Përgatituni t’i shisni mediat
Duhet qëndruar parapa konceptit evropian se gazetat kanë filluar të bien nga tirazhi jo për faktin se lexueshmëria e tyre është më e vogël, po për faktin se viteve të fundit është shumuar numri i tyre.
Të gjitha sondazhet në vendet e Evropës Juglindore dhe të Evropës së Mesme kanë këto probleme, por është rritur nevoja për diçka tjetër. Pra, numri i kopjeve të gazetave filloi të bjerë ndjeshëm, por jo edhe numri i lexuesve, ndërkohë që filloi të rritej interesi për spektakle televizive të tipit amerikan dhe italian. Pse jo edhe francez. Por media po bëhet biznes i suksesshëm dhe njëri prej bizneseve që më së shumti zgjon interesimin e firmave të mëdha evropiane.
Një sistem i ndërtuar prej kohësh që përbëhet nga hulumtimi i tregut të reklamave, pastaj shikueshmëria dhe lejueshmëria, shtresat që lexojnë gazetat dhe shikojnë mediumet, duke përfshirë moshat dhe gjininë.
Shqipëria bëri hapin e parë vitin e kaluar, duke e futur Gjermaninë brenda konceptit evropian të blerjes së mediave nga gjigantët medialë. “Vizion Plus” është shitur me më shumë se 8 milionë, kurse dy gazetat e tjera, “Albania” dhe “Korrieri”, kanë hyrë tashmë si pjesë e kësaj pakoje gjermane.
Ajo që ndodhi me “DigitAlb” është më shumë sesa sensacion. Është sistemi medial më i paguar deri më tash në Ballkan. Por këtë radhë jo nga një firmë evropiane, por nga një firmë amerikane. Mbi 160 milionë ka kushtuar blerja e kësaj platforme dixhitale. Tashmë janë përfundimet e detajeve të kontratës për platformën e “DigitAlb”. Kur shikohet projekti i shitur dhe krahasohet me të gjitha shitjet që ka bërë AKM këto vitet e fundit, del se kjo platformë kap vlerën e më shumë se 50 për qind të shitjeve të objekteve ekonomike në Kosovë.
Por çka ndodhi në Evropë viteve të fundit?
Mbi 80 për qind e tregut të gazetave në Hungari është pronë e të huajve, ndërsa në Poloni të huajt janë pronarë të 70 për qind të shtypit rajonal.
Koncerni gjerman PNP kontrollon 100 për qind të shtypit rajonal në Çeki: dy gazetat më të mëdha të vendit, si edhe 6 revista. Gjigantët perëndimorë të mediave kanë hyrë edhe në Ballkan: PNP (Passauer Neue Presse), me qendër në Bavari, ka në Poloni 12 të përditshme lokale, në Sllovaki 12 gazeta dhe revista, duke përfshirë edhe gazetën SME.
Ndërsa gjiganti WAZ (Westdeutsche Allgemeine Zeitung) është pronari i 130 gazetave në Evropë.
Një prej katër drejtorëve menaxherialë të WAZ është Bodo Hombach - ish koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.
Në Serbi WAZ është bashkëpronar i të përditshmes “Politika” dhe “Vijesti” në Podgoricë.
Në Bullgari ai kontroll grupin bullgar të mediave “168 Chasa Media Group dhe Media Holdings”, plus dy të përditshmet më të mëdha, “24 Chasa” dhe “Dneven Trud”.
Në Kroaci WAZ kontrollon 50 për qind të Europe Press Holdings, plus publikon dy të përditshme dhe 11 revista, ku përfshihet e përjavshmja informative “Globus” dhe edicioni në kroatisht të “Playboy” dhe “Cosmopolitan”.
Në Rumani gjiganti gjerman është bashkëpronar i dy gazetave, ndërsa në Hungari boton 5 të përditshme.
Ky gjigant ka bërë subvencionimin në Maqedoni të grupit të mediave të quajtur Mediaprint Macedonia - dhe drejton tri gazetat më të mëdha të vendit: “Dnevnik”, “Utrinski Vesnik” dhe “Vest”.
“Axel Spirnger Verlag” pretendon se është kompania më e madhe botuese e gazetave në Evropë.
Në Hungari ajo nxjerr 8 gazeta rajonale dhe 16 revista. Në Poloni boton 14 revista, ndërsa në Rumani dhe Çeki 8 revista. “Ringier” - shtëpia më e madhe botuese në Zvicër zotëron rreth 75 për qind të aksioneve të tabloidit çek, “Blesk”, në Hungari është pronare e të së përditshmes më të madhe të vendit “Magyar Hirlap” si dhe të “Blikk”, në Rumani ka 10 revista dhe gazeta, ndërsa në Sllovaki zotëron rreth 60 për qind të tregut të revistave. “Orkla” - konglomerati norvegjez me interesa në vendet skandinave, është pronare e gazetës më të madhe rajonale në Lituani, ka 2 gazetat më të mëdha rajonale ukrainase, në Poloni zotëron 51 për qind të aksioneve të gazetës në nivel kombëtar: “Rzeczpospolita” dhe 13 të përditshme lokale. Grupi finlandez “Sanoma” nxjerr edicionin në gjuhën kroate të revistës “ELLE”, në Çeki kontrollon 26 për qind të tregut të revistave të modës, ndërsa në Hungari zotëron 34 për qind të tregut. Austriakja “Styria Media Grup” është pronare në Kroaci e gazetës me tirazhin më të madh: “Vecernji list”.
Kompania gjermane “Burda”, në Çeki zotëron 13 revista, ndërsa në Rumani 7 gazeta dhe revista të përjavshme.
“Rheinische Post Group” ka pjesën më të madhe të aksioneve në të përditshmet “Lidove Noviny” dhe “Mlada Fronta Dnes”. “Bauer”, gjermane, në Poloni ka 22 për qind të tregut të revistave. Kurse grupi italian “Edisud” në Shqipëri ka të përditshmen “Gazeta Shqiptare”.
Kur lexohen këto fakte dhe shikon se si debatohet për mediat në Kosovë, duke ditur se vetëm dy vite më vonë asgjë s'do të jetë siç ka qenë, atëherë shihet qartë sesa konsumues dhe i padijshëm është ky debat.
Për ata që nuk dinë se kah po shkon media elektronike, duhet ta kenë të qartë se vetëm një vit e diçka më vonë do të ketë frekuenca me thes. Një frekuencë dixhitale ka në vete gjashtë mundësi transmetimi. E gjithë kjo duhet të përfundojë deri në vitin 1911.
Nuk mund të flitet me kaq idiotësi për gjërat që s'kanë as peshë e as vlerë debati. Jetojnë ata që bëjnë programin më të mirë, jo ata që prodhojnë moçal në sistemin medial. Fundja, ata mund të shiten, siç u bë me “Vizion Plus”. Apo të vdesin, siç u bë me dhjetëra televizione në Shqipëri dhe rajon.