Injorimi i paralajmërimeve perëndimore për drejtësinë
Komentet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësia e OSBE në Tiranë, të cilat u shprehën publikisht rreth nevojës së reflektimit për ligjin e dosjeve, janë injoruar nga qeveria shqiptare. Përkundër komenteve të tyre të qarta që kanë të bëjnë me problemet kushtetuese që prodhon qëllimshëm ligji, Komisioni i Ligjeve shtoi disa kategori të tjera zyrtare që përjashtohen nga administrata publike, apo poste të reja që verifikohen, por nuk bëri asnjë lëvizje në drejtim të korrigjimit të problemeve kushtetuese të ligjit.
Ky gjest, i cili po ngre tensionin mes diplomatëve perëndimorë dhe qeverisë shqiptare, po shoqërohet me një sërë gjestesh të tjera lidhur me legjislacionin që synon të kapë sistemin e drejtësisë prej kryeministrit Berisha. Kështu, ligji “Për administratën gjyqësore”, i cili ishte debatuar për muaj të tërë, po përpiqet që të miratohet prej shumicës si një ligj me shumicë të thjeshtë, ndërkohë që pjesë e atij ligji është një nen që thotë se ky ligj, pasi miratohet, është pjesë e ligjit për organizimin e drejtësisë, i cili kërkon konsensus të gjerë parlamentar. Si i tillë, ky projekt ka fuqinë e një amendamenti, i cili nuk mund të mos miratohet me të njëjtën mënyrë si është miratuar ligji “Për organizmin e Drejtësisë”. Por dhe këtu shumica po bën rezistencë, pasi në fokus të saj janë mënyrat se si do të kontrollojë përmes Ministrisë së Drejtësisë funksionet e gjykatave dhe të prodhojë klimë të varësisë politike ndaj kryetarëve të gjykatave që nuk janë në një gjatësi vale me qeverinë. Rasti qesharak i gjykimit nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë i një çështjeje, e cila po gjykohet në Gjykatën e Lartë, është ilustrim i qartë i mënyrës se si do të funksionojë administrata gjyqësore, nëse ky ligj miratohet me shumicë të thjeshtë dhe pa konsensus të gjerë parlamentar, i cili mund të imponojë mbi tre të pestat e votave.
Të njëjtat meskinitete u prodhuan dhe me ligjin “Për prokurorinë”. Ai u çua me urgjencë javën e fundit të korrikut në Komision të Ligjeve, kur u konstatua mosbindja e kryeprokurores, dhe pastaj, nën presion ndërkombëtar, u modifikua, derisa në fund u arrit te një version i pranueshëm. Tashmë, ky version ka shkuar sërish në qeveri dhe nuk dihet si do të dalë prej andej. E gjithë kjo betejë nervoze mes qeverisë dhe ekspertizës ndërkombëtare, si dhe diplomatëve perëndimorë, në përpjekje për të prodhuar një legjislacion që kap drejtësinë, natyrisht që do të ketë koston e vet.
Por ajo që shihet qartë si taktika kryesore e zotit Berisha në këtë fushatë është krijimi i sa më shumë problemeve dhe avancimi në shkelje pas kritikave ndërkombëtare, me qëllim që në fund të tërhiqet për disa gjëra të parëndësishme dhe ta konsiderojë kompromis. Kështu, ndërsa kritikohet ligji për dosjet, Berisha i avancon kategoritë që përfshin në kontroll dhe kategoritë që përfshin në verifikim në administratën e re dhe nuk merret fare me vërejtjet që bën SHBA dhe OSBE. E njëjta gjë dhe me ligjin e administratës gjyqësore, e kështu me radhë. Ky stil të vepruari synon të mbingopë me konflikte axhendën e negociatave të qeverisë me diplomatët perëndimorë dhe në fund ato që mund të quhen lëshime të jenë rikthim në pikën fillestare. Shihet qartë se Berisha u tërhoq boll mbrapa nga ligji “Për prokurorinë”, por po e përdor këtë për të avancuar në projektligjet e tjera, me të cilat është duke bërë politikë dhe jo drejtësi.
Po kështu ai po përpiqet të fusë nën tension liderin e opozitës, Edi Rama, për Kodin Elektoral, të cilit bën sikur është duke i bërë diversione me LSI, por që në të vërtetë thjesht po u bën një shenjë për të kaluar ligjet e tjera problematike. Marrëdhëniet e LSI me PS janë ato që janë dhe Berisha as i acaron e as i miqëson dot më shumë. Ajo që Berisha po kërkon t’i vërë Ramës është një gjobë për “nxitimin” e Ramës që në emër të PS i dha të drejtë presidentit Topi për rikthimin teknik të Kodit Elektoral dhe premtimit që i bëri se “do ta korrigjojmë”. Tashmë Berisha që t’ia falë këtë “gabim” i kërkon që të miratojë më parë disa ligje problematike të tij, përfshi dhe atë të dosjeve. Të njëjtën sjellje karshillëku ka dhe me faktorin ndërkombëtar. Në vend që të reflektojë për kritikat e tyre, po thellon tendencën që ata kritikojnë duke demonstruar hapur mospërfillje ndaj tyre dhe në fund negociata për të bërë të pranueshme projektet e tij për kapjen e drejtësisë, e cila ka rënë jo me dëshirën e saj në gjurmët e djalit, vajzës së tij dhe Lulzimit.