Ligji për gjykatën administrative, konflikt interesi me një deputet të PD
Ministri Alibeaj është parë kohët e fundit në disa seminare apo tryeza për ligjin e gjykatës administrative. Interesant është fakti se ai bën kujdes të mos mungojë kurrë në këto debate, përkundër punëve të mëdha që mund të ketë si ministër.
Miku i rubrikës sonë, Flamuri, na shpjegoi dhe arsyet reale të këtij angazhimi. Sipas tij, Alibeaj ka rekomanduar që zyra ligjore e një deputeti të PD, ish-anëtar i KOP, Eris Hoxha, të merret me përgatitjen e draftit të ligjit për gjykatën administrative.
Projekti, sipas Drejtorisë së Kodifikimit të Ministrisë së Drejtësisë, kushton disa milionë euro. Disa thonë 3, disa 5, por Flamuri këtu nuk ishte i sigurt. Projekti është fituar me referencë të ministrisë te një nga donatorët e qeverisë shqiptare si pjesë e ndërmjetësimit. Por këtu nis dhe konflikti i interesit. Asistentja e kësaj zyre juridike, Edlira Noçka, në të njëjtën kohë që u sigurua projekti, u shpërblye me emërim si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë.
Flamuri, i nxehur së tepërmi me këtë abuzim të ri të KOP-it, tha se kishte njoftuar deri lart.
- E mora në telefon atë burrin dhe i thashë, kam një muhabet, por s’dua të më mbash mëri.
“Eja, - më tha, - por ma thuaj shpejt”. Ia numërova të gjitha. I thashë, Eris Hoxha dhe Shpati Hoxha kanë bërë kështu e kështu e kështu.
“Kush është Shpati?” - më tha.
- Nipi i shokut Enver, i thashë, - po s’ka gjë se është djalë i mirë. Më ngatërrestar na duket ky yni. Të kam thënë që gjithë këta të KOP hajdutë na dalin, por t’i s’të lë t’i shash.
- Mirë Flamur, ik tani se e mora vesh, - tha. - Shiko, me kujdes po kape ndonjë fakt dhe më thuaj.
- Ika, s’ke ç’i bën. Kështu ma bën gjithmonë ai burri, kur i them ndonjë gjë për KOP. Ka hall se i shaj Lul Bashën dhe ma pret shkurt.
Brenda një muaji, ministri është parë në tri aktivitete me këtë studio dhe tryeza, me demek debati për projektligjin dhe disa studio të tjera, ku ai ka pas konflikt interesi. Unë kam burimet e mia te Ministria e Drejtësisë. Kjo punë e shumës dhe mua më duket pak e madhe, por sidoqoftë e vërteta është se kështu ka ndodhur.
- Po tani ç’do bësh, se ai burri s’të paska hapur rrugë?
- S’kam ç’bëj, do t’i ruaj mos i kap diku tjetër. Se ky Erisi është i poshtër. Më ka hapur dhe telashe në Pogradec. Një kuksian që kisha në polici, bëri namin sa e hoqa. Tani ka nis merr pará dhe në Tiranë. I kam thënë kaq herë atij burrit të mos e shoh më të më ngatërrohet në Pogradec, por “lëre, - thotë, - se është fëmijë dhe s’kupton”. S’kupton, s’kupton, por për të bërë lekë merr vesh. Më rruat mua që lodhem gjithë ditën, mbaj gjithë këtë parti në shpinë, gjithë hallet e saj dhe asnjë lek. S’më del koha as të ha bukë. Gjithë këta të KOP u shqepën në pará. Po ç’t’i bëj atij burrit se ua rregulloj unë, kur të vijnë zgjedhjet në parti. Një anëtar, zero vota kam për t’ua bërë. Ta shikojnë me dylbi partinë. Vetëm po i futi në lista ai burri s’kam ç’u bëj. Se ai shpesh i bën gjërat me kokë të vet, pa më pyetur.