Ligji për dosjet dhe thyerja e Kushtetutës
Një ligj për të ndaluar ish-funksionarë të regjimit komunist të jenë ende në disa prej zyrave më të larta të shtetit ka gjetur më ngushtë se kurrë rrugën për të hyrë në parlament. Megjithëse është gjetur ligji i një vendi me regjimin komunist më pak gjakatar nga tërë Lindja, Çekosllovakia e djeshme, për një vend si Shqipëria, me regjimin pa mëdyshje më kriminal dhe më sadist në tërë Lindjen (mjafton të krahasosh vrasjet, burgjet dhe numrin e banorëve), kritikat ishin shumë të ashpra. Një pjesë e kritikave kanë të bëjnë me qëllimin e këtij ligji (sidomos keqpërdorimin e qëllimit), dhe këtu ka arsye dhe argumente të mjaftueshme për të kundërshtuar. Çështja e miratimit të një ligji të tillë ka qenë një tagji që iu është dhënë paprerë shtypit dhe qytetarëve prej shumë vitesh, duke dëshmuar thjesht faktin se regjimi komunist ka rënë, por njerëzit e tij qeverisin pa drojë. Shqipëria është i vetmi vend në tërë Lindjen ish-komuniste të Evropës - së bashku me Moldavinë dhe me Rusinë - që ende që nuk ka ndaluar funksionarët e komunizmit të jenë në drejtim të vendit edhe pas 20 vitesh. Ndryshimi i vetëm që ka bërë Shqipëria është se, ndërsa në Moldavi Partia Komuniste nuk ndërroi as emrin e asgjë tjetër, por thjesht u fut në sistemin e ri po ashtu, Partia Komuniste shqiptare e ndërroi emrin. Në Rusi, Partia Komuniste pati një histori tjetër, por edhe ajo nuk u shpërbë dhe u përshtat thuajse si te ne edhe ajo me sistemin e ri. Të gjitha vendet e tjera të Evropës i shpërbënë partitë komuniste. Në një korrespondencë me një prej kolumnistëve të gazetës me influencë botërore “Wall Street Journal” për këto çështje pata një përgjigje të hatashme se, në rast se pas 20 vitesh nuk është bërë ky ligj, atëherë ai nuk ka nevojë të bëhet më, sepse nuk zgjidh më asgjë, komunistët janë përsëri në pushtet plotësisht dhe thjesht duhet të përmbysen me mjete të tjera që lejon sistemi. Ligji, të cilin parlamenti gjakon ta miratojë, nuk bind se e kundërshton këtë gjë. Ka shkuar çështja deri atje, sa të thuhet se një ligj i tillë është antikushtetues dhe kjo është gjëja më e rëndë, pasi ky arsyetim kërkon moralisht dhe ligjërisht ta quajë të përfunduar këtë çështje. Deputetë që citohen si juristë nga opozita, por edhe të tjerë që flasin si të tillë nga ajo, nuk kanë asfare frikë se ky arsyetim do të bënte me turp cilindo student të klasës së parë. Regjimi komunist është provuar se ka qenë një regjim gjenocidal. Për këtë ka një libër të madh (Libri i Zi i Komunizmit), të hartuar prej një grupi historianësh nga më të njohurit sot, botuar nën logon e universiteteve më të rëndësishëm në botë. Në hyrje të librit Stephan Courtois (bashkautor), thotë se komunizmi, si edhe nazizmi ishte një destruksion që bëri gjenocid, por ndryshe nga nazizmi që e bënte për qëllime raciale, ai e bëri për qëllime klasore. Qëndrimi është i prerë dhe jo më kot ai është dënuar me turp në gjithë botën. Në Shqipëri vrasjet, burgimet dhe internimet nisur nga klasa shoqërore kanë nxirë gjithë kohën e regjimit komunist. Pra, nga pikëpamja sociale dhe historike regjimi komunist në Shqipëri ka qenë gjenocid. Nga pikëpamja juridike gjenocidi është një term i përdorur për herë të parë nga juristi i famshëm hebre Raphael Lemkin, i cili përjetoi vetë plojën e Holokaustit. Përkufizimi i tij për gjenocidin u mor dhe u përfshi në tekstin e Konventës për të Drejtat e Njeriut. Ai thotë se gjenocidi përfshin akte të bëra me qëllim për të shkatërruar një pjesë të një grupi apo të tërë grupin qoftë ky etnik, religjioz, racor, apo klasor duke kryer vrasjen e anëtarëve të tij, duke shkaktuar dëmtime mendore apo trupore ndaj anëtarëve të këtij grupi, duke i lënë ata (anëtarë të grupit ose tërë grupin), në kushte jetësore që mund të çojnë në rrënimin fizik të tyre, duke imponuar masa që ndalojnë lindjen etj. Ky është përkufizimi i Lemkin-it për gjenocidin dhe është e qartë se regjimi komunist në Shqipëri i ka kryer këto krime me sadizëm e vetëdije. S’ka asnjë nevojë të përmendësh vrasjet pa gjyq, birucat dhe kampet e përqendrimit, ku u dergjën burra e gra, të moshuar e të rinj të familjeve që regjimi i quante klasë e përmbysur, reaksionarë etj. Organet që e kryen këtë gjenocid ishin Partia e Punës, Sigurimi i Shtetit, policia, gjykata dhe prokuroria. Sot, largimi i tyre nga administrata, pavarësisht përgjegjësisë direkte të secilit, quhet antikushtetues. Ligji mund të mos miratohet dhe ai i ka të gjitha arsyet të shkojë kësisoj, por jo sepse ai thyen Kushtetutën. Juristë dhe mendimtarë popullorë në parlamentin shqiptar, por edhe jashtë tij kanë arritur ta bëjnë edhe këtë arsyetim të debatueshëm në radhë për turpin dhe padijen e tyre të skajshme. Si mund të jetë Kushtetuta një dokument formal? Si mund të lexohet ajo literalisht? Kush i jep të drejtë këtij leximi sovjetik, materialist dhe të rrënuar me kohë në botën demokratike? Kushtetuta nuk është dokument formal dhe këtë e thonë të gjithë teoricienët e ligjit dhe të kushtetutshmërisë sot në botë. E kanë thënë edhe të tjerë që nuk janë më, duke nisur që nga Hans Kelsen apo A V. Dicey e deri te Dworkin apo gjyqtarët e Gjykatës Supreme në SHBA, Bryer, Ginsburg, Alito, Tomas etj. Kushtetuta ka edhe ato që nuk gjenden në tekst dhe që quhen Konventa Kushtetuese dhe që kanë të bëjnë me parimet morale të shoqërisë, me qëllimin e kushtetutshmërisë, me mbrojtjen e qytetarëve. Kushtetuta, thotë profesori i Harvardit, Ronald Dworkin, pa mëdyshje më influenti në 50 vitet e fundit në mendimin botëror (jo-sovjetik), për çështje të kushtetutshmërisë, përcakton kufijtë e vendimmarrjes së përditshme në bazë të parimeve morale dhe të ndershmërisë. Ajo përfshin shumë rregulla që nuk janë në tekst, përfshin edhe ato të tekstit. Me logjikën e deputetëve të opozitës dhe të juristëve që kanë bërë Kushtetutën e 1976 e që ende mezi presin një mikrofon t’ua varësh në xhaketë e të shpjegojnë Kushtetutën sot, amendamenti i parë i Kushtetutës amerikane qenka thyer natë e ditë prej 150 vitesh atje. Amendamenti i parë i kësaj Kushtetute të jashtëzakonshme thotë: “...Kongresi nuk mund të bëjë ligje që shtrëngojnë lirinë e fjalës...”. A mos vallë në SHBA u lejuaka të nxisësh turmat të djegin dhe vrasin? A mos vallë mësuesit në shkolla i fyejnë fëmijët me ngjyrë? A mos vallë dëshmia e rreme është e padënueshme? A mos vallë ligjet që ndalojnë nxitjen, fjalimet raciste, janë antikushtetuese? Duket sesa zeznajë arsyetojmë, ndoshta dhe jemi. Shembujt si ky në SHBA janë pafund, mjaft të lexosh qindra vendime gurthemeli të Gjykatës Supreme atje. Kjo pra tregon se Kushtetuta nuk është thjesht teksti dhe kësisoj largimi i njerëzve që kanë qenë në organet e makinës që bëri gjenocid për 40 vjet nuk është kundër Kushtetutës shqiptare. Të shohim Dworkin që e shteron debatin: Ligji e ka detyrë garantimin e moralit të shoqërisë.