Flamuri shpjegon arsyet pse duhet zbuar FMN
Qeveria shqiptare ka nisur përpjekjet për të mos përsëritur kontratën me FMN, në janar. Ka disa ditë që media dhe opozita për bëjnë zhurmë për këtë punë, por askush nga qeveria nuk flet. Dhe nuk kanë arsye të flasin. Nuk është se ata po e zbojnë FMN. Ata thjesht nuk i kanë dhënë fjalën që do ta mbajnë pas janarit. Për këtë shpjegimin më të qartë na e bëri miku i rubrikës sonë, Flamuri.
Sipas tij, ka një plan të hollësishëm se si do veprojë qeveria në këtë pikë.
- Në krye të planit është Ridvani. Ai i ka mbushur mendjen atij burrit se FMN është pengesë e madhe për kreditë. Se, që ta dish ti, Ridvani mezi i mbushi mendjen FMN për 700 milionë euro kredi gjatë vitit që shkoi, se nuk na lejonin. Mezi na lejuan. Problemi është të marrim kredi në tregun tonë. Se nga bankat e huaja që rekomandonin ata, nuk kishe ndonjë fitim. P.sh., BERZH ia jep Ridvanit kreditë me 6 për qind. Por Ridvani mund t’ia marrë bankave të nivelit të dytë në Shqipëri me 4 për qind dhe i ndajnë dhe ndonjë lek mënjanë në ndonjë llogari që s’merret vesh. E bëri me ca banka tani që e lejoi FMN. Negocioi vetë dhe ia zbardhi faqen qeverisë. Dhe interesin e mori më të ulët, dhe për vete i pikoi diçka. Ndaj duhet zbuar FMN. Jo duhet zbuar, por nuk duhet vazhduar më kontrata. Është bërë këtu më keq se në ‘97. Nga një anë FMN, nga ana tjetër OSBE, këtej ambasada amerikane. Mirë ambasadat që s’i heqim dot, po këto misionet duhen hequr. S’ke ç’i do këto.
- Po është pak si ters tani para zgjedhjeve, se do thonë e zbuan nga zgjedhjet.
- Le të thonë çfarë të duan. S’kemi gjë me zgjedhjet. FMN e mbaron vetë mandatin në janar. Ridvani i ka thënë atij burrit: “Po ia përsërite mandatin, unë jap dorëheqjen”. Ata nuk të lënë të bësh asnjë lek. Na iku pushteti nëpër shalë, na iku.
- Po ai burri dakord është?
- Ia ka mbush mendjen Ridvani me këto punët e kredive. I thotë, “po nuk e hoqëm qafe FMN, s’kemi kredi. Po s’kemi kredi, s’kemi me se bëjmë rrugë dhe s’kemi ku fitojmë”. Dhe ka të drejtë për hir të së vërtetës. Se janë ca gjëra që s’i dini ju, po ai ka të drejtë.
- Po sikur FMN ta kritikojë qeverinë dhe pa pasur mision këtu? Mund ta hedhë në erë si në ‘96 me dy deklarata.
- Nuk pyet më njeri për ata. Ishte tjetër kohë ajo. Tani është SHBA si Shqipëria. Po bien bankat një nga një. Te ne s’ka rënë asnjë. Janë të gjitha në këmbë. Të marrim ndonjë kredi pa rënë.
- D.m.th., e paskeni ndarë mendjen që do ikin këta të huajt?
- Duhet të ikin doemos. Unë i kam thënë atij burrit me kohë, mo t’i shoh më këtu, po “jo, - thotë, - prit dhe pak”. Ka arritur kulmi, s’durohen më. Për çdo gjë do pyeten ata. Më rruat mua që kam pushtetin. S’më pyesin për asgjë. Ngela me çelësa në qafë. Kanë filluar s’më pyesin as këta drejtorët që kam emëruar vetë, jo FMN e OSBE që kanë kohë që s’më pyesin.