Të dënuarat “pushtojnë” Teatrin Kombëtar
Tiranë - Ditën e premte, 25 gra të dënuara do të “pushtojnë” Teatrin Kombëtar për të hequr dorë përkohësisht nga liria e privuar. Sipas një njoftimi zyrtar, ato do të lënë qelinë në institucionin penal “Ali Demi” për të marrë pjesë në premierën “Filumena Marturano”, që do të shfaqet në sallën e Teatrit Kombëtar. “Filumena Marturano” bën fjalë për jetën e një vajze që prostituohej dhe ndryshimin radikal që pasoi jetën e saj si rrjedhojë e një vendimi për të ndryshuar jetën tërësisht. Ky është dhe mesazhi kryesor që duam të përcjellin te gratë e dënuara me burg. Pavarësisht situatës ku ndodhen, mjafton një vendim në kohën dhe momentin e duhur për të marrë në kontroll jetën dhe për ta shndërruar atë plotësisht duke bërë më të mirën. Gratë që u përzgjodhën për të ndjekur këtë premierë janë vlerësuar pozitivisht për sjelljen e tyre në institucion si dhe janë në muajt e fundit të dënimit të tyre dhe nuk paraqesin asnjë rrezikshmëri për qytetarët e lirë. Kjo është hera e parë që grave u jepet mundësia të ndjekin një premierë nga salla që nga koha që kanë marrë dënimin për veprën penale të kryer.
Pjesëmarrja e grave në këtë premierë u bë e mundur nëpërmjet iniciativës së drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Vrami, si dhe falë bashkëpunimit gjatë këtyre viteve për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në institucionin “Ali Demi”.
Krimet e Rënda rrëzuan dje kërkesën e Ilir Pajës
Tiranë - Ilir Paja, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë ndaj një punonjësi policie, do të gjykohet me një procedurë të zakonshme nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Vendimi u mor dje nga trupa gjyqësore e çështjes, e cila rrëzoi kështu kërkesën e të pandehurit Paja për t'u proceduar me gjykim të shkurtuar. Zbatimi i procedurës së gjykimit me kohë të shkurtuar për të pandehurit ndikon në zbutjen e masës së dënimit nëse ata shpallen fajtorë për veprat penale që akuzohen. Ngjarja, për të cilën akuzohet Ilir Paja, ndodhi më 6 mars të vitit 2008 në Tiranë, kur ai është konfrontuar me dy punonjës policie gjatë tentativës për t'iu shmangur atyre si person në kërkim ndërkombëtar, i shpallur nga autoritete të huaja policore, për një sërë veprash penale të kryera jashtë vendit. Sipas prokurorisë, i pandehuri ka përplasur me makinë njërin nga agjentët e policisë, duke e lënë të plagosur. Gjatë operacionit policor për kapjen e tij ka pasur edhe shkëmbim zjarri, ku Paja mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua.
20 Mars 2009