GNK: Janë rritur shanset për ndarjen e Kosovës
Në raportin e fundit të publikuar dje "Tranzicioni i brishtë i Kosovës, GNK ka thënë se komuniteti ndërkombëtar që nga 17 shkurti, nuk ka vendosur një bazë të qëndrueshme.
Në raport thuhet se pavarësia është dashur të mbikëqyrej, bazuar në propozimin e Ahtisaar-it, por, përkrahësit e planit, nuk i kanë mbajtur zotimet e tyre, për shkak të kundërshtimit serb dhe rus, vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe koordinimit të dobët.
"Dhuna e madhe është evituar, por qetësia është mashtruese", ka thënë drejtori i GNK për Kosovën Aleks Anderson.
Nëse ndarja faktike vazhdon, serbët në jug të lumit Ibër do të jenë të rrezikuar, do të rritet presioni për të rishkruar kufijtë në shtetet e ish-Jugosllavisë, dhe perspektiva e anëtarësimit të këtyre shteteve në BE do të zbehet, thuhet në raport.
Raporti vë në pah se Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) i mungon autoriteti i planifikuar për të.
BE ishte pajtuar në shkurt, që të vendosë misionin e EULEX-it prej 2000 personash, por vetëm një e katërta e këtij stafi janë në terren.
GNK thekson se misioni i OKB-së ende funksionon si administratë e përkohshme, dhe po negocion aranzhime speciale për serbët e Kosovës me Beogradin.
Grupi shkruan se tërheqja e UNMIK-ut dhe zbarkimi i EULEX-it në zonat e banuara me serbë, mbetet e paqartë.
GNK nënvizon se qeveria e re e Serbisë është e etur të lëvizë drejt anëtarësimit të BE-së, por nuk e dëshiron praninë e BE-së në Kosovë.
Grupi i rekomandon BE-së që në bisedimet për kandidaturë me Beogradin ta sigurojë zbarkimin e misionit në tërë Kosovën.
Sipas këtij grupi, EULEX duhet të zbarkohet më 1 dhjetor, ndërsa të gjitha palët duhet pajtuar për rishikim te misionit më së largu më 2010.
Reperkusionet për Kosovën nga ngjarjet e fundit në Gjeorgji mbesin të shihen, shkruan GNK, duke vënë në pah se Rusia po merr shembull Ballkanin si justifikim për veprimet e saj në Oseti dhe Abkhazi.
"Kosova po dëshmon të jetë një test i vështirë dhe vendimtar për politikën mbrojtëse dhe të sigurisë së BE-së, por vullneti politik i parë para shkurtit, po zbehet", ka thënë Sabine Freizer, drejtoreshë e GNK-së për Evropën.