të borxhit të brendshëm. Duke u ndalur në efektet e kësaj rritjeje, ekspertët shpjegojnë se së pari qeverisë i duhet të paguajë më shumë interesa kundrejt bankave dhe individëve për paratë që u merr hua. Së dyti, bankat do të ofrojnë interesa më të larta për kreditë, për shkak se kredia në lekë jepet duke pasur parasysh interesin 12-mujor të bonove të thesarit, duke i shtuar dhe një përqindje shtesë që varion në varësi të bankës. Bonot e thesarit dhe obligacionet janë instrumente borxhi, nëpërmjet të cilave qeveria merr hua nga publiku dhe siguron të ardhurat e nevojshme për të financuar shpenzimet që nuk i mbulon dot nga të ardhurat. Huamarrja nga publiku ndryshe do të kuptohej si shitja e letrave me vlerë të qeverisë publikut. Aktualisht, qeveria shqiptare emeton dy lloje letrash me vlerë: bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit tregtohen për periudha 3, 6 dhe 12-mujore, ndërsa obligacionet kanë periudha maturimi më të gjata 2, 3 dhe 5-vjeçare. Rritja e vazhdueshme e interesave të bonove të thesarit dhe obligacioneve kohët e fundit paraqitet si një mundësi e re edhe për individët. Investimi në bono thesari 1-vjeçare, 6-mujore apo 3-mujore për individët sjell interesa në disa raste dy herë më të larta se depozitat e vendosura në pjesën më të madhe të bankave të nivelit të dytë. Duke qenë se janë detyrim i drejtpërdrejtë i qeverisë, ato njihen si letra me vlerë me rrezik zero. Bonot emetohen në monedhë kombëtare lekë dhe shiten nëpërmjet ankandeve të organizuara nga BSH-ja. Në ankandin për bono thesari mund të marrë pjesë çdo individ, biznes apo bankë. Bonot e thesarit aktualisht janë i vetmi mjet i tregtueshëm, në të cilin bankat mund të investojnë.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›