E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtari Ardian Nuni do të kthehet në prill nga Amerika

Nuni: “Jam në SHBA për një kontroll mjekësor”. Gjykata e Lartë: “Ne kemi raport mjekësor për mungesën e gjyqtarit në punë”

Laureta Rryçi

Tiranë – U largua nga Shqipëria, por nuk ka kërkuar strehim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Largimi i gjyqtarit Nuni nuk është bërë për arsye sigurie. Në një prononcim nga Nju Jorku për njërën nga mediat, ai ka hedhur poshtë deklaratat se ka kërkuar strehim në SHBA. Gjatë komunikimit me telefon, gjyqtari i Gjykatës së Lartë nënvizon se po qëndron në SHBA prej disa javësh për një kontroll mjekësor pas atentatit që iu bë disa kohë më parë, pranë shtëpisë së tij. Policia ende nuk e ka zbuluar autorin e atentatit të 8 shkurtit 2009. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë mohuan dje të kishin informacion për një largim përgjithnjë të tij. “Gjyqtari Ardian Nuni ka paraqitur në gjykatë raportin mjekësor. Ne nuk kemi dijeni nëse gjyqtari nuk do të kthehet më në punë”. Kjo ka qenë deklarata e vetme e dhënë nga Gjykata e Lartë për gjyqtarin Ardian Nuni. Në këtë mënyrë, për momentin kërkesa e tij për strehim politik nuk mohohet dhe as pohohet.
Ngjarja
Ardian Nuni ra pre e një atentati mbrëmjen e 8 shkurtit afër pallatit të tij, që ndodhet pranë parkut të delegacioneve në rrugën “Komuna e Parisit” në kryeqytet. Ai mbeti i plagosur me katër plumba, por për fat të mirë i shpëtoi vdekjes. Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka marrë në dorë çështjen, ka disa pista hetimi të hapura. Njëra pistë është ajo për shkak të detyrës së tij si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, pista tjetër është fakti që Ardian Nuni është pedagog në Fakultetin Juridik. Gjatë kësaj kohe, prokuroria ka ripyetur fqinjë të gjyqtarit, roje parkimi apo pallatesh pranë vendit ku ndodhi atentati, si dhe personat që e kanë transferuar Nunin drejt Spitalit Ushtarak, por ende nuk është zbuluar autori i atentatit.
Gjyqtari
Ardian Nuni, anëtar i Gjykatës së Lartë, ka lindur në Korçë më 01 janar 1969. Është i martuar dhe ka një fëmijë. Është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1991. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2004 titullin “Profesor i Asociuar”. Ai ka punuar si gjyqtar dhe si pedagog, ndërsa para se të shkonte në Gjykatën e Lartë ka qenë zëvendësdekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe shef i Departamentit të së Drejtës Civile. Vitet e fundit ai ka ushtruar edhe profesionin e avokatit. Me emërimin në Gjykatën e Lartë, z. Nuni ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet e mëparshme që mbante.
Akti i rëndë u dënua nga të gjithë gjyqtarët, kolegë të Ardian Nunit, si dhe nga organizma të tjerë ndërkombëtarë.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›