Kriza, BSH-ja njofton rënie të kreditimit të ekonomisë
Banka e Shqipërisë konfirmon faktin se gjatë muajit të fundit kredia në vend është reduktuar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat kanë dhënë më pak kredi, madje rënia më e ndjeshme ka qenë për kredinë në euro. Në janar, kredia e re në monedhën europiane ishte vetëm 45 milionë euro, duke shënuar pikun më të ulët të dy viteve të fundit. Tkurrje ka shënuar edhe kredia në dollarë. Në janar, kredia e re në monedhën amerikane ishte 14 milionë dollarë. Ndërsa sipas BSH-së, kredia në lekë vazhdon të ketë të njëjtat ritme rritjeje. Sipas të dhënave në janar, kredia e re në monedhën vendase ishte 8.67 miliardë lekë. Sipas BSH-së, rënia e kredisë ka ndodhur për disa arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me presionin që sjell kriza financiare, e cila i ka bërë bankat më të kujdesshme. Tashmë përpara se të japin një kredi, bankat kërkojnë garanci më shumë nga klientët për të kredituar. Por edhe vetë kërkesa e bizneseve dhe qytetarëve për kredi duket se është tkurrur nga interesat më të larta. Sipas ekspertëve të ekonomisë, gjatë këtij viti pritet që ritmet e kreditimit të ekonomisë të përgjysmohen krahasuar me një vit më parë, duke vlerësuar një ritëm rritjeje prej rreth 20 për qind me bazë vjetore. Ulja e nivelit të kreditimit ishte paralajmëruar edhe më parë nga ekspertët e ekonomisë dhe kjo si pasojë e krizës globale. Por, për fat të mirë, bankat që operojnë në tregun vendas nuk janë infektuar nga kriza e bankave.
Qendra Kombëtare e Licencimit nis nga puna në muajin maj
Qendra Kombëtare e Licencimit pritet të funksionojë brenda muajit maj të këtij viti dhe për këtë qëllim ka filluar dhe procesi i trajnimit të stafit. “Me funksionimin e QKL-së, biznesi do të çlirohet nga barra e madhe e të trokiturit në shumë dyer për të marrë një leje të vetme dhe nuk do të kërkojë gjatë informacion mbi aplikimin e tij, sepse do ta ketë atë gjithmonë të gatshëm dhe të prekshëm online", - u shpreh dje ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Pas studimit rezultoi se nga më shumë se 180 leje dhe licenca, dy të tretat ishin të eliminueshme, ndërsa 60 të nevojshme. "Të gjitha këto pritet të grumbullohen në atë që quhet "One stop Shop" për lejet dhe licencat ose në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave", - tha ministri Ruli. QKL ngrihet me ligj të veçantë, të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Ky ligj fut një nocion të ri të rëndësishëm, që është miratimi në heshtje. Personi bën aplikimin në QKL sipas llojit të lejes dhe ai përpunohet brenda QKL-së ose në bashkëpunim me institucionet e tjera. Nëse aplikuesi nuk merr përgjigje brenda afateve të përcaktuara në ligj, kjo leje quhet automatikisht e miratuar. Vënia në funksionim e regjistrit të QKL-së do të bëjë të mundur që të gjithë do të mund të shikojnë se cilat licenca janë lëshuar, kujt dhe për çfarë arsye.
Kuvendi voton heqjen e taksës doganore prej 2 % për importin e energjisë
Tarifa e importit të energjisë prej 2% tashmë është shfuqizuar. Kuvendi miratoi dje në seancë plenare ndryshimet e propozuara në ligjin "Për miratimin e niveleve të tarifës doganore", që heqin taksën doganore prej 2 % për importin e energjisë elektrike. Heqja e kësaj takse erdhi në kuadër të traktatit të krijimit të komunitetit të energjisë, ndërmjet Komunitetit Europian dhe vendeve ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë, që përcakton një sërë masash të karakterit ligjor dhe ekonomiko-financiar, të cilat duhet të zbatohen nga shtetet anëtare. Sipas relacionit bashkëngjitur projektligjit, konkretisht në këtë traktat përcaktohet se, "palët do të eliminojnë taksat doganore dhe kufizimet sasiore mbi importin dhe eksportin e energjisë dhe të gjitha masat që kanë efekt të njëjtë. Ky ndalim do të zbatohet edhe për tarifat doganore me natyrë fiskale". Heqja e kësaj takse, sipas relacionit, ka efekte financiare që rrjedhin nga pagesa e kësaj takse në buxhetin deficitar të KESH, sh.a-së. Efekti financiar i pritshëm nga reduktimi i kësaj tarife doganore, i llogaritur në bazë të importit të bërë për vitin 2008, në sasi dhe në çmim, parashikohet të jetë rreth 488 milionë lekë.
20 Mars 2009