Kriza ekonomike, 15 biznese “VIP” përgatisin procedurat për falimentim
Mbi 500 subjekte të biznesit të vogël kanë deklaruar falimentin. Kompanitë, probleme nga pasojat e krizës por dhe me shtetin
Ervin KOÇI
Kriza ekonomike, e cila vetëm disa muaj më parë përflitej se do të prekte ose jo vendin tonë, duket se tani ka ardhur “pa trokitur”. Këtë gjë më së miri e tregon ueb-siti i Gjykatës së Tiranës, në të cilin janë renditur zyrtarisht 15 kërkesat e para për hapjen e procedurave të falimentimit nga subjekte të biznesit “VIP” (biznesit të madh). Këto kompani, që kanë nisur kërkesat për çeljen e procedurave të falimentimit në rrugë ligjore, kanë qenë ndër kompanitë më serioze dhe nga më të mëdhatë në vend, të njohura për aktivitetin e tyre të gjerë. Ndër këto kompani mund të përmendim: shoqërinë "2K Group" sh.p.k, shoqërinë tregtare "Dajti Ekspres" sh.a., shoqërinë "Italcostruzioni" sh.p.k. ("Euro Busines 2006"), etj.. Që të gjitha këto kompani (deri tani 15) kanë nisur procedurat legale të falimentimit pranë Gjykatës së Tiranës, duke i drejtuar dokumentacionet përkatëse edhe drejtorive tatimore në rrethet ku ato ushtronin aktivitetin e tyre të biznesit. Në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës janë të afishuar dhe emrat e përfaqësuesve të firmave që kanë përfaqësuar aplikimin e kërkesë-falimentimit, si dhe emrat e gjyqtarëve që do të marrin ose kanë marrë çështjet në shqyrtim. Lajmin për këtë falimentim e konfirmojnë edhe burime pranë Drejtorisë së Biznesit “VIP” në Tiranë, të cilët kanë thënë për gazetën “Albania” se, “në këtë drejtori janë depozituar edhe kërkesa të tjera nga kompani të mëdha ose VIP dhe kanë nisur edhe procedurat për në gjykatë”. Por edhe pse numri i tyre mund të jetë edhe më i madh se vetëm 15 të bëra publike tashmë, nga ana e qeverisë nuk është marrë asnjë masë për t’i subvencionuar apo ndihmuar me kredi këto kompani me qëllim që të mos falimentojnë. Falimentimi i tyre do të sillte për ekonominë e vendit një zinxhir pasojash social-ekonomie, duke nisur që nga mospagesa e taksave, shtimi i numrit të të papunëve, etj.
Fenomeni
Subjektet e biznesit të madh në vend, përveç rënies së fuqisë blerëse, kanë edhe probleme me shtetin. I tillë është rimbursimi për taksa të ndryshme si TVSH-ja që Tatimet dhe Doganat duhet t’u bëjnë subjekteve, sidomos atyre të import-eksportit. Probleme ka edhe në kushtet kur Gjyqësori nuk arrin të urdhërojë shlyerjen e detyrimeve financiare të vetë administratës shtetërore (Tatime e Dogana), për shkelje të ndryshme që punonjësit e këtyre administratave kanë bërë ndaj subjekteve private. Sipas statistikave zyrtare të marra në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, mësohet se “aktualisht janë 515 kompani shqiptare në likuidim e sipër (vetëm kompani që veprojnë në kushtet e kuadrit ligjor në fuqi)”. Por është mjaft e vështirë të mësohet realiteti për shumë kompani dhe subjekte që veprojnë në kushtet e një informaliteti të theksuar, ku shumica e tyre e ushtrojnë aktivitetin e biznesit "në të zezë".
Biznesi i vogël
Varfëria, papunësia, rënia e fuqisë blerëse, malli i dhënë veresie dhe faktorë të tjerë janë bërë shkak për falimentimin e një numri të madh subjektesh të biznesit të vogël në shumë qytete të vendit. Pasojat e krizës ekonomike në Shqipëri ka nisur t’i ndiejë i pari biznesi i vogël. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, por dhe të Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë, “vetëm në dy javët e para të vitit 2009 janë shqyrtuar 102 aplikime për kërkesë falimentimi, për të cilat do të nisin procedurat gjyqësore”. Sipas të njëjtave burime, janë disa qindra kompani biznesi, të cilat po shpallin likuidimin në Regjistrin Tregtar. 300 biznese të vogla janë mbyllur gjatë vitit 2008 në qytetin e Korçës, ku shkak është bërë rënia e fuqisë blerëse dhe pamundësia për të mbledhur paratë e mallrave të dhëna me listë. Shifra e bizneseve që kanë deklaruar mbylljen e aktivitetit konfirmohet nga Drejtoria e të Ardhurave në Bashkinë e Korçës, ku drejtori Petrika Tollkuçi ka deklaruar se shkaqet lidhen më shumë me krizën ekonomike.
20 Mars 2009