Arsyet amerikane dhe shqiptare për ftesën në NATO
Pas një paralajmërimi të ashpër të diplomacisë amerikane në fund të muajit korrik, dhe mesazheve të qarta të ardhura nga Uashingtoni që konfirmuan qëndrimet e diplomatëve amerikanë në Tiranë, Tirana zyrtare duhet të bëjë tashmë kujdes në përdorimin pozitiv të kësaj arritjeje historike për Shqipërinë. Të gjitha pikëpyetjet e ngritura pas muajit prill 2008 rreth zhvillimeve në Shqipëri janë të hapura, dhe qëndrimet e reja të Uashingtonit, të shprehura sidomos në fjalën e zotit Fried në Komisionin e Jashtëm, do të jenë një test i fortë për të mbajtur nën kontroll çdo përpjekje për cenim të standardeve demokratike në vend.
Uashingtoni mbetet realisht i shqetësuar mbi të gjitha për faktin se shumica në pushtet shfrytëzon çdo rast për të sulmuar Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Debati më i fundit i tyre rreth vdekjes së qytetarit Kosta Trebicka dëshmonte qartë një tendencë për të pasur target sulmi Prokurorinë e Përgjithshme, për t`i dalë përpara në mënyrë paragjykuese çdo rezultati hetimi. Ky sulm ka pasur sulme të tjera ndaj saj, që prej kohës kur kryeparlamentarja Topalli i sugjeroi prokurorisë pistat e hetimit për Gërdecin dhe zboi nga Kuvendi diplomatët perëndimorë që kishin ardhur të dëgjonin raportin vjetor të zonjës Rama. Kjo klimë mbytëse ndaj saj ka rritur vëmendjen e qeverisë amerikane ndaj hetimeve të Gërdecit, të cilat, siç tha zoti Fried, mund të kenë përfundime shqetësuese për qeverinë.
Nga ana tjetër, shqetësimi i diplomacisë amerikane për hapat mbrapa në Shqipëri mbetet konstant dhe është bërë kujdes t’u përcillet dhe përfaqësueseve të opozitës që kanë vizituar Uashingtonin, si dhe vetë qeverisë, në takimet zyrtare me të.
Përpjekjet e qeverisë për të personalizuar qëndrimet e ambasadorit Withers po ashtu kanë qenë të dështuara, pasi Uashingtoni ka konfirmuar qëndrimet e tij zyrtare duke e vënë shpesh qeverinë dhe njerëzit rrotull kryeministrit në pozitë të vështirë.
Ratifikimi prej Senatit për Protokollet e Hyrjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë ka rritur po ashtu kujdesin në Uashington që kjo të mos përdoret për eufori që të mbulojë hapat regresivë. Ajo që ndodhi me ftesën për në NATO, është një mësim i madh për ta. Fill pas marrjes së ftesës për në NATO, qeveria e Tiranës nisi sulmet ndaj Prokurores së Përgjithshme, futi në krizë marrëdhëniet me presidentin, për shkak të tendencës për të kontrolluar përbërjen e Gjykatës së Lartë, nisi përpjekjet për të ndryshuar ligjin për shërbimet sekrete, sipas modelit “emergjent” të Tom Ridge pas 11 shtatorit 2001, i dha sinjale të qarta largimit të misionit të OSBE nga Tirana, si dhe demonstroi arrogancë në mbrojtje të ministrit Mediu, i akuzuar si përgjegjësi kryesor për tragjedinë e Gërdecit.
Zhvillimet e brendshme politike në SHBA rrezikonin që Shqipërisë t’i shtyhej ky miratim në vitin që vinte. Demokratët që besojnë se do të fitojnë pushtetin, kishin një plan të qartë për të përdorur problemet e ndodhura në Tiranë si një arsyetim për të pritur zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë dhe miratimi të bëhej pas saj. Por ngjarjet e Gjeorgjisë dhe arroganca ruse ndaj Perëndimit krijuan një situatë të re gjeopolitike dhe demokratët në SHBA, ende në opozitë, dhanë konsensusin e plotë për zgjerimin e menjëhershëm të NATO-s, duke i bërë kështu një nder historik kombit shqiptar. Kandidati për zëvendëspresident, Joseph Biden, një mik i madh i Shqipërisë, ka dhënë në këtë mes një ndihmesë historike. Por kjo, siç theksoi dje ambasada amerikane në njoftimin e saj, e obligon Shqipërinë të ndërmarrë një sërë reformash të reja dhe të vazhdojë ato që ka nisur. Kjo do të thotë se qeveria e Tiranës duhet të bëjë kujdes të mos keqpërdorë arsyet amerikane të marrjes së ftesës për NATO dhe po ashtu të gjejë shumë arsye shqiptare, me qëllim që t’i bindë të gjithë, se e ka merituar këtë ftesë si komb.