E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Greqia Arben Kumaraku, i akuzuar për vjedhjen e kazinosë në Kavajë



Tiranë – Policia e Shtetit bën të ditur se është mundësuar kryerja e ekstradimit nga Athina drejt vendit tonë i 32-vjeçarit Arben Kumaraku, lindur në Urën Vajgurore. Sipas të dhënave policore për gazetën “Albania”, Kumaraku dyshohet se më datë 28.09.2008 në bashkëpunim me disa persona të tjerë kanë vjedhur, nën kërcënimin e armëve dhe të pajisur me maska, kazinonë e E. Licas në qytetin e Kavajës. Gjykata e Rrethit Kavajë, me Vendimin Nr. 195, datë 07. 10. 2008, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Kumarakun për veprën penale “Vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, të parashikuara nga Nenet 140, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Pranvera vjen me transport klandestinësh, në pranga 59-vjeçari

Vlorë - Strukturat e antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Vlorës kanë arrestuar një 59-vjeçar nga Saranda, pasi ka tentuar të kalojë në mënyrë të paligjshme 6 klandestinë në drejtim të shtetit grek. Burime zyrtare nga policia thanë për gazetën se mbrëmjen e djeshme u bë i mundur arrestimi në flagrancë i Gëzim Mukës, 59 vjeç, banues në fshatin Shalës të Sarandës. Muka u arrestua pasi në datën 18 mars 2009, rreth orës 17:20, është kapur në flagrancë nga strukturat e antitrafikut duke dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe duke transportuar me mjetin e tij tip Xhip Land-Rover, me targa SR 4531 B, 6 persona. Konkretisht, klandestinët janë me inicialet A. H., A. M., R. I., Sh.T., P. Ll. dhe N. A. Ata u ndaluan nga policia dhe, pasi u mor masa administrative për pagesën e gjobës, u lanë të lirë. Muka është dërguar në dhomat e paraburgimit pasi u faktua se në afërsi të kufirit me shtetin grek, në fshatin Verve, ka tentuar të kalojë nga ana tjetër e kufirit, pra në drejtim të shtetit grek, 6 personat e sipërpërmendur, duke përfituar një shumë parash prej 3.500 lekësh për person.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›