Claudia Keelan: Poezia duhet t’i largohet violencës së imazhit
-Flet për “TemA” Claudia Ceelan, poetja e ftuar në Edicionin e Katërt të Festivalit të Poezisë dhe Literaturës “POETEKA” në Durrës, e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Claudia Keelan ka qenë një nga protagonistet më interesante të zhvillimeve të ditës së dytë të Edicionit IV të Festivalit të Poezisë dhe Literaturës “POETEKA” që po zhvillohet këto ditë në Durrës, ndërsa dje u zhvillua me sukses dita e tretë e këtij festivali ku nuk munguan surprizat. Surpriza e të gjitha surprizave këtë herë ishte piktorja dhe poetja shqiptare Natasha Bega, e cila praninë e saj në leximin e poezive se bashku me poetet Feride Papleka e Adriatike Lami e ka shoqëruar edhe me disa kompozime me kitarë, por më tepër Bega i mahniti të pranishmit me artin e rrëfimit të kategorive të saj estetike që ngjizin krijimtarinë e saj. Po kështu e bukur ka qenë intervista në Torra Veneciane e poetit portugez Casimiro De Brito me përkthyesen e parë të poezive të tij në shqip Entela Safeti Kasi. Poetët VVilliam N. Herbert nga Britania e madhe, Balil Gjini nga Shqipëria, Ron VVilker nga Gjermania, etj, i kanë bërë orët e para të ditës të kalojnë shpejt dhe bukur, ndërsa kanë vijuar leximet e autorëve në orët e mbasdites për të vijuar deri tek Dokumental-Videopopema e më tej. Por cila ka qenë në fakt mes këtyre aktivitetev tërheqja për ta intervistuar poeten e ardhur nga SHBA-të?!. Sigurisht nuk do të ishte vetëm karriera e saj e pasur letrare e cila rrethohet me 6 libra me poezi, por edhe fakti që ajo tërhoqi vëmendjen me intervistën dhe leximet në aktivitetin e paradites të zhvilluar në Torra Veneciane dhe më pas Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” nëpërmjet kumtesës së saj “Të kujtosh Stevensin”, e cila ka shkak vëllimin e tij poetik “Mendje Dimri” të sapobotuar nga “Poeteka”, përkthyer në shqip nga Parid Teferiç. Dhe ndodhi që krejt rastësisht me të u krijua një duet interesant në ligjëratat që pati, sepse ishte vetë ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon L. Uithers, që e nisi ligjëratën e përshëndetjes së festivalit POETEKA me një poezi të H. VV. Longfellovv-t dhe papritur ai krijoi para publikut një ese të mahnitshme poetike. Të gjithë i çuditi performanca e dr. Uithers, saqë janë shprehur se si ka mundësi që një diplomat mund të ishte edhe poet. Ndërsa, në ditët në vijim të festivalit do të botohet e plotë në gazetën “TemA” kjo krijimtari spontane që bëri ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, mësojmë se dhe vetë poetja e njohur amerikane Claudia Keelan ka qenë e habitur dhe është ndier krenare. Prezantimi i Claudia Keelan në Festivalin POETEKA ka krijuar imazhin e një poeteje që gjakon nëpër rrënjët e traditave më të mira shpirtërore të njerëzimit, disa prej tyre të humbura dhe disa të zvetënuara prej violencës së imazhit që ka krijuar TV, fotografia, kompjuteri, etj, në mendjen e njerëzve dhe sidomos të rinjve. Madje ajo mendon se ka qenë më e çmuar ajo traditë e amerikanëve të vjetër që nuk kanë dashur të fotografohen duke besuar se fotografia të vjedh shpirtin. Sigurisht Claudia Keelan nuk është kundër arteve e as kundër gjuhës piktorike, por ajo ndjen e sheh me dhimbje këtë shtypje ose protektorat që vendos imazhi në shpirtrat dhe mendjet e njerëzve. Nëpërmjet kësaj interviste do të mësojmë shumë ide të tjera që Claudia-s do t’i vinë nga dëgjimi që i bën shpirtit dhe muzikës së jetës. Shkurt, e thënë me gjuhën metaforike të poetit, Keelan imazhin po e urren. Ajo është profesoreshë e Anglishtes dhe e Krijimtarisë në Universitetin e Nevadës në Las Vegas ku boton gjithashtu gazetën letrare “Interim”.
Dhurata Hamzai: Zonja Claudia Keelan, duke ju dëgjuar në interpretimet tuaja interesante, gjatë ditës së djeshme në festivalin e poezisë dhe literaturës POETEKA drejtuam vëmendjen nga të gjitha ato që thatë, por ka disa gjëra që të mbeten më fort në mendje dhe këto zakonisht janë idetë dhe mendimet tuaja kundër rrymës. Gati isha dakort me ju për vjedhjen e shpirtit nga fotografia. A mund të na thoni se si e perceptoni ju këtë ndjesi?
Claudia Keelan: -PO patjetër. Është fakt se shumë nga poetët e shekullit 20-kanë sjellë në letërsi edhe nocionin për imazhin. Dhe unë gjithmonë kam ndier se kjo gjë i kufizon shqisat tona.
Dh.H: Pikërisht, këtu doja të dilja me pyetjen për ju se cila është violenca e TV-së, e filmit, Hollivudit e spektaklit, ose e thënë shkurt violenca e imazhit mbi mendjen e të rinjve?
Claudia Keelan: -Pushteti i tyre është ky. Ato imazhe na japin një përfaqësim të tillë të jetës që nuk është në të vërtetë jeta.
Dh.H: Atëherë, si do ta shmangnit ju si poete këtë dukuri?
Claudia Keelan: -Duke e përmbledhur ideja është kjo, do të përpiqesha ta shmangia atë dukuri që sapo thamë duke e bërë që ta shikojmë më shumë nga pikëpamja e këngës se sa e imazhit, që do të thotë; çdo fjalë duhet përdorur me kujdes. Gjuha duhet përdorur me kujdes. Dhe ajo që do të përfitohet pastaj do të jetë një ndjenjë, kurse nga ana tjetër imazhi ose piktura kufizojnë qenien brenda, domethënë kufizojnë ato marrëdhënie që janë aty. Dhe kjo mund të shmanget pak a shumë nëpërmjet këngës.
Dh.H: A thua se piktura abstrakte ka ardhur pikërisht sepse ka ndjerë para saj violencën e imazhit dhe pastaj i ka kapërcyer këto kufij?
Claudia Keelan: -Unë mendoj se është kështu, sepse pikërisht piktorët Picasso, Mattise, etj, e më përkëtej sigurisht që kanë pasur të qartë se në këtë drejtim duhet të shkonin, sepse duke shpërbërë imazhin e drejtëpërdrejtë do të japin një ndjesi më të mirë të brendësisë së tyre. Me këtë që thatë do të isha e mendimit Po, absolutisht. Dhe po ashtu mendoj se ata donin të ishin të vetëdijshëm se piktura është materiale, nuk është vetëm një materie e hedhur në letër. Po të kini parasysh modelet që ka qenë tradicionalisht, ikonat e Shën Marisë ose të Krishtit, domethënë figurat magjistare, po që ne i shikojmë në këtë kuptim, ato të japin idenë se tashmë janë piktura të Zotit vetë. Në këtë kuptim piktura e bënë atë vështruesin, ose kundruesin që të jetë shumë herë më aktiv me brendine e tij kundrejt asaj pikture.
Dh.H: Në intervistën për publikun e festivalit POETEKA ju jeni shprehur me keqardhje të madhe se po humbet tradita e muzikës së vjetër amerikane. Si duhet marrë parasysh ky përcaktim, vërtetë kjo ka ndodhur?
Claudia Keelan: Në fillim muzika amerikane ka nisur si një muzikë skllevërish që ka ardhur nga Afrika e Jugut aty në Amerikë dhe të gjitha ishin këngë malli për shtëpinë. Këto ndjesi ishin tingujt e atyre këngëve. Pastaj kur ata u kristianizuan, sepse kjo është një gjë që u ngjau atyre, filluan pastaj dhe këngë të krishtera. Siç thuhet, ata sollën mallin, atë përmallimin e një afrikani që ikën larg nga vendlindja e vet dhe vjen në këtë terren amerikan. Ndërsa muzika përparonte në Amerikë, ndodhi që muzika të lëvrohej në shumë mënyra, përfshi këtu dhe muzikën patriotike. Në atë kohë kishte banda që lëvronin muzikë me tone marshi. Card Hide është shumë i kërkuar nga kjo lloj muzike që kishte tone dhe marshe dhe që nuk ishte diçka e njohur më parë.
Dh.H: Po ju, zonja Keelan, pse paskeni kaq shumë nostalgji për këtë muzikë?
Claudia Keelan: -Unë mendoj se ishte Card Hide ai që kishte nostalgji për këtë muzikë, që ishte shumë e sinqertë dhe kishte njëkohësisht shumë ide, sepse toni i marshit ishte me natyrë triumfale dhe toni i marshit do të ishte triumfal për atë që lidhet me Amerikën dhe për Amerikën dhe kjo tashmë është tipike në Amerikë. Amerika përveç qyteteve të mëdha, po ashtu është e ndërtuar edhe nga fshatra fare të vegjël
Dhe njerëzit e këtyre fshatrave të vogla janë shumë patriot. Ka raste që kjo është diçka e mirë, është në rregull, por në të shumtën e rasteve nuk është diçka e mirë. Në Amerikë ndodhi që disa këndonin këngë patriotike (Claudia nis të këndojë ndryshimin muzikor, ta-tata ta ta ta….dh.h). Kishte dhe një grup që këndonte këngët kristiane me një vijë muzikore shumë të butë. Kështu që në këtë mënyrë Card Hide bëri një muzikë mes të dyjave që e bëri edhe më interesante këtë gjë.
Dh.H: Gjatë aktivitetit në mbrëmjen e ditës së dytë të poetekës, ju patët një performancë shumë interesante të ligjëratës suaj dhe është e habitshme se si me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, zotin Uither ju krijuat një “duet” artistik. A nuk të duket në këtë rast sikur janë të gjithë amerikanët pak poetë?
Claudia Keelan: -Ndoshta kështu do të dukej, sepse edhe unë vetë u befasova. Edhe publiku u befasua nga ambasadori dhe unë mendoj se ishte diçka e pazakontë ajo që dëgjuam për të qenë një ambasador. Ai ishte shumë befasues kur filloj të recitonte vargje nga Longfellovv, poet i famshëm dhe madje ai ndau një ngjarje me publikun që e rrëfeu në mënyrë shumë poetike, por ai më befasoi kur pas kësaj më tha se një herë tjetër mund të vimë unë dhe bashkëshorti im në shtëpinë e ambasadorit në Tiranë, sigurisht për të folur vetëm për poezinë.
Dh.H: Ja ku dolëm edhe tek surprizat e këtij festivali. Çfarë të tjera keni zbuluar ju gjatë qëndrimit tuaj dyditor në festivalin POETEKA?
Claudia Keelan: Jam e sigurt se do të ketë shumë të tjera..!
Dh.H: A ju ka befasuar diçka më konkrete?
Claudia Keelan: Ah, sigurisht që po. Unë desha të ndalesha tek ajo piktura aty. (Në Muzeun Etnografik të Durrësit është e varur një pikturë që tregon për historinë e grave suljote, të cilat për të mos rënë në dorë të armikut, hidhnin valle duke u hedhur dora dorës nga shkëmbi-dh.h.). Pyeta për atë pikturë dhe m’u duk një histori rrënqethëse ajo që dëgjova. Një histori rrënqethëse e vendit tuaj. Nuk di pse më ngacmoi që në fillim ajo pikturë. Nuk e dija historinë, por më ka pëlqyer shumë.